MILOSAO

Pjergulla në kupë

15:15 - 23.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Demir Gjergji




40 VJET
Ajo pa në ëndërr veten e pas 40 vjetëve dhe qeshi me lot.
Ai pa në foto veten e para 40 vjetëve dhe qau me lot.
Lotët; të kthjellët, të njelmët, të ngrohtë!

PRESPA
-Iu gjet një poeti të vrarë “në tentativë arratisjeje”.-
Prespë me ujdhesë në mes,
Andej vesë, këtej dënesë!
Natë e zezë leh steresë…
Pres pa shpresë një bukurezë,
Përmbi dallgë një xixë të ndezë.
Prespë, ujanë e pabesë,
Prerë me tre kufij tri pjesë…
Vijnë ëndrra, mjegull, shpezë,
Shkojnë shira pa kujtesë…
Ja të dal matanë, ja vdes!

ARSYE
Arsye!
Më flak ndër yje,
Nga Qendra e Tokës,
Matanë kohës.
Arsye!
Më lidh si nyje,
Për bosht të Botës,
Me fill të aortës.
Më grind me qenien,
Më tremb me vdekjen,
Arsye!

TI, PAS 100 VJETËSH
Gjithë ajo udhë…
Dhe farëra lulesh, që ngrihen në shtjellë,
Dhe flatrat e bardha të borës për qiell,
Dhe akuarelet e përlotur të reve pastaj,
Dhe flakët e gjelbra të pyjeve në pllajë,
Dhe flurudha fazanësh, dhe fërfërima fluturash,
Dhe psherëtima shirash, dhe prehje tej fushash,
Dhe mbërritje të përgjumura mbrëmjesh e ujërash,
Flijohen tunelit të kujtesës pa ngjarje,
Për ninëzën e syrit Tënd, që ende pret në dalje.

PAS FLUTURIMIT
Zogu fle, i mundur nga nata,
Me kryet fshehur thellë, nën flatra,
Të mos i ikin ëndrrat e kaltra.
TE NËNA
Përsëri,
Te guri gri
Ndez qiri,
Jo për dritë,
Rit
E shpirt.
Një qiri,-
Yllësi
Në Gjithësi.

VALSI I FUNDIT
Lundër kundër thundrës së shkumës
Në valsin e mbramë mbi valë.
E lirë si gjethja në frymë të furtunës,
Pa busull, timon, pa yll polar…
S’ka brigje për të, s’ka mbërritje, spirancë.
Fundi në fundin e detit e pret…
Dalldiset mbi dallgë, përhumbet në vals,
Pa pyetur për nesër, për busull e breg.

VALBONA
-Çnderimi i lumit-
Të virgjër,
Me fjongon e vet e lidhën…
Nga mesi i territ i thirrën:
-Shtrigë,
Lëri orgjitë
Me trill
E prill!
Dritë
Në pritë
Pill!

PA SYTË
Ja tek je,
Flakëz fryme që fik shandanë,
Si atëherë, matanë,
Kur sytë e mi s’të panë!
Ja tek jam,
I sapolindur në çastin e mbramë…
Po sytë e tu…
Oh, sytë e tu, ku janë?!

***
Nën të njëjtin diell,
Shuhem në terr,
Digjesh në dritë!

…DHE PASTAJ…
Hë për hë,
S’je asgjë…
Mbase nesër do të shfaqesh
Avull nëpër frymë të algave,
Brerore bore përmbi male,
Flatër ëndrre pas mesnate,
Pikël-zë në strehëz jave.
Dhe pastaj,
Veç kësaj,
Kur të kthehesh në mungesë që të dhemb,
Edhe helm, edhe melhem,
Unë s’di se ç’do të jem,
Nëpër asgjësimin tënd!
GJYSMËFLUTURIM
2006* shpendë i futën të gjallë në dheun e lagësht!
Një flatër,
Vetëm një flatër
Përplasej furishëm mbi varrin makabër…
E dinte veten në qiell të kaltër
Dhe shoqen thërriste,
Të dilte prej baltës.
————
*) Numri përkon me Vitin e H5N1 në Shqipëri.

