Kryesore

Ari i zi në Francë dhe në Shqipëri

08:00 - 27.11.18 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Çmimi i naftës është rritur në Francë dhe ka shkuar në 1.51 euro për litër (140 lekë të vjetra më shumë se tek ne). Pritet të rritet edhe me 3.9 cent (40 lekë të vjetra) për litër më 1 janar 2019, me rritjen me 7.6 për qind të taksës për hidrokarbonin, si pjesë e fushatës se presidentit francez, Manuel Macron, për makina më të pastra dhe më shumë investime publike në energjinë e rinovueshme. Kaq mjaftoi që për dy javë protestat e qytetarëve të mos pushojnë. Të shtunën ishin 280 mijë qytetarë në rrugët e Francës. Vetëm 30 mijë në Paris, duke shpërthyer edhe në Champs-Élysées, pjesën më pulsante dhe të rëndësishme të kryeqytetit francez. Kanë kërkuar edhe dorëheqjen e presidentit të vendit, vetëm pse guxoi t’ju hyjë në hisen e shpenzimeve të përditshme për karburant.




Ndërkohë, francezëve u duhen vetëm 1.6 për qind e të ardhurave ditore të përballojnë karburantin ditor. Lind natyrshëm pyetja: Po tek ne? Në Shqipëri shitet karburanti më i shtrenjtë në Evropë, në raport me të ardhurat për banor. Ne na duhen 10.3 për qind të të ardhurave ditore për ta blerë naftën ose benzinën. Megjithatë, në këto 28 vite tranzicion, as kemi dalë ndonjëherë nga shtëpia të protestojmë përse është kaq i shtrenjtë ari i zi. Po ashtu si francezët, edhe ne importojmë pjesën më të madhe të karburantit, 90 për qind na vjen nga importi. Pesë vite më parë, në nëntor 2013, kur një fuçi naftë në tregjet ndërkombëtare shitej 69 dollarë, ose 31 për qind më pak se disa muaj më parë dhe konsumatorët francezë dhe kudo në Evropë dhe në botë përfituan nga ulja po me 30 për qind e çmimit në tregun e tyre me pakicë. Ne jo. Në tregun tonë nafta vijoi të shitej një litër naftë me 1 mijë e 800 lekë të vjetra, njësoj sikur çmimi në tregjet ndërkombëtare të ishte 98 dollarë për fuçi.

Vetëm dy muaj më vonë u ul me 5 për qind. Në të gjitha tregjet e Evropës dhe në përgjithësi të botës, çmimet e karburantit u ulën më shumë se 6 herë sa kjo ulja jonë! Po të kishte ndodhur e kundërta, pra rritja e çmimit të naftës, sikurse ka ndodhur jo rrallëherë në këta 28 vjet, brenda dy ditëve ajo do të pasqyrohej edhe tek ne, me një rritje edhe më të madhe nga ajo ndërkombëtare. Po bëhen gati tri dekada që tek ne ndodh një vjedhje e madhe, e pacipë, masive në kurriz të gjithë shtetasve tanë konsumatorë të karburanteve, që praktikisht janë 4 në çdo 5 familje tek ne. Çmimi i naftës tek ne ka qenë dhe vijon të jetë produkt i një marrëveshjeje të fshehtë (karteli) midis firmave oligopoliste (zotëruese të tregut) që kontrollojnë gjithçka.

Ato lehtësohen nga një kontroll sipërfaqësor i organizmave tanë fiskalë, si dhe shumë fije të qeverisjeve të djeshme e të sotme,të lidhura me interesat e bosëve të shumicës në tregtinë e karburantit. Karteli i naftës tek ne funksionon mrekullisht, pa pyetur për presion publik (presioni ose kontrolli qeveritar nuk duket gjëkundi). Përveç që është më e shtrenjta, nafta tek ne ka edhe cilësinë më të dobët në rajon dhe ndoshta në të gjithë Europën. Kur vjen nga importi, nafta ka standardin evropian. Përpara se sa të kalojë në pikat e pakicës ku tregtohet për të 566 mijë shoferët dhe pronarët shqiptarë të automjeteve, ajo përzihet. Jo vetëm me ujë, sikurse ndodh rëndom në pikat e pakicës. Në depot e shumicës ajo përzihet me elementët e dëmshëm, me naftë të papërpunuar ose të përpunuar keq shqiptare, me solar ose vajguri. Një naftë e tillë e papastër harxhohet shpejt, nuk lubrifikon mirë mjetin dhe nuk prodhon fuqi të mirë kalorifike. Megjithatë, ajo është më e preferuara për ata që e sjellin tek ne naftën nga importi. Kjo naftë e përzier rrit fitimet e kompanive që tregtojnë naftën me shumicë, por nga ana tjetër është një kosto si shëndetësore për qytetarët, ashtu edhe ekonomike.

Këta të fundit nuk mjafton që blejnë naftën më shtrenjtë se sa në vendet fqinje me fuqi të njëjtë ekonomike me tonën, por edhe u amortizohet makina më shpejt, ose u dëmtohet ajo nga cilësia e keqe e karburantit. Kush do ta mbrojë konsumatorin, qytetarin shqiptar në këtë abuzim me produktin që ka një xhiro 670 milionë euro në vit tek ne? Shumë shpejt Kontrolli i Lartë i Shtetit do të bëjë publik një auditim të tij të performancës për cilësinë e naftës në Shqipëri. A do të jetë e aftë qeveria jonë të sulmojë interesat e abuzimit me naftën, që shkojnë mbi 100 milionë euro në vit, duke penalizuar të gjitha kompanitë që e përziejnë atë? Kush do ta vendosë qeverinë përpara përgjegjësisë, që kjo e fundit të vendosë përpara përgjegjësisë kompanitë që përziejnë naftën dhe mbajnë çmimin kaq të lartë? Francezët këtë punë po e bëjnë me protesta masive, edhe pse cenimi i interesave të tyre ekonomike është ku e ku më i paktë se vjedhja e konsumatorit dhe abuzimi me arin e zi në Shqipëri. Po ne, do lëvizim gjë?

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.