MILOSAO

Kur e bukura e resht të hidhurën

17:15 - 23.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ben Andoni – Kur shiu i një dite prilli u mundua t’ua bëjë sfidën e pamundur, koristët shkodranë të një formacioni “modest”, nuk e mallkuan qiellin, që u prishi atë mjedis të bukur krijuar me grupin sivëlla holandez. As nuk ankuan. Askujt nuk i treguan gishtin. U futën në sallën e provave dhe sëbashku me ta dhe spektatorët e pranishëm mbaruan “Lule Borën” e famshme, nën një zë të përbashkët me drejtimin e Zef Çobës, përshtatur profesionalisht për korin e dy grupeve në Shkodër. Këtë gjë kishte bërë dirigjenti i njohur edhe pak më parë me “Ave Marinë” (Javier Busto : 1949) e kështu me radhë.

Kjo ngjarje e këtij viti mund të jetë e panjohur për rrethet kinse elitare të muzikës, por jo për shpirtin e vërtetë të artistëve që performojnë dhe ndajnë mes tyre vlera artistike. Ndaj, ndodh që kompozitori Zef Çoba nuk bën shumë zhurmë apo të rrahi gjoksin që qytetit të vet i ka ndryshuar disi kahun monoton me iniciativën e vet. Thjesht, i ka marrë emrin e simbolit ose më qartë i ka kapur një qasje dhe atë ia ka blatuar një grupi simpatik, që më vite është rritur dhe po ndërton një histori të bukur. Në fakt, shoqata Miqtë e Muzikës “Rozafa Expression”, e cila filloi si një shkundje për gjendjen e pashpresë në Shkodër dhe harresën e artistëve tashmë është kthyer në sfidë për jetën artistike jo vetëm të qytetit. Po ndaj kujt vallë? Menefregizmit, monotonisë dhe humbjes së vlerave të qytetit të tij dhe ngado në vend. Mbase edhe vetë profesor Çobës në vitin 1999, kur e krijoi grupin, nuk i ka shkuar mëndja se potenciali human vokal mund të arrinte të thyejë gjendjen apatike, si ajo që e mban Shkodrën të ngërthyer prej dekadash. Pa shërim.
“Rozafa Ekspression”, sot, thjesht dhe pa bujë, krijon shfaqje, bën kontakte, hap gjeografinë e shfaqjeve dhe mësyn në sfida profesionale. Ajo që nisi si një angazhim modest tashmë është kthyer në një shfaqje profesionalizmi, ku këngëtarë e muzikantë të kualifikuar përshfaqin aktin më të lartë të përfaqësimit të tyre, si një detyrim qytetar e artistik të anëtarëve. Kjo e fundit e lidhur me realitetet artistike të ndërtuara mbi ekspresivitetin e vlerave muzikore, shprehet krijuesi i saj Çoba.
Siç ndodh në vendin tonë, ku vëmendja kapërthehet në gjërat sipërfaqësore, “Rozafa Ekspression” nuk shikohet ashtu si duhet pasi performon kudo free në vendin tonë, në vende që shumë refuzojnë t’u dëgjojnë dhe emrin e jo thjesht repertor shumë elitar me një përfaqësim profesionist të spikatur, por edhe arrijnë e përcjellin mesazhe të larta sociale të paqësisë dhe bashkëjetesës. E kurdo, pa zhurmë, por me angazhimin e madh për të kapur majat e nivelit artistik.




Shoqata, tashmë, ka ngritur një strukturë që tregon mëtimet e mëdha: Ajo mbart plot katër seksione: Korin e të rriturve “Rozafa Expression”, grupin vokal “Loja e notave muzikore”, për formimin muzikor të fëmijëve dhe të rinjve, seksionin “Në lulishten e këngës shkodrane” për edukimin e këngëtarëve të rinj dhe seksionin “Miqtë e Muzikës”.
Fryma e grupit duket se mbahet nga tradita jashtëzakonisht e madhe e qytetit, që organizatori i saj e ka të vendosur në themel të ekzistencës së grupit. Nga ana tjetër, në këtë grup kemi dhe përfutjen e vlerave më të thella që janë krijuar pas viteve ’90.
Por edhe njëherë duam të theksojmë sesa më i fortë të jetë tharmi artistik dhe përthithja dhe bashkësia e vlerave, aq më i fortë është edhe fryma e grupit. Ky është ai elementi, që këtë grup të këndshëm prestigjioz sot e ka bërë të ngrejë shumë reputacion dhe mbi të gjitha të përfaqësojë vendin në aktivitete të ndryshme, ku parametrat artistikë janë në të njëjtin nivel me rëndesën e aktiviteteve.
Në këtë frymë, repertori këtij grupi mbart shumë këngë tradicionale Shqiptare, përpunime, por edhe vepra të zgjedhura nga muzika korale e stileve, epokave dhe vendeve të ndryshme.

