MILOSAO

Princi arbër që tregoi familjen Kastrioti

15:40 - 23.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Aristotel Mici – Gjon Muzaka, i biri i despotit të principatës së Muzakajve, Gjin Muzaka, në vitin 1510 ka lënë me gjalljen e vet një gjenealogji të fisit të tij princëror. Vepra është e llojit të veçantë dhe e shkruar Italisht në kushtet e emigracionit. Kur Gjon Muzaka shkroi këtë “Memorie” ishte koha që po flitej për organizimin e një kryqëzate antiturke. Autori i saj ka pasur për qellim kryesor t`u tregonte bijve të tij kufijtë e principatës, që, po të ktheheshin rishtas në trojet e tyre pas ikjes së turqve, të dinin se ku i kishin trevat e krahinat, të cilat u përkisnin si trashëgim. Në të njëjtën kohë ai deshte t’u bënte të ditur trashëgimtarëve të tij edhe se me cilat familje të asaj kohe kishte pasur të bënte principata e tyre. Disa nga dyert e fiseve të mëdha, ku ata Muzakajt, kishin pasur lidhje krushqije, farë e fisnije dhe përzierje gjaku , kishin mbetur pa trashëgimtarë, kështu që tokat dhe pronat e tyre duhej t’u jepeshin bijve të tij. “Memoria” e Gjon Muzakës u zbulua për herë të parë nga historiani gjerman Karl Hopfi në bibliotekën Brankacine të Napolit në vitin 1863. Mbas 10 vjetësh ai e botoi të plotë në vitin 1873 në librin “Kronikat Greko-Romane [Chroniques Greco-Romane, – Berlin 1873”]




Kjo biografi fisnore e Gjon Muzakës ka një vlerë të jashtëzakonshme për të ndriçuar sa më mirë kohën e lavdishme të Skënderbeut. Dëshmitë historike të kësaj biografije janë realiste dhe të besueshme. Së pari se autori i kësaj gjenealogjije fisnore ka qenë bashkëkohës i Skënderbeut. Tok me të atin, Gjin Muzakën e më vonë, pas vdekjes së të atit, ai ka drejtuar principatën e Muzakajve deri sa iku në mërgim pas vitit 1479. Së dyti, ai ishte në rrethin fare e fisnor e miqësor të Skënderbeut. Andronika Kastrioti, e shoqja e Skënderbeut, ishte kushurira e parë e tij, nënën e saj, Maria Muzakën, ai e ka motrën e babait. Së treti ,Gjon Muzaka për vetë natyrën e shkrimit të tij nuk është idealizues e as panegjerist.
Zbulimi i kësaj memorie që dokumenton gjenealogjinë e fisit të Muzakajve, po që hedh dritë edhe mbi disa principata e krahina të Shqipërisë të kohës para pushtimit otoman, por edhe gjatë invazionit turk-otoman, tërhoqi vëmendjen e studiusve të kohës.

Pas Karl Hopfit këtë libër do ta analizojë dijetari J.G.Hahni në librin e tij “Udhëtim në viset e Drinit e të Vardarit”. Ky dokument shkrimor ka vlerë të veçantë për gjykimin realist të kohës heroike të kryetrimit shqiptar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Duke komentuar veprat, qe trajtojnë atë epokë të madhërishme, Fan Noli i radhit ato kështu:”Burimet letrare kryesore të historisë së Skënderbeut janë dy biografitë e tij të gjata prej Antivarasit dhe prej Barletit. Këto plotësohen nga dy biografi të shkurtra prej Dhimitër Frangut e Gjon Muzhaqit” [F. Noli vepra 4 – f 597]
Dhe kur flet konkretisht për veprën e Gjon Muzakës, Fan Noli arsyeton se “……biografia e tij ka më tepër vlerë se të tjerat, të cilat janë shkruar prej panegjeristësh” (Fan Noli -vepra 4 -faqia 599-viti 1989, Tiranë).

