Show-Bizz

Aromë festash, rrëfehet Katerina Zoto: Ja çfarë është ‘in’ këtë sezon

16:37 - 26.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela Aliaj – Tashmë nëpër rrjetet sociale nuk shohim vetëm të njëjtat modele veshjesh, por edhe njerëz të ndryshëm që janë bërë ‘copy-paste’ i njëri-tjetrit dhe nuk po arrijmë më të dallojmë origjinalen. Për të na dhënë një opinion të sajin, sidomos duke qenë se jemi në atmosferë festash, në një intervistë për “Vip Pages” të “Gazeta Shqiptare”, stilistja Katerina Zoto na jep disa ide tepër të veçanta. Duke qenë se sot do të prezantojë edhe sfilatën e saj të parë me koleksionin 2018-2019, me veshje tepër klas e të veçanta, Katerina na jep sugjerime unike për këtë periudhë të vitit. Për më tepër në intervistën e mëposhtme.




Jeni një stiliste me një shije të veçantë mode dhe pedagoge në këtë fushë. Si nisi pasioni juaj për modën?
Faleminderit për intervistën dhe vëmendjen tuaj! Pasioni nisi pa vetëdije, duke u identifikuar nga të tjerët, duke ma vënë gjithmonë në dukje të veshurën ndryshe. Unë kam dashur gjithmonë të bëja një punë që të lidhte me skenën dhe sot pikërisht kjo është arsyeja pse punoj fort.

Në cilin lloj stili e gjeni më tepër veten?
Unë kam një stil që as vetë nuk ia di emrin, (qesh) sepse pak a shumë është si arti, që jo gjithmonë shpjegohet. Unë kam një stil romantik të kombinuar me nota mashkullore.

Së shpejti do të prezantoni edhe sfilatën tuaj të parë me veshje. Nga u frymëzuat për të dhe çfarë përfaqëson ajo për ju?
Në fakt, mora një ftesë nga bashkia për të sjellë një sfilatë në Korçë, si një talent i ri i Korçës, që mban gjallë traditën e të veshurit me sharm. Dhe njëkohësisht edhe nga komiteti “Kafe Muzeum” në Korçë, ku do të bëjmë një ‘fashion-party’ direkt pas sfilatës. Ftesa nga njerëzit bujarë të Korçës ma mbushi shpirtin shumë më tepër sepse është një sfilatë e organizuar nga vetë unë dhe jam tepër e nderuar për këtë.

A keni ndonjë muzë tek e cila frymëzoheni në veshjet tuaja?
Kam stilistë që më pëlqejnë tepër si psh., Enada At Nilolla. E adhuroj! (e kemi dhe korçare për më tepër) Por frymëzimi më vjen natyrshëm, nuk mund të them që frymëzohem nga stilistë të tjerë, më vjen frymëzimi edhe në gjumë.

Duke qenë se jemi në atmosferë festash, çfarë do të sugjeronit për mbrëmjet festive?
Sugjeroj një veshje që identifikon dhe nxjerr në pah një bukuri femërore të shëndetshme dmth., jo veshje të ekspozuara tepër dhe të parehatshme.

Cili është kombinimi më i mirë sipas jush në këtë stinë për të qenë i veshur ngrohtë, por edhe me stil?
Do të sugjeroja kostume të rehatshme me ndriçim, fustane me dantella e detaje të imta që nuk bëjnë zhurmë, por që tregojnë sofistikim. Pantallona klasike, këmishë, bluzë e gjatë, pra një veshje e shtreshëzuar, këpucë loafers (stil mashkullor), një pallto oversize dhe fjongo apo aksesorë me perla për flokët.

A ka ndryshuar mënyra e të veshurit te shqiptarët në dallim me disa vite me parë?
Ka ndryshuar edhe për mirë, edhe për keq. Për mirë shohim vajza të veshura sport, thjesht nëpër shkolla e në përditshmëri me pak taka, kurse ka ndryshuar pak për keq, sepse duke parë gjithë ditën kombinimet nëpër rrjete sociale, veçanërisht “Instagram” shohim shumë vajza njësoj të veshura, duke humbur identitetin e vet e duke u bërë kopje e njëra-tjetrës. Këtu mendoj se duhet të ndodhë një revolucion.

Si përfundim, mund të na thoni disa këshilla në mënyrën e të veshurit për këto ditë të ftohta? Çfarë është “in” më tepër sipas jush e çfarë duhet të “zhdukim” nga garderoba për këtë sezon?
Veshjet me materiale jocilësore duhet të zhduken nga garderoba. Jam e mendimit: më mirë 2 veshje të sakta e të pastra se sa shumë e për lumë. Veshjet ekstravagante shumë të ngushta e shumë të shkurtra me dekolte, shumë të hapura për mua janë të shëmtuara. Është ‘in’ çdo gjë për ata që dinë të kombinohen dhe kanë guxim. Moda kohët e fundit na servir shumë gjëra. Vetë ne jemi përzgjedhës. Mendoj që idealja është që në garderobë të kemi veshje stili, të cilat duken bukur dhe në përditshmëri dhe për neve të vetëm duke luajtur me këpucët, aksesoret dhe “make up”-in, sepse gjërat stil kanë prerje interesante, shpeshherë të çuditshme dhe na bëjnë të dukemi bukur kudo jemi. Dua t’u kujtoj lexuesve që ka ikur koha e të rënit në sy dhe të dukurit kilometra larg. Thjeshtësia dhe klasi fiton pikë! Por sigurisht kur flasim për gjëra të thjeshta duhet të jenë tepër cilësore që të jenë në nivelin e duhur.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.