AKTUALITET

Studentët largojnë deputetin e PD-së: Jemi vetë opozita, dilni jashtë!

10:53 - 11.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Prej dy ditësh, studentët e disa prej universiteteve publike në vend, kanë zgjedhur të zhvendosin protestën e tyre nga rruga nëpër fakultete. Ata kanë bojkotuar sërish mësimin e sallat e leksioneve tashmë po i përdorin për të diskutuar për problematikat e universiteteve dhe zgjidhjet që mund të jepen për përmirësimin e situatës, së bashku me pedagogët.




Studentët deri më tani shohin rrëzimin e ligjit të arsimit të lartë si të vetmen mënyrë për t’i dhënë fund kolapsit të krijuar në institucionet e arsimit të lartë në vend. “Ne nuk do të tërhiqemi deri në plotësimin e të gjitha kërkesave tona. Do të rrimë këtu, do të diskutojmë me njëri-tjetrin për t’i dhënë një zgjidhje ngërçit universitar, por kurrsesi nuk do të kthehemi në leksione”,-tregon një prej studentëve për ‘GSH’. Ndërkohë një tjetër student liston edhe njëherë të gjitha kërkesat. Ne kërkojmë: përgjysmimin e tarifave në TË GJITHA nivelet e studimit (sidomos në master); rritjen në 50% të peshës së VOTËS STUDENTORE; dyfishimin e BUXHETIT TË SHTETIT për universitetet publike; ndalimin e financimit publik të UNIVERSITETEVE PRIVATE.

Asnjë kërkesë nuk mund të realizohet pa rrëzimin e Ligjit të Arsimit të Lartë. Këto janë kërkesat tona. Pa plotësimin e tyre ne nuk do të kthehemi në auditore”,-thekson një prej studenteve të Fakultetit të Histori- Filologjisë për GSH.

Ngujimi në fakultete
Mbi 100 studentë të Fakultetit të Drejtësisë, kanë zgjedhur të ngujohen ditën e djeshme brenda ambienteve të fakultetit dhe janë shprehur që vendimet do të merren bashkërisht mbi vijimin e protestës së tyre. “Nuk mund të them sesi do të vazhdojë përshkallëzimi i qëndresës sonë pasi vendimet do t’i marrim të gjithë studentët së bashku. Siç e kemi deklaruar edhe më parë, ne nuk kemi përfaqësues, secili prej nesh përfaqëson vetveten. Ashtu si dhe më parë, nuk do të pranojmë asnjë eksponent të partive politike. I kemi tmerr. Protesta jonë është e depolitizuar. Por diçka e dimë me siguri, do të qëndrojmë këtu, të palëvizur, pavarësisht penalizimeve që mund të kemi nga stafi akademik (me mungesa) dhe policia. Mësimi do të shtyhet deri në plotësimin e kërkesave tona, e deri në rrëzimin e ligjit të arsimit të lartë”,-thotë studenti i Drejtësisë për ‘Gazeta Shqiptare‘.

Ndërkohë që sot deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, pas situatës së rëndë tek Fakulteti Ekonomik, ku studentët u dhunuan nga policia ka shkuar në mbështetje të tyre.  Edhe pse ai shkoi në mbështetje të studentëve, ai nuk u pranua nga studentët e Ekonomikut. “Unë jam në funksionin tim”, – u tha Boçi studentëve dhe policisë. Ndërsa nga ana tjetër, studentët thanë se ata e zgjidhin vetë punën me policinë.

“Vazhdoni jashtë, na mirëkuptoni. Ju lutem vazhdoni jashtë. Me gjithë respektin që kemi për ju, ju lutem largohuni, jemi ne opozita”, i thanë studentët.

Edhe një pjesë e studentëve të Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës, kanë bojkotuar mësimin dhe kanë diskutuar mbi format e protestës së tyre. ndërkohë një pjesë tjetër e studentëve në këtë fakultet i janë rikthyer leksioneve, ku shumë prej tyre po ndjekin udhëzimin e Ministrisë së Arsimit për plotësimin e dokumentacionit me qëllim përfitimin e bursave dhe uljes së tarifave. Edhe në Fakultetin e Shkencave Sociale në UT, mësimi është bojkotuar sërish. “Në Fakultetin e Shkencave Sociale jo vetëm që vazhdon bojkoti, por universitarët përmes zaptimit kanë vendosur ta banojnë universitetin me aktivitete të ndryshme: diskutime e kritikë për ligjin klientelist për arsimin e lartë, lexim librash, shfaqje filmash/dokumentarësh rezistence, etj.
Universitetin e bëjmë vetë! Studentët e bashkuar kanë për të fituar!”,-thotë një prej studenteve të këtij fakulteti.

Përplasja me rojet
Ditën e djeshme, në Fakultetin e Drejtësisë në UT ka pasur përplasje mes studentëve dhe rojeve të sigurisë private. Fillimisht të rinjtë kanë tentuar të hyjnë brenda fakultetit nga dritarja, por hasën në pengesën e rojës. Më tej mes tyre situata ka qenë e tensionuar dhe plot debate. “Mos më prek. E di vet unë nga ku futem”, shprehet një nga studentët që ndalohet nga roja. Ndërkohë forca policie kanë qëndruar pranë ambienteve të fakulteteve, çka për studentët konsiderohet si presion nga qeveria. “Edhe ditën e sotme qeveria ka urdhëruar, duke shkelur ligjin, forca policie që të qëndrojnë pranë ambienteve universitare në formë presioni. Studentët jo vetëm nuk frikësohen, por janë siguruar që mos të shkelet ligji duke i përzënë policët jashtë universitetit. As trembemi, as tërhiqemi! Universiteti i universitarëve, jo i pushtetarëve!”,-thotë një tjetër student për ‘GSH’.

Kërkesat e studentëve

Përgjysmimin e tarifave në TË GJITHA nivelet e studimit (sidomos në master);
Dyfishimin e BUXHETIT TË SHTETIT për universitetet publike;
Ndalimin e financimit publik të UNIVERSITETEVE PRIVATE.
Të zbatohen ligjet për individët: “Për statusin e të verbrit”, “Për statusin e jetimit”, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik” etj. Të cilët duhet të kenë lehtësira për pagesën e tarifës vjetore.
Të pyeten dhe të konsultohet me student të cilët kanë këtë status për çdo moszbatim të ligjit dhe ndryshime të tij.
Të merren në konsiderate çdo sugjerim i studentëve me statusin, “Për statusin e të verbrit”, “Për statusin e jetimit”, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik” etj.
*Asnjë kërkesë nuk mund të realizohet pa rrëzimin e Ligjit të Arsimit të Lartë.
Rishikimi i titujve akademikë dhe verifikimi i teksteve mësimore.
Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat Studentore, ligji i arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që bordi i administrimit të IAL-eve të ketë numër të barabartë votash si nga MAS dhe IAL-t si edhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e studentit brenda vitit akademik 2018 – 2019.
Ndërtimi i bibliotekave me standarde europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.
Vlerësimi i performancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikimi i tij online dhe regjistrimi i leksioneve.
Rritja e buxhetit të arsimit në 5% të GDP, me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e infrastrukturës dhe mësimdhënies (universitete dhe konvikte).
Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit dhe IAL-ve, publikimi të gjitha shpenzimeve online.
Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekanë, rektorë dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.