MBËRRITE ME MBRËMJEN
Në sekondën e fundit të ditës së parë të vjeshtës,
Erdhe të më sjellësh
Atë që s’ma sollën gjithë vitet e jetës.

GJENDJE GJUMI
1.
Më shtroi nëna të flija,
Fjeta, siç flenë fëmija.
2.
Më shtroi bija të flija,
Fjeta si vetë Perëndia.
3.
Ti më shtr(i)ove të flija,
Fjeta sa fle dashuria.
4.
Më vuri Zoti të flija,
Fjeta sa rron Gjithësia.
5 ËNDRRAT E 1001 NETËVE
Pëllumb në gjumë
Si zog e zunë,
Përfund e vunë
Me mund e dhunë.
Pas gjurmësh, gjithkah,
Te ëndrrat që pa,
Në jetën kaba,
Veç frika s’iu nda.
Ëndrra I:
-Ati-
Hapin e vogël, çapin e lehtë,
Këmbë e rëndë egër e ndjek.
Inati, xhelati dhe Ati,
Fantazma në të bardha,
S’i ndahen nga prapa.
Poshtë në bosh, i ngrati,
Lart, në breg, i(n)ati.
Asnjë strehë a ndihmë…
Në zgjim gjen shpëtim.
Refren:
1001 net,
Kjo ëndërr e ndjek!
Ëndrra II:
-Burgu-
Përtej kufijsh, në tjetër dhè,
I mundur, më në fund po fle.
Me tmerr sheh veten përsëri,
Në mëmëdheun-burg të tij.
Si me konop, në fëmijëri,
Shtrënguar egër me kufij.
Nga ëndrra del, i lumtur sheh
Vetveten prapë në njerkë-dhè.
Refren:
1001 net,
Kjo ëndërr e ndjek!
Ëndrra III:
-Fundi-
Në majë të natës,
Në fund të gjumit,
Me frikë prej majës,
Me tmerr prej fundit.
Refren:
1001 net,
Kjo ëndërr e ndjek!
Ëndrra IV:
-Qentë-
Lehin qentë e mprehin dhëmbët,
Nga pas i vijnë këmba-këmbës.
Prej frikës ëndrra e braktis,
Plagët lë në shpirt e mish.
Refren:
1001 net,
Kjo ëndërr e ndjek!
Ëndrra V:
-Orbitat-
Në hapësirë, në gjumë të thellë,
Orbitat ndjek me tmerr në qiell:
Në tjetër udhë shkon hënë e vonë,
Dielli del nga perëndon.
Kiameti ende po vonon!
Refren:
1001 net,
Kjo ëndërr e ndjek!
Finale:
1001 netët ikën…
Frika s’e njeh më frikën!
Dhe dita zbardh,
Në Gjumë të Madh!
LARG FËMIJËRISË
Fara e shkundur në dheun e mirë,
Ka dhjetëra vjet që fle e mpirë…
Ende s’ka mbirë.
Gracka që ngreha atëherë, atë verë,
U shkel nga drerë, skifterë e korrierë,
S’u shkreh asnjëherë.
Kokrrat që lidhën motit ullinjtë,
Përcollën dasmorë, pritën stuhinë…
Ende degëve nxijnë.
Udhës së ëndrrës u nisa të vij.
Rashë në grackën, që ngrita fëmijë,
U shpova nga gjembi i farës së mbirë,
Më zgjoi një thinjë,
Nën drurët e blertë, në brinjë.
FANTAZI PËR SELFIE
Në klimë të ligë,
Një shpirt fisnik,
Banon me frikë
Në trup armik.
Pusia, që ngriti për vete, e ndali.
Arma, që zemrës ia shkrepi, s’e fali.
Në trupin e huaj, plumbi
U ftoh e udhën e humbi.
Në klimë të ligë,
Një shpirt u fik…
Po shkon mbi vig.

