OPINION

PD-ja e sotme, ose e keqja jonë më e vogël…

07:45 - 12.12.18 Xhevat Mustafa
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




“…edhe tani, brenda 5 vjetëve dhe sidomos në mandatin e dytë qeverisës, e majta, e përfaqësuar aspak gjenetikisht dhe denjësisht nga gjasme “Rilindja”, është bëre e keqja më e madhe për vendin dhe shumicën e popullit, për veprime dhe mosveprime skandaloze, për papërgjegjshmëri, pandryeshushmëri të saj dhe jo nga guriçkat apo ashklat e vëna nën rrota nga opozita apo “sozia” e saj, shumë e pangjashme dhe qesharake…”

Sot, më 12 dhjetor, Partia Demokratike e Shqipërisë mbush 28 vjet jetë dhe veprimtari politike, qeverisëse dhe opozitare. Kjo rrugë është e mbushur me suksese e merita, me gabime e dështime, me maja të ngjitura dhe rrëshqitje pas, me ngecje dhe rrotullime në vend, me rrëzime të dhimbshme dhe ngritje entuziaste, me përvojë pozitive dhe negative, me vlerësime dhe kritika jo të pakta dhe përgjithësisht të sakta.

Tani pas 28 vjetësh, PD-ja duhet të ketë nostalgji për mbështetjen gati popullore, sidomos në dy vitet e parë dhe për kuotën e lartë të përqindjes së votave në zgjedhjet politike të 22 marsit 1992. Megjithatë, pavarësisht firove nga konsumimi i pashmangshëm gjatë 13 vjetëve në qeverisje dhe gjatë këtyre 5 vjetëve si gjasme opozitë, apo si një kopje e keqe e vetvetes; nga mungesa e “doganës” apo e “filtrave” ndaj prurjeve të reja për përtëritjen e saj, Partia Demokratike vazhdon të ketë, më shumë se sa meriton për çka përfaqëson dhe po bën këto vite, mbështetje të kënaqshme në elektoratin e vet, tashmë gjenetik apo tradicional si dhe në arenën ndërkombëtare.

Paradoksalisht, edhe pse ka mbi 5 vjet që de jure, nuk është më kryetar i PD-së, i vetëlarguar pa u merakosur shumë se në duart e cilëve po e linte, Berisha është politikani dhe pushtetari më agresiv ndaj të majtës dhe qeverive të saj, por edhe më i sulmuari me kritika dhe akuza, me shpifje dhe sharje, nga ana e së majtës. Prej kohësh, ai është regjur dhe mësuar me to dhe prandaj i pret përgjithësisht me indiferentizëm dhe buzëqeshje, duke mos ndier dhe shpreh qejfmbetje të madhe nga zërat politikë, mediatikë dhe qytetarë se “të gjitha fajet i ka Saliu”, edhe kur fajet dhe përgjegjësitë janë të të tjerëve. Ndoshta ka ardhur koha që nga e majta të çohet ndërmend edhe pyetja se mos i kanë rënë dhe vazhdojnë t’i bien padrejtësisht më qafë, se ndoshta gjatë mandateve qeverisës të Berishës nuk kanë humbur aq sa peshojnë ata, si shitësit e këqij, duke u ngrënë tepër në peshë blerësve… Aq më tepër që gjatë periudhës 22 mars 1992-1997, ai nuk i pengoi të vazhdonin të startonin shumë më parë dhe të fuqizoheshin shumë më tepër se të djathtët e paktë në rrugën e bizneseve. Po kështu, duke u zbatuar motoja e Berishës “Opozitarë, por vëllezër”, edhe në sofrat e mëdha të tenderave dhe të korrupsionit, gjatë 13 vjetëve të Berishës, nën hundën e tij, biznesmenët socialistë kanë pasur plot vende të lira dhe kanë ngrënë me të dy duart. Qofsha i gabuar, por personalisht mendoj se nëse PD-ja është ndëshkuar aq rëndë në betejat zgjedhore të periudhës 2013-2017, nëse ka ardhur në këto ditë, kur nuk kuptohet se është “e gjallë apo e varrosur për së gjalli”, fajet dhe përgjegjësitë më të shumta mund të kërkohen dhe gjenden po tek Berisha. Njëherazi, mund të shtrohen edhe të paktën katër pyetje në adresë të tij: Përse kaq shumë “gabime”, kur thuhet se përgjithësisht njeriu i zgjuar gabon vetëm një herë në jetë”? A mund të quhen dhe arkivohen si krejt të rastësishme, njerëzore, të paparandalueshme, kolektive? Përse futi në gjirin e PD-së aq shumë njerëz, që i njihte mirë se ishin ose krejt “mish i huaj” për të, ose kalorës për përfitime ngushtësisht individuale dhe familjare? Përse nuk parashikoi dhe shikoi se me korrupsionin e tyre të pafre, sidomos në mandatin e dytë, i jepej shkas e rast Edi Ramës dhe kukullave të tij të përrallisin dhe llomotisin se “të dy palët janë njësoj”, slogan që “vret” urgjencën dhe domosdoshmërinë e rrotacionit politik, edhe sikur të sjellë një qeverisje, qoftë edhe 10-20 për qind më të mirë se kjo e gjasme “rilindjes”?  Në mënyrë figurative, falë gabimeve të shumta të Berishës, si rregull shoqëruar para apo prapa me merita jo të pakta e të pamohueshme, mund të thuhet se në fillimet e saj Berisha e ngriti PD-në në majë të Korabit, por sidomos në mandatin e dytë 2009-2013, lejoi që ajo të gremisej në “fushën e Dibrës”, duke thyer brinjë, kocka, kokë, deri aty sa sot e kësaj dite, edhe kur ka shanse e raste të tregojë gjallesë e forcë, duket akoma ose si akoma në gjendje kome apo si e porsadalë nga gjendja e komës… Në këto kushte, disa demokratëve të vërtetë e të përjetshëm, themelues dhe të muajve të parë tepër të vështirë të jetës së saj, që kanë sakrifikuar më shumë se sa kanë përfituar prej saj, mund t’u shpërthejë nga zemrat edhe thirrja “Bijë, PD-ja e nënës, çfarë të të qajë më parë”!

