OPINION

Për gjeneralë të paqes dhe ministrin Lleshaj

07:28 - 27.11.18 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Në disa shkrime mbi emërimin e ish-gjeneralit Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm, veç të tjerash, vërehet një konceptim i cekët për gjeneralët dhe ushtarakët e lartë; duke i parë ata kryesisht si njerëz që dinë vetëm të ndeshen, të luftojnë dhe të asgjësojnë në front, me muskuj, shpata dhe topa; shkurt, si komandantë dhe drejtues të përshtatshëm për luftë dhe aq. Mirëpo, përvoja ndërkombëtare dhe në mënyrë më modeste e vendit tonë sjellin jo pak shembuj të spikatur mbi rolin e tyre po aq vendimtar dhe në procesin e paqebërjes, rendit publik, diplomacisë, sigurisë, drejtësisë, etj.




Këtë temë “ tejet në modë” në ditët tona e kam trajtuar mbi katër vite më parë në librin “ Diplomacia për të gjithë ( 2014) në kreun mbi “ fuqinë e butë dhe të ngurtë” (soft & hard power). Aty ka referime dhe për zotin Sandër Lleshaj, me të cilin në vitet 2003 – 2006 kam punuar në ambasadën tonë në Berlin; ndaj, po e riprodhoj këtu me ndonjë shkurtim të vogël.

“Ka pasur shumë komandantë dhe gjeneralë të shquar, që ashtu si në drejtimin e operacioneve gjigande ushtarake u dalluan dhe në realizimin e proceseve paqësore të qëndrueshme. Këta gjeneralë, ndoshta më mirë se të tjerët, e kanë provuar për vite e dekada në supe përgjegjësinë e madhe në luftë, sidomos koston e saj të pallogaritshme njerëzore, materiale dhe financiare. Ndaj, në përfundim të një lufte, ata e kanë kuptuar se dividenti i paqes dhe epërsitë e saj janë të padiskutueshme. Kësisoj, ata i janë vënë me po atë pasion dhe dëshirë, projektimit dhe realizimit të një paqeje të vërtetë. Gjenerali i lavdishëm Dwight Eisenhower, pasi drejtoi ushtrinë amerikanë në Luftën e Dytë Botërore, në vitet 1952-1961 u zgjodh për dy mandate rresht President i SHBA-së. Gjatë presidencës së vet, krahas fuqisë së ngurtë ushtarake që ai e njihte mirë u shqua dhe për zbatimin me po atë sukses të “Fuqisë së Butë”( soft power). Ndërsa, zëvendësi i tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjenerali i shquar George Marshall, pas lufte u bë kryediplomat dhe në këtë cilësi, në vitin 1947 lançoi planin e famshëm të ndihmave për demokracitë perëndimore që mban emrin e tij. Për këtë u nderua me Çmimin “Nobel” të Paqes.

Gjeneralët e paqes nuk kanë munguar as në Lindjen e Mesme. Ish-kryeministri izraelit Yitzhak Rabin në vitin 1993 bëri Marrëveshjen e Paqes me Liderin palestinez Jaser Arafat, me ndërmjetësimin e ish-presidentit Bill Clinton; po ashtu gjenerali egjiptian Anvar El Sadat, më vonë president i Egjiptit, që disa vite më parë kishte mundur gjeneralët izraelitë, në vitin 1979 shkoi për vizitë miqësie në Tel Aviv, për paqe me atë vend.

Shembulli i tyre tregon se pavarësisht nga çmimi i lartë që paguan me jetën e tyre, nuk ka alternativë më të mirë e më pak të kushtueshme se paqja, mirëkuptimi, toleranca dhe miqësia ndërmjet popujve, pavarësisht nga e kaluara e tyre.

Kombinimi i “Fuqia e butë&ngurtë” të çon në filozofinë e re moderne të “fuqisë së mençur ose inteligjente” ( smart power) që lindi në vitet 80.

Në këtë drejtim po shquhet dhe NATO nëpërmjet konceptit të saj strategjik “ mbrojtje inteligjente” (smart defence). Në prill 2013 isha i pranishëm në një takim mbresëlënës në Bruksel me komandantin e atëhershëm të NATO-s për Europën, admiralin amerikan, James G. Stavridis. Të gjithë prisnin që të fliste kryesisht për armët, tanket, anijet ushtarake, luftërat dhe strategjitë ushtarake. Por ai u ndal në më të shumtën e kohës në “fuqinë e butë”. Admirali nënvizoi se ndërsa shekulli i kaluar ishte epoka e ndarjeve, mureve, gardheve, bunkerëve dhe e izolimit, sot jemi në epokën e lidhjeve, urave, komunikimit dhe bashkëpunimit. Në këto kushte “fuqia e ngurtë” natyrisht do të përdoret në raste konfliktesh; por e vetme ajo është e pamjaftueshme, sidomos në rastet e paqebërjes, demokracisë dhe begatisë ekonomike.