MË MËSO!
Më mëso ta dëgjoj zërin tim nga buzët e tua,
Që ta dish, ta besosh, se ç’përmbys te burri një grua.

VEPËR ARTI
Ideja ishte e rrënjës:
Të ikte, të arratisej nga sytë këmbët
Prej trungut…
Dhe kështu do të nisë akti i krijimit të bukur:
Degët pa lejlekët do t’i thajë etja,
Gjethet që do mbeten, hijshëm do të zverdhen.
Lëkura, gravura-gravura,
Mbi trungun, ku befas do shfaqet skulptura
Skalitur me dalta zhuzhakësh e thneglash,
Mes shirash, thatësirash, blerimesh e erërash.
Do të vijë çasti, do të ndrijë fati,
Për drurin e ngratë, tashmë vepër arti:
Në mes të sallonit që pret vizitorë,
Mes luksit, nën blice, nën sy e projektorë,
Do të ngrihet lart, i thatë, jetëgjatë ky dru madhështor!
AH, TI!
As kyç, as pranga s’të kam vënë,
As urdhër, që të jesh e imja,
Por lidhur je, në degë e rrënjë,
Me fatin tim, ndodhitë e mia.
Të tjera hije të mbulojnë,
Në tjetër shtrat bën gjumë e zgjohesh,
Po ndërsa mbjell një dorëzonjë,
Sheh larg, mos shfaqem horizontesh.
Me sytë nga udha, gjoksin mbush,
Me gjithë erërat, që të fryjnë
E mendjen s’ta kthen dot askush,
Që s’është në to e imja frymë.
Frymëmarrja ime psherëtin.
Sakaq ti nis ta kthesh në fjalë:
”I miri im! Mëkati im!
Sëmbimi im… Ti, mall e djall!”
Të tjera mbrëmje, vijnë të fshehin,
Të tjera buzë të japin puthje,
Tek natën shtyn e pret mëngjesin,
Pas lotit, vështron udhën tutje…
KORBAT MBI PRIZREN
Hapet goja e mbrëmjes për gjumë.
Nga shekujt e shkuar si shkrumb
Korbat ngrihen tufë mbi turmë…
Pëllumba të butë gjithkund.
Pa nisje, pa mbërritje, pa zhurmë e pa gjurmë,
Me kokën tënde të bukur mbi gjunjë,
Rroj çastin fatlumë.

VARRIMI I BEKIM FEMIUT
– Një prizrenas: “Para vetëvrasjes, e pat lënë me fjalë, që trupin e pajetë t’ia digjnin e hirin ta hidhnin në Lumbardh.”-
Sa herë në varr pat hyrë e dalë
Dhe prapë, i gjallë ndër të gjallë!
Mbi valë ia mban Lumbardhi hirin
E rrjedh drejt detesh, t’ia gjejë shpirtin.
HAMLET!
-Status i Ofelisë në facebook-
Fshehur fjalëve frymë dhamë,
Shfaqur syve ters u ndamë,
Dy fatzinj në famë e flamë,
Unë, mesnatë e ti, fantazmë.

FATOS ARAPIT
Vdekja dhemb në jetë,
Mjaft rënkove: Oh!
Ngujohu i qetë,
Në arkëmortin kohë!
Ditëvdekje, 11 e vjeshtës II, 2018

LEXIM BIBLE
Mbi dyllin e tyre qirinjtë,
Më këmbë ndriçojnë për meshë,
Të ngrenë krye nuk dinë,
Mbi dorën që erdhi t’i ndezë.
Ashtu ndaj vdekjes njeriu.
Nuk bëri kurrë protestë,
Ku flaka e fatit i priu,
Shtegtoi në mort e në festë.

TRINI E
PANDRYSHUESHME
ME FINALE
Uji, po ai,
I paranjeriut,
Ndonëse njeriu,
E piu,
E ngriu,
E shkriu,
E nxiu.

