OPINION

Po mbledhim ca fonde, po kujt t’ia dërgojmë!?

07:20 - 08.01.19 Andon Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sipas traditës së kishës ortodokse autoqefale,  e nisur në diasporën e shqiptarëve të Amerikës një shekull më parë, më 16 mars, në Boston ku u mbajt kongresi i kishave shqiptare, në të cilën morën pjesë 190 delegatë, që përfaqësonin 52 kisha dhe bashkësi fetare  dhe ku Noli u dorëzua peshkop, ndërsa Kostë Çekrezi shqiptoi me zë të lartë fjalët në anglisht: “Dita e sotme ringjalli kishën e shenjtë të Ilirisë” dita e Ujit të bekuar, 6 Janari, i kushtohet mirëbërjes dhe ndihmës, filantropisë, kur njerëzit  ndihmojnë për rimëkëmbje, përparim dhe prosperitet duke derdhur në një arkë të quajtur “llaso”, fonde monetare për qëllimet e mësipërme.




Ndoshta për koincidencë, tamam në këtë ditë, më bie telefoni nga përtej oqeanit nga bashkëfshatarët që jetojnë e punojnë në Amerikë, të cilët më kërkonin që t’iu shkruaja disa radhë, në llojin e një kanunoreje, mbi bazën e të cilës, do hapnin një llogari bankarë për të mbledhur të ardhura për rregullimin e fshatit tonë, në lindje të Korçës.

– Ja do t’i mbledhim, por kujt t’ia dërgojmë?!

Në realitetin e pas viteve të demokracisë, në fshat, gjithnjë e më shumë, kanë mbetur vetëm pleq e plaka, prifti dhe Kryeplaku. Të rinj në moshën e punës,- sa gishtat e një dore.

Nisma të tilla, fort të pëlqyera për të ndihur vendlindjen, kanë bërë që të përmenden me lëvdata, në  meshën e prift Viktorit, në Ziçisht.

Në këtë 6 Janar, kujtoi dhe shoqërinë “Shën Trinia” të 1923-it, të themeluar po për këtë qëllim,- rindërtimin e fshatit. Kujtoi që pas këtij viti themelues, brenda pak kohësh, me mjetet monetare të grumbulluara,( sipas të dhënave të gazetës “Telegraf’’(1926)  shumat më të mëdha i dhanë kurbetçinjtë e Greqisë se sa ata të Amerikës, dhe ndaj të cilëve kishte goxha qejfmbetje) u ndërtuan të gjitha rrugët e fshatit me kalldrëm. U ngrit ndërtesa e shkollës dhe u martuan disa vajza të familjeve pa përkrahje.

Por le të kthehemi tek thelbi i të sotmes.

Ja mirë, do marrim ca para nga njerëzit tanë, sidomos ata që janë më në gjendje ekonomike, emigrantët,  por çdo bëjmë me to?! Fshati ka goxha nevojë për më shumë para nga sa mund të  dërgojnë bashkëfshatarët?!. Ka nevojë për investime në rrugët, sheshin, mbrojtjen e Lumit nga erozioni, por kush do ta vendosë radhën e tyre më të domosdoshme. Gjer tani, me mbështetjen e vete fshatarëve dhe me në krye priftin, kryeplakun  dhe dy tri burra në moshën e punës, janë ndërtuar çakallet dhe dy çezmat e fshatit, me punëtorë të ardhur nga fshatrat përreth, por sipas disave, kërraba ka tërhequr më shumë nga punë që mund të prisnin për më vonë, dhe rregullimi i urës treqindvjeçare me qemer, në mes të fshatit është urgjente…Mund të numëronim edhe plotë të tjera si mbrojtja e Lumit të madh dhe rregullimi i sheshit të fshatit si dikur me piste vallëzimi rrethuar nga shelgjet lotues, por edhe këto mund të rezultojnë subjektive?!

