OPINION

Pse protesta e studentëve po paralajmëron kryengritjen qytetare brenda shtetit

15:13 - 09.12.18 Enkel Xhangoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga: Enkel Xhangoli




Konotacioni protestë ditët e fundit ka marrë kuptimin e vërtet të saj përmes studentëve. Për herë të parë një protestë mund të rezultojë fatale jo për një qeveri, por nëse del jashtë kontrollit, mund të tund themelet e gjithë sistemit politik në vend. Kjo mund të ndodhi nëse kërkesat e studentëve nuk plotësohen në kohë, ngërçi i universiteteve do të paralizojë politikën dhe shoqërinë në vend.

Në një vështrim të ftohtë dhe pazëmërim kundër kësaj qeveria apo ministrisë së Arsimit, duket se kjo revoltë i dha dhe njëherë frymë të re shqiptarëve.

Nuk mund të të jesh me studentët dhe pro kësaj qeverie, sikurse nuk mund të jesh opozitar duke qenë me PD, LSI apo më këdo parti që nuk plotëson numrat e deputetëve për të qenë qeveri. Personalisht për herë të parë shikoj një revoltim pa politik kaq të ashpër dhe të vendosur. Fatmirësisht, ky 8 dhjetor nuk ishte i Sali Berishës apo i Lulzim Bashës, por sikleti i Edi Ramës, i cili pa të vogëlin hezitim provokoi durimin e rinisë.

Në asnjë vend normal një kryeministër i cili vlerëson qytetarët e tij, nuk mund t’i perçmoj në mënyrë arrogante studentët, duke i etketuar si ngelësa apo katarnjosë. Mendoj se është kulmi i injorancës së një politikani që fatkeqësisht e kemi votuar e na drejton. Sigurisht, pas vendosmërisë së studentëve u “zbut” duke i ftuar për negociata, madje dhe mediat pranë Rilindjes nuk kanë çfarë të propagandojnë më pasi nuk “mbulohet dielli me shoshë”.

Nuk dua të merrem se si është Rama apo Basha, pasi koha na ka treguar çfarë udhëheqësish kemi pasur dhe kemi akoma. Teksa në portale lexoj tituj bombastikë si “Studentët po rrëzojnë qeverinë Rama”, apo “Gati largimi i Lindita Nikollës na posti i ministres së Arsimit” etj… mendoj se çështja nuk është të largohet Nikolla apo Rama, por të plotësohen kërkesat e studentëve e të ndryshojë sistemi në tërësi.

Kjo është një revolt në emër të ndryshimit dhe jo vetëm për heqjen e VKM apo përgjysmimin e tarifave, prandaj duket si diçka imagjinare që një ardhme e re po lind në një një situat të tillë ku ndodhet Shqipëria, kjo ishte e papritur, jo vetëm për qeverinë Rama, por dhe për gjithë ne si popull.

Ky sistem arsimor u deformua nga studentë të 8 dhjetorit që luftuan për rrëzimin e komunizmit, ndërsa sot janë studentët përball ish-studentëve në politik.

Në fakt, askush nuk e priste që zemërata studentore do të bëhej një nga protestat më të solidarizuara në vend pas ’90, (studentët shqiptarë në Letoni), ku dhe njerëz të ndryshësh shkojnë në protestë për t’u dhënë zemër të rinjëve, madje duke shpërndarë ushqime dhe ujë për ta. Diçka kjo që nuk është parë në Shqipëri, të paktën për aq kohë sa unë merrem me gazetari. Kam parë protesta të dhunshme, vrasje në protesta, rrahje e gjak, por asnjëherë sensibilizim pa një bosht politik.

Për mua mund të them se ishte protesta e parë që u bashkova me mish e shpirtë, nuk mund të rrish e të shikosh apo të shkruash për ta, po nuk luftove me ta. Studenti në vendin tonë është flliqur prej gati 30 vitesh, por shpirti i tyre nuk është përbaltur ende. Ajo që për mendimin tim e bën edhe më të veçantë këtë protestë është fakti që studentët nuk e kanë betejën vetëm me disa emrat të veçantë të qeverisë, por me gjithë sistemin.