Sot, pas 28 viteve të PD-së, për faj e përgjegjësi të saj e të PS-së dhe LSI-së, nuk mund të themi me zemër dhe bindje se sakrificat e djemve të Kavajës, Shkodrës, Tiranës dhe të të gjithë martirëve të demokracisë, të rënë apo të gjallë si dhe të shumicës së popullit kanë sjellë atë “Liri dhe Demokraci”, që ëndërronin dhe dëshironin ata. Vërtetë u rrëzua diktatura komuniste dhe prej 26 vjetësh jetojmë me liri dhe demokraci të gjerë, por përsëri nuk mund të mburremi para tyre se e kemi bërë Shqipërinë, siç e deshën ata, me shtet të fortë, me demokraci normalisht funksionale, me ekonomi moderne e të fuqishme, me paga, pensione dhe mirëqenie të lartë, të bollshme për t’i mbajtur në vend dhe pranë familjeve dhe jo për të emigruar drejt vendeve të “Perëndimit Kapitalist” moshat e reja e për të mos lejuar gjëmën e katandisjes së vendit në më pak se 1 milion banorë pas disa dekadave. Ata kanë plot arsye të përjetojnë habi, zhgënjim, fyerje, revoltë, keqardhje… nga fakti që në qeverisjen aktuale janë në majë të piramidës bij e bija, nipër dhe mbesa, dhëndurë e nuse të ish-nomenklaturës komuniste, konkretizuar edhe me praninë në poste të larta të Gramoz Ruçit e tj. Natyrisht, edhe kur tufa të veteranëve me portrete të Enver Hoxhës në duar festojnë siç dinë ata çdo 8, 17, 29 nëntor, pa e çuar ndërmend as të ndjejnë faj, vrasje në ndërgjegje dhe as të shprehin pendesë e të kërkojnë falje për krimet monstruoze, që kanë kryer mbi bashkëkombës dhe bashkëqytetarë, me mendim dhe bindje “ndryshe”, të “damkosur” dhe masakruar prej tyre me përrallat apo sajimet e trasha “armiq të partisë e të popullit”, të “pushtetit popullor”, të “diktaturës së proletariatit”… Pasardhësit apo trashëgimtarët e tyre kanë rrëmbyer në demokraci të gjitha pushtetet dhe janë të bashkuar e të vendosur t’i mbajnë fort, me mashtrime e demagogji, të kthyera në art e shkencë, me armë dhe  me miliarda korrupsioni, kanabisi, krimi, pa ndier fare dhimbje e shqetësim për jetën mjerane dhe për varfërimin masiv e të pandalshëm të shumicës së qytetarëve… Nga ana tjetër, PD-ja dhe opozita në përgjithësi, po përjetojnë një periudhë të tejzgjatur kukullëzimi, formaliteti apo informaliteti, duke mbetur shumë larg vetvetes dhe pritshmërive ndaj tyre. “Harresa”, braktisja apo nëpërkëmbja e idealit dhe sakrificave të martirëve të demokracisë, e interesave jetike të shumicës së popullit, efektiviteti minimal i pasurive shumë të mëdha nën dhe mbitokësore, natyrore si dhe njerëzore, nga politikanë dhe qeveritarë të këtyre rreth 27 vjetëve të demokracisë shpreh mosmirënjohje e ligësi, zbrazëti ideali, morali, përgjegjshmërie, ndjeshmërie njerëzore e sociale… Fakte të shumta, sidomos gjatë mandatit të dytë të qeverisjes nga “Rilindja” apo individualizuar nga Edi Rama me shokë e shoqe, me kulme disa koncesione flagrante, me falsifikimet dhe faturat e segmentit të autostradës së re tek “Astiri”, apo rreth 1 miliard euro “shpërdorime”  nga dikasteret qendrore dhe administrata, gjatë këtyre 10 muajve të vitit 2018, sipas KLSH-së, kanë lakuriqësuar jo vetëm