KULTURË

Në gjurmët e Pater Gjergj Fishtës, letërkëmbimi dhe një foto e panjohur

15:34 - 05.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në numrin e tij të fundit “Hylli i Dritës” sjell një letërkëmbim të Gjergj Fishtës me ambasadorin shqiptar në Bari më 1934 dhe shënimin e studiuesit Alessandro Serra për një foto të panjohur të At Gjergj Fishtës.
Letrat e këmbyera mes Fishtës dhe Gjon Kamsit janë pjesë e arkivit dhe bibliotekës që familja Kamsi i dhuroi Bibliotekës Françeskane sipas amanetit të Villy Kamsit.
Kujtojmë, së pari, se pjesëtarët e familjes Kamsi e kishin tejet të zhvilluar andjen për shkëmbimin e letrave, me shumë rëndësi për shkëmbimin e mendimeve e zgjidhjen e problemeve të ndërlikueme të kohës. Shpesh letërshkëmbimi ka vlera të pallogaritshme, sepse ndihmon për ta shkruar e, sidomos, për ta rishkruar historinë, kur prej saj mbetet vetëm keqeshkronja.
LETRA E FOTO
Po ece në gjurmët e Pater Gjergj Fishtës, nëpër mija shtigjet ku i shkeli kamba, do të zbulosh gjithnjë shkëndija të reja, që vijojnë të shkreptijnë prej gjenisë së Tij. Ecje, që duhet vijue, sepse rruga e përshkueme prej Fratit-Poet asht shumë e gjatë e edhe e pashkelun… Këtë herë na çoi në arkivin e pasun të familjes Kamsi – sapo dhurue bujarisht françeskanëve. E atje, ndërmjet shumë vlerave të tjera, gjetëm një letër e një fotografi të panjohun të Atë Gjergjit, për të cilën autori i letrës, Alessandro Serra, mendon se asht e fundmja…