 

Tani këtë “Memorie” të Gjon Muzakës e kemi të përkthyer nga italishtja në shqip prej  Dhori Qiriazit, i cili deri vonë qe  i njohur kryesisht si poet lirik. Po me përkthimin e “Memories” së Gjon Muzakës, për surprizën e historianëve, ai u shfaq edhe si një studjues skrupulos e analist këmbëngulës i një vepre historike. Përveç përkthimit korrekt e me një gjuhë të përshtatur aq mirë pas origjinalit, Dhori Qiriazi ka meritën edhe për komentet e sqarimet e domosdoshme për ndriçimin e çështjeve historike në momente të ndryshme. Me gjykim realist dhe me kompetencë, me aq sa lejojnë kufijtë e një parathënieje, Dhori Qiriazi analizon dhe interpretimet e nxituara të Hopfit dhe Hahnit lidhur me Memorien e Gjon Muzakës, sidomos kur ata në mënyrë të pabazuar kanë identifikuar mbiemrat fisnor me etninë. Autori i parathënies fton linguistët që ta studjojnë këtë vepër edhe për anën gjuhësore, veçanërst për toponomastikën dhe dukuritë fonetike të tingujve të shqipes.
Duket qartë që informacioni kryesor që merr lexuesi nga kjo vepër është ai që ka të bëjë me kufijtë e principatës së Muzakajve, të cilat fillonin nga Myzeqeja ,Vlora, Kanina e Rexhina dhe mbaronin në Kostur, Ohër e Prespë. Po pretendimet për pronësitë e familjes e të fisit të tij Gjon Muzaka i sheh përtej kufijëve të principatës së vetë. Ai gjykon ashtu duke u mbështëtur edhe në prikat e lidhjeve midis krushqive për rastet, kur trashëgimtarët ishin vrarë a po zhdukur gjatë luftërave ose nga shuarja e vazhdimësisë së ndonjë trungu fisnor. Kështu është përshembull, kur ai do të futë brenda pronave të veta edhe Gjirokastrën e kështjellën e saj. “ Zonjë Kirana, gjyshja ime, qe e bija e Zot Gjon Zenevisit , Zot i Gjirokastrës dhe i vendit të lartpërmendur…kështu që na takon neve kjo tokë….të cilën Zonja Kirana , gjyshja ime , e pati prikë.(Memoria- f.38 ).
Po në këtë mënyrë arsyeton Gjon Muzaka edhe për zonat e Ohrit, Kaninën edhe Vlorën: “Dhe për më tepër ka një vend tjetër që i thonë qyteti i Ohrit…ky vend ishte i Zot Gropës, që pati për grua Zonjën Kirana, të bijën e dytë të Zot Andrea Muzakës dhe me që nuk la trashëgimtarë, na takon neve………Dhe ta dini ,bijtë e mi, siç kam thënë edhe më sipër, që mbreti Balsha ka pasur për grua Zonjën Komitë Muzaka, të bijën e vogël të Zot Andrea Muzakës, Despotit, nga të cilët u lind një vajzë, Rexhina, dhe kjo që e martuar me Markon, mbretin e Serbisë, së cilës Gjon Muzaka, vëllai i të përmendurës Komita, ia dha prikë të përmendurës Rexhinë Vlorën dhe Kaninën..Mirëpo më vonë kjo vdes pa lënë trashëgimtar,….bile nuk la trashëgimtar as e ëma, Komita, me mbret Balshën . Dhe tani, me që s`ka asnjë trashëgimtar prej tyre, shteti i përmendur i kthehet dhuruesit, kështu që ju takon juve dhe në këtë mënyrë kalon sipas së drejtës në domenet e shtëpisë së Muzakajve. – ( f.39).
Duke këshilluar të bijtë dhe nipërit e tij lidhur me trevat e kufijtë e mundshëm të principatës , Gjon Muzaka nuk harron të nënvizojë edhe ndonjë qendër me rëndësi të veçant ekonomike, siç ishte një minierë ari me vlera të çmuara për atë kohë në zonën e Tomorricës:
Shikoni, bijtë e mi, në vendin tonë të Tomorricës është një fshat me emrin Orkova, që ngrihet në cep të një mali dhe ky fshat, që përmenda ka një lumë, që kalon në anën tjetër dhe, midis fshatit dhe malit kalon një rrymë uji, dhe pranë kësaj rryme uji, karshi malit, është një damar ari, në origjinal (vena d’oro), ta mbani mend mirë se është toka jonë- (f.38).