papërgjegjshmërinë, pangopshmërinë, paskrupullsinë e tyre për përfitime individuale. Këto kanë zbuluar dhe dëshmuar më shumë edhe qenien e vendit pa opozitë të vërtetë, të sinqertë, të fuqishme, që mund t’i bëjë qeveritarët të mendohen mirë para se të hedhin firmat e të venë vulat për tendera dhe koncesione të tilla, që mbajnë era korrupsion dhe shpërdorime flagrante jo vetëm deri në Konispol, Vermosh e Morinë, por edhe deri në Bruksel, Berlin, Uashington… Por, nuk mund të përjashtohet kategorikisht, edhe që opozita e sotme po bën “spektatorin” apo shou me deklarata “çunash dhe gocash” për konkurse bukurie nga selitë e saj apo gjatë ditëve të enjte në parlament, joshur nga pjesa e vet në tepsinë mbushur jo me byrek, por me miliona, pallate, kulla, saraje… Në qershor 2013 shumica, kryesisht të majtët bënë zgjedhjen dhe zgjidhjen, që mund të vlerësohet dhe pranohet si e duhura dhe më e mira mes dy të këqijave… Atëherë qeverisja PD-LSI-PR, sidomos në mandatin e dytë dhe nën drejtimin e dyfishtë të Berishës, qe bërë vërtetë e padurueshme dhe pakapërdishme, si e keqja më e madhe. Por, edhe tani, brenda 5 vjetëve dhe sidomos në fillim të mandatit të dytë qeverisës, e majta, e përfaqësuar aspak gjenetikisht dhe denjësisht nga gjasme “Rilindja” është bëre e keqja më e madhe për vendin dhe shumicën e popullit, për veprime dhe mosveprime skandaloze, për papërgjegjshmëri, pandryeshushmëri të saj dhe jo nga guriçkat apo ashklat e kërcijtë e vënë nën rrota nga opozita apo “sozia” e saj, shumë e pangjashme dhe qesharake… Atëherë, duke mos e marrë si 100% të saktë se “të dyja palët janë njësoj”, na mbetet që më 2019 dhe 2021, të zgjedhim të keqen më të vogël… Por, edhe që të mendojmë dhe luftojmë sinqerisht dhe me konsensus të gjerë qytetar, që të mos kemi rrotacione të këqijash, por forcash dhe koalicionesh politike, që mendojnë më shumë për vend e për popull se sa për vete, familje, për shokë e ortakë… Tejet e vështirë për një vend, popull dhe shoqëri me nivel të lartë mentaliteti  komunisto-socialist, lindor, ballkanik, “fshataresk” dhe nivel të ulët edukate demokratike, por jo edhe krejt e pamundur.

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Në të vërtetë është shumë shumë e vështirë që gadi ngjan e pamundur. Thënë kështu gjërat edhe për shumë vite do të shkojnë kështu, pra me ulje ngritje të pa përfillshme, dmth ulje të së keqes dhe ngritje të së mirës. Arsyet janë me shumicë dhe nuk është vendi që në një koment si ky të thuhen të gjitha, se duhet një libër i tërë. Por më duket se fillesat janë optimiste. Është reformimi i drejtësisë ajo që, nëse do të shkojë siç është projektuar, do të krijojë mundësi për pastrimin e politikës në të gjitha nivelet, por ajo që do të ketë më shumë rëndësi dhe impakt në jetën shoqërore, ajo në kupolën e saj. Kështu, ndoshta do të kemi një fillim të ri, dhe do të dilet nga kjo kënetë, që krijoi tranzicioni demokratik nën udhëheqjen e komunistëve të konvertuar në demokratë,
    dhe socialistë, me tesër, por jo me mentalitet. Gjithsesi, shpresa vdes e fundit dhe, më mirë vonë se kurrë.

    Përgjigju ↓