Për t’u përmendur, mund të konsiderohet edhe një nga arritjet e këtij formacioni. Qysh nga 21 qershori i vitit 2007 në Ditën Ndërkombëtare të Muzikës, shoqata “ROZAFA EXPRESSION” organizon Festën “VIVA LA MUSICA”. Dhe, arritja e këtij grupi është se ka krijuar një traditë dhe zhvillohet çdo vit në formën e një Koncerti jo vetëm me pjesëmarrjen e solistëve, korit, grupit vokal të fëmijëve “LOJA E NOTAVE MUZIKORE”. Në fakt, kjo është e pamjaftë pa paraqitur edhe elementë të tjerë të njohur, që lidhen me kontributin e shfaqjeve të lira për grupe të ndryshme shoqërore dhe mjediset shumë sociale që janë krijuar, duke bërë atë që muzika di të bëjë më mirë: paqtimin dhe ngritjen e shpirtit në lartësi të bukura. Dhe, në një botë ku e keqja pothuaj ka pushtetin, muzika dhe interpretimi i këtij grupi bëjnë luftën e tyre për ta mposhtur…Pa bujë. Modestisht. Bukur. Dhe, me shumë profesionalizëm.

Për grupin

Kryetar i shoqatës është dirigjenti dhe kompozitori i njohur prof. Zef Çoba, i cili ka një kontribut të çmuar në jetën artistike e muzikore. Ai ka kompozuar vepra e pjesë të ndryshme vokale e instrumentale, muzikën e 16 filmave artistikë, muzikë për teatër, këngë në stil të traditës qytetare shkodrane, për fëmijë etj., shumë prej të cilave kanë fituar popullaritet absolut. Një cikël me romanca vokale të titulluar “Kënga e njeriut”; ciklin me këngë korale për fëmijë “E drejta dhe e shtrembra”, përpunime, etj. Është pedagog pranë Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Arteve Tiranë në lëndët Dirigjim Koral, Këndim Koral dhe Muzikë dhome, dirigjent i Korit të Kishës së Shën Françeskut- Gjuhadol (Shkodër).
Shoqata, e në veçanti kori i të rriturve, ka organizuar shumë aktivitete e ka marrë pjesë me sukses në Festivale Ndërkombëtare të koreve brenda dhe jashtë vendit, ndër të cilët veçojmë: në Shqipëri (Tiranë 2000, Shkodra Jazz 2007, Tiranë 2009); Greqi (Andros 2000, Karditsa 2000, 2013), Mali i zi (Cetinje 2000, Tuz 2007, Tuz 2018 Ulqin 2016); Itali (Avola -2000, Vibo Valentia- 2001, Ripatransone-2007, Svigliano, Cuneo, Saluzo 2009, Assisi 2014); Maqedoni(Tetovë 2007, Tetovë 2009, Tetovë 2011, Tetovë 2013, Tetovë 2014, Tetovë 2015, Tetovë 2016, Tetovë 2017), Shkup(2018); Serbi(Kragujevac 2011, Negotin 2018); Kosove (Gjakove 2014, Gjakove 2015, Gjakove 2017); Austri(Graz 2017); turne koncertesh në qendra të ndryshme të Napolit(Itali 2007). Premiera e koncerte në qytetet e Shkodres, Tiranës, Durrësit, Korçës, si dhe mjaft shfaqje e koncerte festive përvjetorësh, në Shkolla, Azile, Shtëpi fëmijësh, Spital, Burg etj.
Eksperienca e Shoqatës Miqtë e Muzikës “Rozafa Expression” ka shërbyer edhe për dirigjentët e rinj studentë të Universitetit te Arteve Tiranë, të cilët kanë mbrojtur diplomën me koncerte të përgatitura nga Kori.
Falë bashkëpunimit me Shoqatën “AUSTRIA – ALBANIA PARTNERSCHAFT MARIANNE GRAF + TEAM”, Shoqata “ROZAFA EXPRESSION” ka “QENDREN E KENDIMIT KORAL” me Sallën e aktiviteteve dhe Koncerteve, mjediset e punës përgatitore etj.
Realizimi me sukses i aktivitetit të Shoqatës “Miqtë e muzikës Rozafa Expression”, është bërë i mundur falë punës humane dhe të palodhur e me pasion të anëtarëve të shoqatës, kontributit të tyre si dhe kontributit të çmuar të donatorëve, sponsorëve e dashamirësve të saj, mbështetja e të cilëve ka qenë dhe është një inkurajim i madh, në të mirë të gjallërimit e konsolidimit të jetës kulturore e artistike në vend, si dhe dialogut ndërmjet kulturave e popujve të ndryshëm.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.