Zjarri, po ai,
Si në gjenezë,
Para rrufesë,
Ndonëse u ndez,
Nga brezi në brez,
Si gjëmë e zezë,
A si mëngjes.

Guri, po ai,
I parajetës,
Ndonëse jeta,
E gdhendi
E trembi,
E shembi
Nga vendi.

Dhe Ti, po a-jo…
As po, as jo,
Ndonëse të ngjalla,
Te fjala
Të shpalla,
Në mall të kalla
Si në përralla.

CIKËL I MBYLLUR
Im bir,
E këputi frutin e mëkatit,
Që s’munda ta arrij.
Ime bijë,
Sheh poshtë
Të sajën foshnjë.
Më rrallë së larti,
Nga i ati.
Paskëtaj,
As majë,
As maj,
As skaj.
Atlas vëllai,
Lërma Globin, ta mbaj!

URDHËRORE
Hesht e mos u duk,
Të të ndjej si ujk!
KUFIRI
Në ikjen tënde nis dëshira,
Siç koha lind, ku vdes hapësira.

ROJA
Plaçkë të vjedhur më vunë të ruaj,
Shpërblimin ma zhvatën hajnat e huaj!

SHAMPANJË
Ishin të gjitha për festën:
Parfumet, kostumet, tangot e tangat…
Shampanjës s’ia ndjenim mungesën.
(Kujt iu kujtua shampanja?!)
Atë çast më pe edhe qeshe,
Salla si shishe shampanje u shkund…
Ç’më duhej më shumë,
Se ajo shkumë,
Atë të shtunë?!
BARKA NË BREG
-Sërish për Ty-
Pas gurëve të zinj e lidhur me cimë
Si i dehuri penguar për hije të vet,
Në ankth e në tmerr i lutet për ndihmë,
Hapësirës detare, ku fati e pret.

LUNDËRTARI
Një jetë në det.
Vonë,
Në fundin e vet,
Ia njohu rreziqet.
Tërhiqet,
Kur s’i duhen më brigjet.

LETËRSI BURGU
Vijnë zbathur virgjëreshat,
Udha ikën si kometë.
Fusha hapet, hapet, hapet
Tej në det.
Krejt si bimët, shkrim i imët,
Nëpër fletë.
Bëje frymën fjalë, poet,
Çliroje qelinë e shkretë!

HIJA E MURIT
Mëngjeseve
Shkon lirishtave,
Ngjitet brigjeve,
Shkel rrezeve,
Ndalet në sytë e saj të zinj,
Andej.
Mbrëmjeve
Prangë lidhet,
Gjymtyrëve të tij,
Këndej.
Muri,
Gur pas guri,
Shpuar shpirtrash,
Tejetej!

ARRATI
Tabutë, frenat dhe rreshtat,
Nenet, kodet dhe teshat,
Prangat, morali, proverbat,
Skemat, skenat dhe skedat,
Vulat, urdhrat dhe shenjat,
Masat, madje edhe rrenat,
Oraret… Të tjerat si të tjerat,
Bashkojnë fuqitë e verbra,
Të t’i shkopsitin sumbullat e sermëta,
Të t’i thyejnë burgjet e errëta!

GJETHJA
1.
Gjuhëz e gjelbër puhize,
Nga bisk i mështeknës në pllajë!
I thirre dimrit të shkrijë,
I fole vjollcës të mbijë,
E ftove qyqen të vijë,
Pa ditur asgjë për stuhinë,
Që do të të flakë një ditë…
Mbi rrezet lidhe një linjë,
Mes meje dhe yllit të Saj.
2.
Gjethe e tharë vetmie,
Trishtimit të vjeshtës jetime,
Nën hapa të lumtura bie
E shkelesh pa dashje, pa faj,
Ndërsa mështekna në pllajë,
Sheh ëndrra të tjera me maj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.