Prandaj, kjo protestë është më shumë se sa të rrëzosh një ministrie apo një kryeministër. Në këtë pikë, irritimi i studentëve kalon përtej bindjeve politike, duke mbajtur gjallë shpresën e së tashmes për të fituar betejën e së ardhmes. Ky irritim të përfshin dhe po mos jesh studentë, kundrejt kësaj padrejtësie që “gulçon” mund e sakrifica të familjeve dhe studentëve, nuk mund të rrish e të bësh protestuesin pas pultit të televizorit.

Në këtë rezistencë nuk duhet të ishin vetëm studentët apo disa aktivist që njëherë i bëjnë me Lali Erin e njëherë i bëjnë heronj. Gjithsesi, përbaltja e iniciatorëve është loja e partive politike të cilat futin eksponent militues për përfitim të tyre, kjo nuk është diçka e re.

Besoj se në këtë protestë duhet të ishin dhe vet pedagogët që japin leksione me shpirt dhe jo me “rrogë”. Ndoshta, është një turp që pedagogët rrinë e presin të vinë studentët nga protesta në auditor për të bërë mësim, ndërkohë që vetë ata duhet të ishin krenar e  t’i prijnë studentët për një sistem arsimi më ekuilibrues me jetësën e qytetarëve dhe më të qendrueshëm.

Me studentët nuk mund të bësh eksperimente, pasi mund të lësh në “errësirë” një brez të tërë, është turpi i ministrisë së Arsimit dhe kësaj qeverie (përfshirë dhe qeveritë paraardhëse) që bënë prova për të parë nëse do kalontë pa u vënë re kjo padrejtësi.

Ky lum proteste nuk mund të shihet si “pikë të fituara” nga PD me “shokët” e saj, por duhet thënë se i leverdisë që kjo luftë u bë para zgjedhjeve të 2019 dhe që rastisi me protestën e Unazës së Re. Në fakt kjo duhet të shërbejë si leksion për qeverinë e ardhshme se sa një mënyrë për të shitur veten shenjtorë. Të denoncoj dikush korrupsionin që akuzohet për korrupsion?! Ky lloj paradoksi ndodh vetëm në Shqipëri dhe në ndonjë vend të ngjashëm me ne.

Këta politikanë duhet të flinin pas hekruave, e të lexonin gazetat për revolucionin e studentëve, por për aq kohë sa kemi një qeveri që shtrydh rininë nuk mund të presim drejtësi. Për aq kohë sa kemi një qeveri që largon mijëra të rinj nga vendi, nuk mund të presim zhvillim, përveçse shpërndarjen e llumbit të mashtrimeve e padrejtësive të tyre.

Studentët po tregojnë se me durmin e popullit nuk mund të luhet, por dhe pse jemi shumë vonë për reagim, përsëri jemi në kohë që ky sistem të mos lëshojë më shumë rrënjë mbi ëndërrat rinore dhe mbi shpresat e popullit.

E theksoj, çështja nuk është vetëm largimi i Linidita Nikollës apo i Edi Ramës, por të përmirësohet sistemi i arsimit e të largohet ai rryshfetit dhe i përfitimit. Për aq kohë sa universiteti shikohet si objekt fitimi dhe jo si një vend i shenjtë për rigjenerimin së ardhmes të një kombi, ky vend do vazhdojë të qeveriset nga mbetjet e korrupsionit.

Kam bindjen se kjo protestë nuk nuk do të ndalet vetëm te plotësimi i kërkesave të studentëve, por do të frymëzoj çdo qytetarë të këtij vendi për të protestuar për të drejtat e tij të mohuara apo të rrëmbyera nga pushtetet post komuniste.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.