Duke shkruar për trungun gjenealogjik të familjes së tij princërore e despotale, Gjon Muzaka, në të njëjtën kohë përpiqet të japë edhe gjendjen historike të Arbërisë së atëherëshme si edhe tatëpjetën e Perandorisë Bizantine. Me aq sa e lejonte kujtesa dhe ne rrethanat e mërgimit, ai kërkon të informojë në radhë të parë trashëgimtarët si dhe gjithë lexuesit për shfaqjet e sulmeve të para turke e deri tek betejat e mëdha të më vonëshme, që tronditën Përandorinë Bizantine, e cila po dobësohej edhe si pasojë e ambicjeve karrieriste për pushtet në elitën perandorake. “Dhe ta dini se si filloi shkatërrimi i Përandorisë së Kostandinopolit që qe edhe i yni, për shkak se qe një mosmarrëveshje midis Paleologut (Johan Paleologu V -1347-54 ) dhe Katakuzenit ( 1341-55 ), gjë që e shtyu Paleologun t`i kërkonte ndihmë Muratit, mbretit të turqve- ( f.19). (Bëhet fjalë për vitin 1354, pra kur në fron ish Orhani dhe jo Murati) ……

Ndër kohë ballkanasit, duke parë sulmet e parreshtura e të gjithë-anshme të ushtrisë turke, bën përpjekje të përbashkëta, për të përballuar rrezikun real, që po u kanosej. Kështu në vitin 1389 në Kosovë u bë një përplasje e madhe ndërluftuese, një betejë e përgjakshme midis aleatëve ballkanas dhe ushtrisë turke, që quhet në histori Lufta e Kosovës. “ Lazari, Despoti i Sërbisë dhe mbreti Marko i Bullgarisë, dhe Theodhor Muzaka i familjes sonë, dhe zotër të tjerë të Shqipërisë, u bashkuan dhe shkuan në betejë, ku të krishterët humbën dhe aty u vra i lartpërmënduri Theodhor (Muzaka), që kishte me vete një ushtri të madhe shqiptarësh.”…..Këtu do të fillonin luftra të vazhdueshme me turqit në Shqipëri. Theodhor Muzaka njihet historikisht kështu si dëshmor i parë I trevave arbërore në epopenë e gjatë të luftrave antiosmane.
Zot Andrea Muzakës, tim gjyshi, iu vërsul me një vrull të tillë Bajaziti dhe i mori një pjesë të Devollit dhe të Myzeqesë, të cilat ia mori prapë..(janë ngjarje të vitit 1394- shënimi ynë)…. Edhe Zot Gjini, im at dhe gjyshi juaj, e zotëroi shtetin atëror që përmendëm, pse edhe kur e humbi Myzeqenë, e mori prapë. (………………………) Zotërit e rinj të Shqipërisë u vranë të gjithë në luftë..Mbëtën gjallë këta zotër : Zot Aranit Komneni, Zot Gojko Balsha, Zotërit Nikollë e Pal Dukagjini, Zot Gjin Muzaka, im at, Zot Andrea Topia, Zot Pjetër Spani ( f.19 )

