OPINION

Kush e do më shumë Shqipërinë se Partinë me 7 Janar duhet tu bashkohet protestave studentore

07:15 - 07.01.19 Bislim Ahmetaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Që me 5 Dhjetor, kur studentët “befasisht” protestuan në një formë që ia kishim harruar shijen, kam qënë në mbështetje të protestës së studentëve jo vetëm fizikisht por edhe moralisht dhe psikologjikisht. E kam shprehur edhe në fjalime që kam mbajtur para kryeministrisë, edhe në rrjetet sociale edhe në rrethin e miqve të mi pedagog, artistë dhe njerëz të zakomshëm. I kam mbështetur si prind, si pedagog në njërin prej universiteteve publike të vendit, si njëri I angazhuar dhe si njeri I revoltuar me realitetin dëshpërues që po përjetojmë si qytetarë, si shtetas, si intelektual. I kam mbështetur si prind i dy djemve student që me mish e me shpirt jam munduar ti mbaj të lidhur me Shqipërinë, ti mbaj jo vetëm të lidhur me Atdheun por ti mbaj akoma në Shqipëri. Studentëve u dhimbset Shqipëria, e cila si pasojë e politikave korruptive dhe antishqiptare të ndjekura nga qeverisja e sotme, po shndërrohet me shpejtësinë e dritës në një azil gjigand pleqsh.




Pedagogët e universiteteve publike duhet ti mbështesin studentët e tyre, pasi në këto institucione edukative e formuese kemi gjetur vullnetin, dëshirën, angazhimin, përpjekjen, këmbënguljen, sakrificën e studentëve dhe stafit akademik për të bërë maksimumin e angazhimit për të dhënë më të mirën e mundëshme por, edhe pamundësinë për t’ia arritur kësaj. Pikësëpari për shkak të mungesës së vizionit politik të qeverive që kanë shoqëruar tranzicionit e gjatë të vendit për vlerësimin e arësimit si njëri prej kyçeve të zhvillimit të qëndruedhëm të një shoqërie moderne. Së dyti të një ligji abstrakt, krejtësisht të pazbatueshëm dhe arbitrar të arësimit të lartë, i pa sintonuar me nivelet e tjera të arësimit. E gjithë reforma arsimore ka qënë një handikep si pothuaj gjithcka tjetër në këtë vend, por duke qënë se arësimi është “hapi i parë i zhvillimit dhe qëndryeshmërisë në zhvillim », reformat e tjera e kanë humbur rëndësinë që në vizion!

Gjendja e frikshme e Shqipërisë është prova e dështimit. Kam qënë skeptik për shumicën e reformave që ka marrë qeveria e “rilindjes së komunizmit” edhe për një arësye tjetër: frymezuesi, drejtuesi dhe analizuesi i rezultateve është një njëri i çmendur dhe pasionant jo ndaj shtetit, por ndaj pushtetit. Kësisoj ne si pedagog, studentë dhe prindër, pavarësisht energjive dhe pasionit, do ta kemi të vështirë të arrijmë ndonjë rezultat të kënaqshëm, sepse « fanari ynë ndriçues », ai që po udhëheq me sukses deshtimin e përpjekjeve tona, është i gatshëm të blejë edhe kryetarin e opozitës dhe jo dy apo tre ekspertë që merren me “prodhimin” e një ligji.

Ne duhet t’i mbështesim protestat e studentëve me besim dhe shpresëplotë si njerëz të angazhuar, si njerëz të lirë. Personalisht i kam mbështetur edhe nga pozicioni i drejtuesit të një organizatë idealistësh siç është Grupimi “Dhjetor ‘90”. I kam mbështetur dhe jam shpresëplotë në suksesin e protestës së studentëve si një njeri i revoltuar, pasi në këtë vend tranzicioni 28-vjecar ka goditur dhe i ka revoltuar të gjitha grupet e interesit, të cilat është e panevojshme ti përmend, pasi vetë revolta e studentëve të universiteteve publike që janë të paktën 140 mijë veta është sinteza më e plotë e tyre! Ata janë përfaqësuesit e 120 mijë familjeve që kanë së paku nga katër anëtarë që do të thotë as më shumë as më pak se gjysma e popullsisë që jeton në Shqipëri. Kjo protestë dëshmon edhe krizën e e thellë, në të cilën është zhytur klasa politike që prodhoi tranzicioni 28 vjeçar. Liria dhe demokracia që buruan nga Dhjetori i 90-ës janë shterruar plotësisht.

Jo se energjitë e çliruara ishin të kufizuara, por se ne, në atë kohë jo për fajin tonë, për dhjetëra arsye, i lëshuam filizat e lirisë në duar të pasigurta. Kjo është edhe një prej arësyeve, se pse bashkëpunëtorët e mi dhe unë, i kemi mbështetur me çdo mundësi Protestat e studentëve të Dhjetorit 2019! Studentët dhe protesta e tyre janë shans i vetëm për të bërë vetingun e politikës shqiptare, ata janë të vetmit që mund ta ngjallin shpresën, ne duhet dhe do t’i mbështesim, t’ju ofrojmë përvojën dhe ekspertizën tonë, që, të paktën, të mos përsërisin gabimet tona!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.