OPINION

Letrat fallco, i prodhon mungesa e garave reale

12:27 - 09.12.18 Mero Baze
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një nga lotet e ndërtimit të Unazës së Madhe do të  riprokurohet, pasi kompania e shpallur fituese, ka ndërtuar një profil të rremë, duke falsifikuar gjithçka. Ylli Rakipi zbuloi se ajo kishte falsifikuar datën e regjistrimit në SHBA, në një shtet që lejon regjistrimin e kompanive offshore, por me sa duket ajo nuk ka falsifikuar vetëm datën, por gjithçka tjetër, bilancet, të punësuarit, liçensat, vërtetimet dhe gjithçka çfarë duhej, duke i noteruar dhe duke vendosur vulën apostile për t’u dukur korrekt në Shqipëri. Dosja e dorëzuar në Ambasadën amerikane për verfikim zyrtar nga Gjiknuri, është një ilustrim i frikshëm i asaj që ka ndodhur.




Formalisht dosja e paraqitur në Drejtorinë e Rrugëve është “në rregull me ligjin”, por realisht kemi të bëjmë vetëm me një dosje, dhe jo me një kompani.

Ky është rasti i dytë i madh i bujshëm në Shqipëri, kur një kompani falsifikon dokumente në SHBA dhe konkurron në Shqipëri. Por ky shpëtoi pa pasoja financiare, falë Ylli Rakipit.

Rasti i parë me pasoja financiare 80 milionë euro, ishte privatizimi i Albeptrolit. Një kompani offshore, paraqiti si garanci bankare një letër nga një bankë amerikane, që provonte se ajo kishte depozituar shumën prej 10 për qind të çmimit të ofruar, si fond garancie për privatizimin e Albpetrolit.

Sipas rregullit, kur shpallet fituesi, shteti merr 10 për qindëshin e fituesit, depozituar në bankë. Pasi Rezart Taçi u shpall fitues, shteti tentoi t’i merrte dhjetë përqindëshin e depozituar, por rezultoi se ai kishte gënjyer dhe depozita ishte fallco.

Shteti humbi 80 milionë euro, dhe Sali  Berisha nuk veproi, pasi i tundej para syve fotoja e gruas së tij duke mbledhur fonde me Rezart Taçin. Prokurori i Përgjithshëm ende dhe sot nuk ka hapur një proces penal për t’i dhënë shtetit ato 80 milionë euro, ndërsa dëmi ekonomik ishte fatal.

Rasti i dytë është ky i Unazës së Madhe. Ai është tërësisht i ngjashëm me rastin e Rezart Taçit tek Albpetroli, por nuk ka dëm financiar. Për fat, denoncimi nga gazetari është bërë në kohë dhe anulimi i tenderit e çon zero dëmin financiar.

Por ky precedent hap një debat të ri të rëndësishëm në Shqipëri, për mënyrën se si duhet të verifikohen kompanitë anonime, apo kompanitë e panjohura të huaja në Shqipëri, kur paraqiten në gara publike.

Legjislacioni ynë nuk detyron komisionet e tendrave të bëjnë kërkime për kompanitë nëse nuk ka indicie, dhe vulat apostile në këtë rast janë garanci ligjore.

Rasti i Unazës së Madhe është shumë i rëndë, edhe pse nuk ka shkaktuar dëm. Ai tregon se administrata ka vepruar formalisht korrekt me ligjin, jo se nuk ka pasur indicie për falsifikim, por se ka njohur fituesin e vërtetë dhe nuk i ka shkuar mendja tek falsifikimi formal i letrave, i cili tregon se kur je i sigurtë që fiton garën, injoron dhe letrat. Kur tenderat kthehen në formalitet, vemendja ndaj detajeve të tilla është e vogël.

Ndaj kjo histori duhet të shërbejë si një leksion i hidhur, jo vetëm për personat e përfshirë në të, por për shtetin shqiptar, i cili duhet të forcojë rregullat për të mbrojtur buxhetin nga kompani fantazëm.

Rasti i Albpetrolit, kur një falsifikim zyrtar i hoqi nga buxheti shtetit 80 milionë euro, dhe ky rast, kur qeveria mund t’i kishte derdhur fondet, në një kompani fantazëm me letra, dhe e vërtetë në terren, janë ilustrim i përballjes së shtetit me spekulantë race, për të cilët duhet të jemi të përgatitur.

Raste të tilla, edhe pse nuk janë zbuluar, mund të ketë me dhjetra në tenderat e Shqipërisë, që nga filialet e kompanisë “Alpine” të Fahriut, që i zuri gjithë shtetet e Ballkanit me radhë për t’u marrë firmat,  e deri tek kjo e fundit.

E vërteta e hidhur është se ky fenomen në Shqipëri, nuk ndodh sepse vërtet dikush kujtohet të fitojë ndonjë tender në Shqipëri me letra fallco, por se punët e mëdha publike tek ne, janë me fitues të paracaktuar, të cilëve qeveria u thotë “bëni letrat dhe merrni punën”.

Me emrin e tyre të vërtetë, ata mund të jenë shumë më të nderuar, por bien në sy, se marrin shumë punë dhe i hyjnë aventurave të tilla, për t’u maskuar vetë dhe për të demaskuar qeverinë. Ky është çmimi i mungesës së garave reale, të cilat kanë nevojë gjithnjë për letra fallco.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.