Emigrantët tanë janë plot mall dhe sy e veshë ndaj jetës së fshatit, dhe do donin  të shihnin se kontributet e tyre u përdorën mirë dhe me efikasitet.. Mundësia e koordinimit të dëshirave të tyre me një përkujdesje të pushtetit vendor do ishte një nga gjërat më të mira. Tani, pas gati tri dekadave,  Vendori  është shumë më i konsoliduar dhe do ndihmonte edhe vetë në këto punë. Si me fonde, por edhe me projekte dhe logjistikë të dobishme. Më prezencën e vet, do bënte që kërraba e atyre që jetojnë në fshat dhe ju tërheq nga vetja për të shtruar rrugicën përpara portës dhe ndrequr avllinë, do mbetej varur në gozhdë?! Them kështu dhe sërish më vjen ndër mend një kohë e shkuar, kur dardharët kurbetçinj në Amerikë, vetëm pak më tej se zicishtarët e mi, më 1918, mblodhën aq para sa të ndërtonin shkollën e fshatit, që është dhe sot e kësaj dite ndërtesa më e madhe dhe me e bukur e Dardhës. Në fshat, fondet e mbledhura ia besuan Vangjelit, ndër të vetmit që pat mbetur në fshat. I dhanë edhe një defter dhe e mësuan të mbante llogaritë për paratë që do shpenzonte e në do të duheshin të tjera, dardharët mërgimtarë, ishin gati.

Dhe Vangjeli, si i justifikoi gjysmat e fondeve për gurë e llac, ustallarë dhe trarë, për të tjerat, iu tha se i kishte prishur për kafe për ustallarët!?

Nuk them që fondet të mos i përdorin vetë fshati dhe njerëzit e tij, por tani që ka një organizëm të diasporës në rang ministrie, me ndikim edhe mbi pushtetin vendor, mundet që fare mirë të vendosen disa ura komunikimi dhe bashkëpunimi midis, mërgimtarëve, pushtetit vendor dhe komunitetit të fshati që do përdorë investimet.

Është pak e pashpjegueshme se si dhe pse tek ne, komuniteti hedh sytë nga veprat e kultit dhe besimit, dhe edhe kur ato sociale, kulturore, shëndetësore, arsimore, mund të jenë ngjitur me muret e kishës dhe xhamisë, të mbetura në pikë të hallit, gjenden jashtë vëmendjes se tij. Justifikimi:- ato i përkasin shtetit t’i mirëmbajë. A thua se ato djem e vajza që bëjnë kryq  dhe temena në veprat e kultit, nuk janë ata që ulen në bankat e prishura dhe në shkollën me dyer e dritare të shqyera?

Nga ana tjetër, duke pasur mirëkuptimin dhe dorën  ministrore të Diasporës, në koordinimin e nevojave dhe mundësive mes palëve, emigrantë dhe vendas, edhe bashkëfshatarët e mi do marrin të njëjtat libra dhe këndime për të mësuar gjuhën e mëmës, që nga Amerika, Evropa e Kanadaja, njëlloj, dhe jo të dërguara nga gjyshërit copa -copa? Kësisoj, jo vetëm që paratë e bijve dhe bijave emigrant nuk do bëhen kafe për ustallarët, por me ndihmën e ekspertëve të shtetit, do  kenë preventivë të saktë dhe punët do bëhen me këmbë në tokë, duke përputhur mundësitë me realitetin e investimeve dhe shërbimeve që do kryhen. Madje për punë të ndryshme botore, fare mirë koordinimet do të jenë jo vetëm më efikase, por të dy palët do ndjehen  pjesëmarrës në realizimin e investimeve dhe shërbimeve ndaj fshatit dhe qytetit.

Fuqizimi i Ministrisë së Diasporës, për të qenë përbashkuese e mundësive, por dhe e zgjidhjes së halleve mes palëve;-emigrantë nëpër botë dhe të mbetur në mëmëdhe, është sot një nga domosdoshmëritë me efikase.

Ditë më parë, një apel të tillë bënte edhe mësuesi Sokol Demaku, që kishte ardhur për të tërhequr një sasi librash për 62 nxënësit e shkollave të mësimit të gjuhës shqipe në Boras të Suedisë. Politikat shtetërore duhet të koordinohen dhe të paraprijnë në jetën e emigrantëve shqiptarë kudo në botë. Ato sigurisht janë të ndryshme në vende të ndryshme, por kur ka frymë dhe dashuri mëmëdhetarie në mes, gjithçka është e mundur.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.