Në faqen 28 të “ Memories “ autori tregon për zanafillën e gjenealogjisë së tij. I pari i fisit del Andrea Mollosaku. Nga ai u lind Theodhor Muzaka Kishetësi (nënkupto -Këshetësi, ose Gërshetësi, sepse mbante flokët gërshet). Nga ky zot u lind Andrea Muzaka i dytë, që mundi bullgarët tek Mali i Peristerit dhe që perandori i Bizantit i dha titullin e despotit si dhe stemën me fushën e kuqe dhe me shqiponjën dy krenare në mes. Pastaj nga ky i lartpërmenduri Andrea Muzaka i dytë, Despot, u lindën tre bij dhe dy bija. Djemt ishin Gjini, Theodhori dhe i treti Stoja. Nga dy bijat, e para e kishte emrin Komita dhe e dyta Kirana. Bija e tij e parë pati për burrë mbret Balshën, i cili mbante në zotërim Shkodrën, Tivarin, Kotorin, Shebenikun…… vajza tjëtër Kirana pati për burrë zotin Gropa, zoti i Ohrit deri në Dibër.
Zot Gjinit të lartpërmëndur do t‘i lindin pesë bij. I pari e pati emrin Andrea [Andrea Muzaka i tretë-shenimi ynë]. Ky Zot Andrea i tretë pati dy bijë dhe dy bija. I pari e mori emrin Zot Gjini i dytë dhe i dyti Zot Theodhor Muzaka. Bija e parë e kishte emrin Maria dhe e dyta Zonja Helena. Ky i quajturi Zot Gjini i dytë pati për grua Zonjën Kirana, e cila ishte mbesë e Zot Pal Sevastokratit dhe prej të lartpërmendurit Zot Gjin kam lindur unë Gjoni. I lartpërmënduri Zot Theodhori i dytë…..u vra në luftë me Sulltanin ( në Luftën e Kosovës ) dhe nuk la trashëgimtar…………dhe Zonja Maria , motër e tim ati, e cila pati për burrë Zot Arianit Komnenin, që ishtë Zot i Çermënikës, i Mokrës dhe i Shpatit deri në lumin Devoll, që e ndan vendin e tij me të tonin. E dyta (motër) Zonja Helena, që thamë, që martuar më Zot Filipin që kishte një zotërim të madh në Raguzë. Nga Zonja Maria dhe Zot Arianit Komneni lindën tetë bija. E para u quajt Zonja Andronika…….bija e parë pati për burrë Zot Skënderbe Kastriotin. Nga kjo Zonja Andronika dhe Zot Skënderbeu u lind Zot Gjon Kastrioti , që qe Dukë i Shën-Pjetrit në Galatinë dhe ky i quajturi Zot Gjoni pati për grua Zonjën Dukeshë Erina Paleologa, që qe bijë e Zot Lazarit, Despot i Sërbisë dhe prej këtyre u lindën shumë fëmijë, po vetëm dy prej tyre mbetën gjallë; një djalë dhe një vajzë, princ Ferrant Kastrioti që është duk i Shën-Pjetrit dhe vajza e mban emërin Princesha Maria Kastrioti.(f.-32 ).

Në pleqërinë e tij të tellë, drejë vitit 1510, prince Gjon Muzaka vazhdon të meditoj për vendlindjen dhe sikur ëndërron që turqit do të largohen një ditë nga Arbëria. Me këtë shpresë në zemër, mendon t‘u bëj të tre djemëve edhe një testament, duke ua ndarë principatën me gjalljen e vet. Dhe ja se cfarë shkruan Gjon Muzaka në Memorien e tij:
Unë po jua ndaj principatën ju bijve të mij, Zoti, për mëshirë ua lëntë në dorë. Ty Zot Theodhori, që ke lindur i pari, të lë Beratin dhe të gjithë zotërimet e tij, të gjithë Myzeqenë dhe qytetin e Kaninës dhe zotërimet e saj dhe Skraparin.
Ty Zot Adriani të lë Tomorricën me të gjithë fshatrat, Serkën,Midhenjin dhe Serezin, edhe Dushkarin, Oparin dhe Lavdarin, Marianin dhe Voskopebecin dhe gjithashtu ç‘kuptohen, siç thashë me krahinën e Oparit, dhe të Lavdarit deri në fshatin Marian të lartpërmendur dhe gjithashtu të lë krahinën e Devollit të madh me qytetin e Korcës dhe fshatin Sovian.
Ty Zot Kostandini të lë gjithë krahinën e Devollit të vogël dhe qytetin e Kosturit, ose Kostories me gjithë fshatrat e tyre deri në Nostram që është një qytet i shkatrruar. (f.42)
Koha tregoi se shpresat e Princit Gjon Muzaka, që bijtë e tij të ktheheshin në trojet e tyre në Arbëri, nuk u realizuan. Po sidoqoftë, nga testamenti i tij dhe Memoria në përgjithësi, ne sot arrijmë të kutojmë realisht kufijtë e principatës së Muzakajve si dhe lidhjet , që kishin Muzakët me principatat e tjera dhe sidomos me kryeheroin Gjergj Kastrioti-Skënderbeun.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.