Show-Bizz

Lamar Al-Koismi: Shqipëria më jep inspirim të bëj muzikë, repi më zgjodhi mua

13:10 - 27.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Ajo është një vajzë 23-vjeçare nga Maroku, që ka pasur ëndërr të hyjë në botën e muzikës. Bijë e një familjeje intelektualësh, me të atin profesor matematike dhe të ëmën sekretare të Mbretit të Marokut, Lamar Al- Koismi ka kryer studimet e larta për Inxhinieri-Elektronike, megjithëse nuk e ka ushtruar si profesion, duke ndjekur rrugën drejt artit. Jeta e saj është mes Italisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë, ku jo pak herë është pjesë e mbrëmjeve të ndryshme festive. Me një bukuri orientale dhe zë tejet të veçantë, Lamar ka mundur të rrëmbejë zemrat e të gjithëve. Bukuroshja ka arritur një numër ndjekësish të lartë në rrjetet sociale, si dhe ka audiencë të lartë në vendet ku performon. Pasi realizoi dy bashkëpunime të suksesshme, Al-Koismi vjen vetëm me një “artileri të rëndë” në trendin më të fundit të muzikës, që ka përfshirë vajzat, rep. Lamar në një intervistë për “Gazeta shqiptare” na tregon për projektin e fundit, pse zgjodhi Shqipërinë për t’u afirmuar, bashkëpunimet, sa ka ndryshuar jeta e saj që kur ka famë, mungesën e familjes, si dhe planet për të ardhmen. “Next” titullohet kënga e saj, ku është edhe producente. Teksti i këngës është një miks mes anglishtes dhe shqipes, që i jep ritëm të veçantë zërit të bukuroshes. Me këtë produksion muzikor artistja do t’ju tregojë të gjithëve se si bëhet repi i mirëfilltë. Tashmë ajo vetëquhet “Quen of Rap”.




Pse zgjodhe tregun muzikor në Shqipëri për t’u promovuar?
Pikësëpari, nuk ishte një zgjedhje, ishte e shkruar. Së dyti, Shqipëria është një nga vendet me muzikën më të mirë në Ballkan dhe unë jam e prirur të shkoj drejt më të mirës!

Cila është ajo gjë që të diferencon nga këngëtaret e tjera?
Unë po bëj rep amerikan, jo rap të zakonshëm dhe nuk jemi e njëjta origjinë, nuk kemi të njëjtin stil. Janë shumë, shumë gjëra që më dallojnë.

Repi po preferohet masivisht nga femrat. Pse Lamari zgjodhi këtë rrymë?
Po, e vërtetë. Mua për shembull më pëlqen Niki Minazh, më pëlqejnë tekstet e saj. Nuk është se e zgjodha unë këtë rrymë, mund të them se kjo rrymë më zgjodhi mua, sepse unë flas për stilin e jetës, jetën e vështirë, gjërat që ndodhin, të mos kesh limite, pra të prekësh sa më shumë çështjet sociale, sepse kështu pëlqehesh. Është e gjitha intuitë.

Çfarë të pëlqen më shumë nga Shqipëria?
Te Shqipëria më pëlqen natyra, sepse më jep inspirim të bëj muzikë si dhe fakti që kemi shumë gatime të ngjashme me vendin nga vij unë.

Sa ka ndryshuar jeta jote që nga momenti që i ke hyrë muzikës?
Nuk mund të them se ndryshoi diçka, thjesht u bëra më shumë vetvetja, mu rrit më shumë vetëbesimi, vetëvlerësimi. Industria e muzikës është sa e bukur, aq edhe e vështirë për të qëndruar vetëm falë talentit. Ndonjëherë duhet të sakrifikosh shumë gjëra e madje të shesësh edhe veten, siç bëjnë shumë. Kështu që ose duhet të bësh si turma, ose të jesh e fortë dhe ndjekësh rrugën tënde, sipas mënyrës tënde dhe unë kam zgjedhur të dytën.

“Next” është kënga jote e fundit e publikuar disa ditë më parë. Kujt i kushtohet?
Nuk është se i kushtohet dikujt në veçanti. Jam treguar pak e ashpër në tekstin tim, sepse kënga është një ‘diss’ për ata që mundohen të më ulin poshtë, për ata që nuk duan që unë të bëj karrierën time, për të gjithë ata që duan të marrin nga unë dhe tentojnë të më pengojnë. Kështu që kush e gjen veten, i kushtohet. Është një ‘diss’ i përgjithshëm.

Cilat janë pritshmëritë e tua për projektin e fundit?
Nuk është se unë pres gjithçka. Unë e kam arritur objektivin tim. Shumë shqiptarë e kanë dëgjuar dhe pëlqyer këngën time. Shumë njerëz më kanë shkruar, duke më uruar. Kjo më motivon, më shtyn mua të vazhdoj prapë, të tregoj se çfarë mund të bëj.

Sa e përdor frymën e ‘diss’-eve?
Rep-i në vetvete është një diss, ndaj është e pranishme fryma. Por më shumë ka të bëjë me gjendjen tënde, kështu që herës tjetër mund të këndoj për dashurinë, pra gjithçka varet nga gjendja ime. Nuk është gjithmonë ‘diss’.

Bashkëpunimi me Fifin ka rezultuar mjaft i suksesshëm. Do kesh bashkëpunime me artistë të tjerë?
Në fakt, pas këngës me Fiffin nuk kam pranuar asnjë bashkëpunim, pasi kënga me Fiffin mua nuk më solli asnjë përfitim si material, ashtu edhe moral. Pas disa këngësh, unë do të kem bashkëpunime me artistë ndërkombëtarë, ndoshta dhe shqiptarë, por njëherë dua të punoj vetëm, të tregoj stilin tim, çfarë mendoj, çfarë mund të bëj, të tregoj kapacitetin tim në muzikë dhe pastaj të bëj bashkëpunime.

Çfarë të mungon më shumë nga Maroku?
Unë jam marokene dhe jam krenare për origjinën time, e dua shumë Marokon. Por familja ime ndodhet në Europë, kështu që më mungon më tepër të shkoj dhe të takoj familjen.

Planet që ke për të ardhmen?
Kam shumë projekte, shumë këngë do dalin njëra pas tjetrës, ndërkohë unë po punoj dhe për albumin tim. Kështu që rrini në pritje, gjëra të reja po vijnë!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.