OPINION

Jo arsimit të lartë publik bankomat

07:28 - 08.12.18 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Studentët protestues bënë mirë që përzunë drejtues të opozitës, pasi nuk ka asgjë politike në shqetësimet e tyre. Tarifat e universiteteve publike janë caktuar të larta. Ato duhet të rishikohen. Tarifat për provimet e mbartura janë absurde në kushtet tona dhe qeveria veproi drejt kur bëri prapakthehu. Tani ia vlen të rishikohet vetë ligji mbi arsimin e lartë. Ai nuk përmban qoftë edhe një fjali për shërbimet studentore, edhe pse është relativisht i ri(ripunuar në vitin 2015). Universitetet publike duhet të marrin në konsideratë të gjitha çështjet në funksion të studentit. Studentët në universitetet publike duhet te ndjejnë se kanë shanse të njëjta dhe të barabarta për të zhvilluar potencialin e tyre. Universitetet duhet të sigurojnë që të gjithë studentët të trajtohen në mënyrë të barabartë. Këtë mund ta japë vetëm një ligj i rishikuar si duhet, me strukturat përkatëse kontrolluese e llogarikërkuese shtetërore(ndoshta në vartësi të Kuvendit, njëlloj si KLSH). Kampuset universitare duhet të shërbejnë si burime reference për shërbime shëndetësore të specializuara, nëse ato kërkohen. Stafi duhet të jetë i përkushtuar dhe me përvojë në punën me studentët. Duke qenë se studentët kanë orare të papërcaktuara dhe zhvillojnë një jetë komplekse dhe shpesh stresuese, ata kanë nevoja dhe kërkesa specifike të kujdesit shëndetësor. Duhet të shihet mundësia e futjes së shërbimit të kartave të shëndetit për studentët. Universitetet publike duhet të jenë të përkushtuara për të ndihmuar studentët me probleme personale, emocionale dhe psikologjike. Duhet të ketë një shërbim psikologjik që t’ju ofrohet studentëve pa kosto financiare. Shërbimi psikologjik duhet të synojë të ofrojë këshillime afatshkurtra, terapi njohëse të sjelljes, mbështetje psikologjike dhe grupe psiko-edukative për t’ju ndihmuar të përballoni një sërë shqetësimesh personale, emocionale dhe psikologjike. Studentët kërkojnë staf të kualifikuar, mundësisht të trajnuar edhe jashtë, jo sekretare të marra nga dekanët për të plotësuar qoka miqsh apo me pagesë nën dorë! Përballimi i burimeve të kufizuara financiare është një problem i përbashkët me të cilin ballafaqohen studentët. Kampuset universitare dhe universitetet publike në tërësi duhet të ofrojnë shërbime mbështetëse ndihmuese në këtë drejtim, si këshilla financiare në menaxhimin e parave të studentëve, aplikimet për bursa si ndihmë financiare ndaj studentëve, bursat e ndryshme, gjetjen e burimeve të komunitetit dhe të universitetit për ndihmë financiare, si dhe punë sezonale dhe me orare të kufizuara gjatë kohës së studimeve. Shërbimi për këshillim ligjor duhet të mbështetet nga studentë të Fakultetit të Drejtësisë në universitetet publike, si dhe profesorë të këtyre departamenteve. Të gjitha këto deri tani për shumicën e universiteteve tona publike janë thjesht dhe vetëm një listë dëshirash. Për sa kohë nuk ka një strukturë që t’u kërkojë llogari drejtuesve dhe menaxherëve të universiteteve publike, të gjitha këto shërbime ndaj studentëve tanë të arsimit të larte publik do të funksionojnë si bankomate për t’u shtrydhur abuzivisht studentëve edhe pikën e fundit të kursimeve të prindërve të tyre. Një studim i para disa muajsh i një organizate jo-qeveritare po studentësh, nxori se një pjesë e mirë e fondeve të ardhura nga tarifat e paguara prej tyre, që duhej të shkonte për kërkim shkencor dhe kushte më të mira studimi, në universitete tona publike shpenzohej për automjete dekanësh apo mobilie të shtrenjta të zyrave të tyre dhe të kancelarëve! Ja përse protesta e studentëve të arsimit tonë të lartë publik është më se e drejtë, edhe pse të gjitha paudhësitë e sistemit nuk ka arritur t’i vërë në pah.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.