Po kush asht Alessandro Serra?
Alessandro Serra, arbëresh, lindi në Spezzano Albanese, në vitin 1912, vdiq në Romë, në vitin 2000. Qe profesor e studiues i historisë. U interesue shumë për mbledhjen dhe ruejtjen e dokumenteve lidhun me historinë dhe kulturën e italo-shqiptarëve. Bashkëpunoi me revistën “Shêjzat” dhe “Katundi ynë”, si dhe me një mori gazetash italiane, kryekreje me gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, me “Il Tempo”; “Storia illustrata”; “Calabria Letteraria” etj…Veprat e tij ma të njohuna janë: “Spezzano albanese nelle vicende storiche sue e dell’Italia (1470-1945)”[Specano shqiptar në ngjarjet historike të veta e të Italisë (1470-1945)]; “Albania 8 settembre ’43 – 9 marzo 1944” [Shqipëria 8 shtator ’43 – 9 mars 1944]; “I profughi dell’Albania verso l’Italia ospitale” dhe, së fundi, “Shqipnia e Skënderbeut dhe Papët për mbrojtjen e perëndimit të krishtenë”. [L’Albania di Scanderbeg e i Pontefici per la difesa dell’oçidente cristiano”(1444-1468)], botue në Cosenza në Casa del Libro”, 1960. Kushtimi në krye të veprës, me një tingëllim të fuqishëm aktual, të kujton situatën e trazueme të Shqipnisë në shekuj: “Shqiptarëve të Shqipnisë e atyne që jetojnë të shprishun nëpër botë, me urimin që këto faqe t’u sjellin sadopak qetësi në zemrat e tyre të trazueme, Alessandro Serra”.
LETRA E ALESSANDRO
SERRËS – VILLY KAMSIT
Romë, 18 prill 1994
Zotit Ambasador të Shqipnisë
Romë Në vitin 1940, ndërsa jepshe mësim në liceun e Shën Dhimitër Korones (në Kozencë), u thirra nën armë dhe u caktova në Komandën e Armatës së Tiranës. Në tetor, shkova në Shkodër, për t’i ba një vizitë poetit Pater Gjergj Fishta, për të cilin shkrova edhe një artikull, që ma vonë e botova në gazeta e revista. Po i bashkangjes letrës edhe artikullin, nga i cili mësohet se mbas bisedës, i bana edhe fotografinë, e fundmja e jetës së tij. Ai, nga ana e tij, më dhuroi të mahnitshmen “Lahutë të Malcís”. Tashti dëshiroj të di me hollësinat përkatëse, fatin zyrtar që patën eshtënt e Poetit të madh në kohët ogurzeza të Enver Hoxhës. I sigurt se po baj diçka, që ju pëlqen, po e bashkangjes edhe kopjen e fotografisë, ndërsa ju dërgoj librin tim të fundit mbi Shqipninë, nga e cila u largova në mars 1944, së bashku me tetëqind italianë. Biblioteka Kombëtare e Tiranës i ka librat e mi. E hap historinë e vendit tem, një studim interesant mbi marrëdhaniet e Gjergj Kastriotit Skanderbeg me Papët e kohës tij. Gjithnjë tue i urue gjithë të mirat Shqipnisë së dashun, ju dërgoj përshëndetjet e mia ma të përzemërta.
Firma: Prof Alessandro Serra Viale Rousseau n. 97 00137- Roma
Përsa i përket fotografisë, shihet kjartë se asht Pater Gjergji, i shtymë në mot – por ende i kërthnestë. Fëtyra e tij, plot me jetë, premton vepra të reja. Nuk na bind, prandaj se asht e fundmja. Tue pasë parasysh edhe se e fundmja asht ajo në shtratin e vdekjes – me bashkëvëllazënt pranë. Për të mos kujtue maskën mortore, realizue nga frati jezuit Sala gjatë funeralit madhështor, të cilin ia kishte borxh Atdheu. Kjo – një gjurmë… Po duhet të ketë edhe shumë të tjera, të cilat shpresojmë të kërkohen, e të gjinden…
LETËRKËMBIMI
Po botojmë disa letërshkëmbime të Át Gjergj Fishtës me Gjon Kamsin.
Letërshkembimet kanë nji randësi të posaçme, sepse hedhin dritë mbi dëshirën e Poetit tonë për të botue veprat e tij në Itali në shtypshkrojen ‘La Terza’. Kësisoj, në nji letër tjetër, Át Gjergj Fishta lyp korniçe për pinakoteken e tij. Sigurisht, këto informacione shërbejnë për të ndërtue jetëshkrimin e Át Fishtës. Në fund kemi vendosë edhe telegramin që Gjon Kamsi dërgon Provincialit të asaj kohe Át Ciprijan Nikes me rasën e vdekjes së Át Gjergj Fishtës. Letrat janë pjesë e arkivit të bibliotekës së Gjon dhe Ëilly Kamsit, dhurue nga Myriam Kamsi Provincës Françeskane Shqiptare.

S. Bartolomeo all’Isola
12-XI-25
I dashtuni Gjon, M’ bâhet se na ké pasë shkrue nji herë, se ká metë ka ti nji kutí cingaresh, qi na ká pasë dergue P. Matija prej Shkodre. Per në kjoftë se âsht gjâ kso fjale, të lutem me m’a dergue kutín m’ adresë: Legazione Albanese-Roma: pse jam marrë vesht me sekretarin per ket punë. Dér m’sod unè s’ kam marrë letre prej Shqypnije. M’shkruej, për në diejsh gjâ mbí të mrrime të P. Palit e t’Ambrozit, si edhè t’Arqipeshkvit në Shkoder. U falem me shndet tyë edhè Rozës.
P. Gj. Fishta.