Për fat të mirë, edhe në vendin tonë kemi ushtarakë dhe gjeneralë që kanë bërë të tyret shumë elementë të “fuqisë së butë” duke krijuar kësisoj modele të vërteta dhe të “fuqisë inteligjente”. Krahas talentit ushtarak, ata paraqesin kulturë, urtësi, tolerancë, dije dhe vlera qytetare. Natyrisht që kualifikimi dhe trajnimi në vendet perëndimore, si në SHBA, Gjermani, Francë e gjetkë ka pasur ndikimin e tij madhor në këtë drejtim.

Duke u kufizuar në vitet e fundit, dua të përmend këtu gjeneralët e mirënjohur, Arjan Zaimi, Vladimir Qirjazi dhe Sandër Lleshi. Dy të parët i njoh më tepër nga shkrimet kushtuar tyre dhe nëpërmjet konsideratave të miqve dhe të njohurve të mi që kanë punuar me ta; ndërsa me ish-gjeneral Sandër Lleshin jemi njohur gjatë punës në ambasadën tonë në Berlin, ku ai ishte atasheu ynë ushtarak dhe më vonë në Tiranë.

Të them të drejtën këta njerëz që rrezatojnë mbi të gjitha qytetari dhe kulturë, më ndryshuan konceptin dhe imazhin që kisha për ushtarakun e ditëve tona, si njerëz të rreptë e të ashpër, që dinë të japin vetëm urdhra e të përdorin armë, të aftë për operacione dhe stërvitje ushtarake.

Por, duke ndenjur e punuar me Sandrin, duke marrë pjesë në veprimtari të shumta diplomatike, kulturore, takime dhe me familjet tona, pashë se ashtu siç shkëlqen në drejtim të karrierës ushtarake, ai shquhet edhe në fushën e” fuqisë së butë”.

Me po atë pasion që flet për artin ushtarak, armët dhe luftërat, Sandri flet e shkruan dhe për gjuhën shqipe, për artin, kulturën, librin etj. Reagoi menjëherë si qytetar dhe ushtarak pas një botimi kushtuar Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu; botoi me shpejtësi të rrufeshme një libër me argumente dhe të shkruar me kulturë dhe u shfaq nëpër ekranet televizive, duke folur me kompetencë dhe qetësinë e tij të rrallë.

Gjithashtu, Sandri dëgjon të tjerët me shumë vëmendje dhe interes dhe vlerëson përvojën e më të vjetërve. Ka një takt të spikatur njerëzor e diplomatik, modesti dhe përulësi që buron dhe nga besimi i tij i sinqertë dhe i civilizuar katolik.

Fatkeqësisht, një ditë maji 2013 mësova mbi lirimin e tij të habitshëm “rrufe” dhe pa kurrfarë shpjegimi të vërtetë ligjor nga detyra e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm, bashkë me dy gjeneralë të tjerë të nderuar.

Nuk dua të bëj komente, sepse është jashtë temës, por për shumë nga ne ajo ishte një ditë e keqe dhe e dhimbshme. Mendoni, kur shkarkohen kështu “me një të rënë të lapsit” tre gjeneralë të shquar e të ndershëm, pa iu referuar as dispozitave përkatëse ligjore, ç’mund të ndodhë me të tjerët?!!

Por, për fatin të mirë, më 23 gusht, Kryeministri Edi Rama njoftoi se Sandër Lleshaj do të ishte këshilltari i tij për sigurinë kombëtare. Po ashtu, ministrja e re e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, i emëroi sërish disa gjeneralë të liruar në poste të larta të ushtrisë dhe mbrojtjes, duke e shpëtuar hierarkinë e administratës sonë ushtarake nga një poshtërim i vërtetë.

Më bëri përshtypje se në deklarimin e tij të parë publik pas këtij emërimi, Sandri e sintetizoi shumë thjesht e qartë konceptin “fuqia inteligjente” kur tha se “sot mbrojtja nuk është më çështje muskujsh, por mendje dhe intelekti, pra “mbrojtje inteligjente”. Mbyllje më kuptimplote për këtë kapitull nuk mund të kishte.”

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.