* * *
Shkodër,
18 Prill 1931
I Nderti e i dashtuni Gjovalin, Kúr të kthej P. Vinçenci në Bari, të lutem me i thânë prej anes s’ême, qi po i pá gjasen – të na bléj 25 metra korniçe arit jo të trasha por as teper të holla, e nja 13 metra të trasha, për piktura qi kemi bashkue per pinakatekë (!). Mbasí janë per “kishë” kshtû hînë pa doganë. Për në mûjsh me m’i a mûshë menden per ket punë, atëherë thuei, qi t’a qesë edhè nji kafe prej anës s’ême …
U falem me shndet të gjithve
P. Gjergj Fishta ofm.
* * *
Livorno,
1 Máj 1934 12,
Via delle Galere
– I dashtuni Lin, Dishroj me botue – per në paça me se’ – veprat e mija të gjitha në nji masë e në nji trajtë. Të gjith vepra kishte me pershî shtatë volume në XVI° kah 350 faqe in media per secillin. Gjashtë kishin me kênë në poezí, e nji – kund 600 faqesh – në prozë. Botimin kishe m’e dashtë, si të thashë, formato “decimosesto”, germa e leter si nder botime klasike të Romagnoli-t, botue prej shtypshkrojet “Laterza” në Bari. Fol pra, të lutem, me “Laterzen”: per sa Lit. kishte me m’a botue nji sedicesimo – poesia e prosa in lingua albanese, con tipi e carta identici alle edizioni classiche del Romagnoli; il tempo che impiegherebbe per l’edizione dei sette volumetti e quali sarebbero le condizioni del versamento del denaro da parte mia. Ogni volume dovrebbe esser tirato in mille copie. Edhè më shkruej me nji herë. A e ké marrë nji leter të porositne, qi të pata dergue para do javësh ? Të falem nderës per urime, qi më ke dergue me rasë të ditës s’êmnit t’êm. Të shterngon doren me shum shndete
P. Gjergji
* * *
Egregio Signore
Sig. Giovanni Kamsi – 25,
Via Imbriani – Bari Livorno,
16.5.34
I dashtuni Gjovalin ! Sod mbasdite t’a nisa librin – Anzat e Parnasit – per të cillin më shkruejshe në të mbramen leter t’ande. Më pelqen Corpo 10 Bodoni (f. 5), perdorue prej Mondadori, veç drue mos të jét pak si i vogel per né Shqyptarët – Ti e din se nder né gjindja lexojnë me të vshtirë ! – Po të kishte ajo shtypshkroje Corpo 11 Bodoni, puna do të kishte dalë teste. Me gjith kta do të mèrremi vesht prap mbí ket gjâsend. Të falem nderës per broshuren “Albania”. Ishte shkrue pernjimend mire. Sa per punë të leters me date 1. e impostue me 7, do të kemë gabue vetë në datë; pse sugurisht nuk ká kênë impostue para 7 të k.m. Ké me më bâ nji nderë, per në më dergosh gjegjen miqve t’ue mbí shka të shkruejshe në leter të porositne, si edhè lajmet qi më premton në leter t’ande. Tue t’u falë nderës per kujdesim të botimit të libravet të míj, të falem me shndet shî prej zêmret.
P. Gjergji
P.S.
Per n’u baftë puna qi me botue librat e mí n’at shtypshkroje, kam me lutë Provinçjalin, qi të dergojë at? P. Benedikt Dêmen si per qortim të stamponi-vet, si per trajtë të botimit. Idem P. Pali më shkruen, se ti ké mndyren se si me dergue letrat në Shkoder, pa pasë nevojë me i kalue neper Postë: a âsht tamand kjo fjalë?
* * *

192 Egregio Signore
Sig. Giovanni Kamsi
– 25, Via Imbriani – Bari
Para ktyne 4 a 5 ditve t’a kam shkrue nji leter mbi nji çashtje, të cillen, mbasi enè s’kam marrë kurrfarë gjegje perkatse prej teje, po t’a diftoj rishtas ktû poshtë. Dishroj me rishbotue veprat letrare të mija. Kto vepra kishin me perbâ shtatë volumi in XVIo kund 350 faqesh secilli. Pêsë kan me kênë në poezí e dy në prozë. Tash m’intereson me dijtë prej shtypshkrojet “Laterza”: 1. a kishte me m’i botue kto vepra të gjitha shqyp; 2. per sa kohë kishte me m’i botue; 3. sa Lit. Kishte me më lypë per nji sedicesimo në prozë e sa per nji në poezí, mbi nji leter si ajo e botimevet klasike të Romagnalit; 4. Ç’farë konditash ven per të lâm të parevet. Të lutem me më pergjegjë sa mâ para mbí ket punë. Të shterngon doren miqësisht.
P. Gj. Fishta.
* * *


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.