KULTURË

Thoma Gaqi në 70-vjetorin e lindjes

12:50 - 07.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Meri Kumbe – Universiteti i Arteve i akordon titullin “Profesor Emeritus”, kompozitorit dhe profesorit Thoma Gaqi në 70- vjetorin e lindjes. Kjo është hera e parë që Universiteti i Arteve nderon me një çmim honorifik një ndër personalitetet e shquara të artit shqiptar.
Përgjatë një mbrëmjeje të veçantë muzikore e ceremoniale, dekani i Fakultetit të Muzikës, z. Isak Shehu dhe rektori i Universitetit të Arteve, z. Kastriot Çaushi, në emër të njësisë bazë dhe senatit akademik akorduan titullin “Profesor Emeritus”, kompozitorit Thoma Gaqi. Titull ky që u atribuohet personaliteteve të larta për merita të jashtëzakonshme profesionale. Koncerti portret u organizua nga Fakulteti i Muzikës. Interpretoi orkestra simfonike e Universitetit të Arteve nën drejtimin e Alqi Lepurit. Solist Lorenc Radovani. Mbrëmja muzikore u çel nën tingujt e poemës simfonike “Borova”. Kjo vepër, jo rastësisht përzgjedhur për të çelur këtë mbrëmje muzikore ceremoniale është edhe vepra e diplomës e kompozitorit, Thoma Gaqi. Shkruar më 1972, poemi simfonik “Borova” frymëzohet nga masakra e Borovës, tragjedia e fshatit juglindor të Shqipërisë. Në vazhdim, mbrëmja muzikore vijoj me Poemin koncert për violinë dhe orkestër, Vallen nr. 2 nën drejtimin e dirigjentit Agron Kapllani dhe Skerco. Të gjitha këto, pjesë të njohura të krijimtarisë muzikore të Thoma Gaqit.
Jeta e Thoma Gaqit




Thoma Gaqi lindi në qytetin e Korçës më 1948. Mësimet e para muzikore i mori në qytetin e lindjes. Pas përfundimit të shkollës fillore, vazhdoi studimet për violinë dhe teori muzike në Tiranë, në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Më 1966 nis studimet e larta për kompozicion në klasën e prof. Çesk Zadesë, i cili pati një ndikim të rëndësishëm në formimin e kompozitorit të ri. Përgjatë studimeve të tij, Gaqi spikat për talentin dhe origjinalitetin krijues. Në jetën e Thoma Gaqit nuk mund të mos përmendet edhe martesa me muzikologen Irisha Skendi Gaqi (1973), e cila së bashku me dy djemtë e tyre, pianistët Pirron dhe Gjergjin u bënë bashkudhëtarë në jetën krijuese të kompozitorit.

Krijimtaria muzikore
Krijimtaria muzikore e Thoma Gaqit është e shumanshme. Ai ka kompozuar vepra instrumentale (Suitë për piano, Varicione për piano mbi dy tema, koncert për violinë dhe orkestër, poemë koncert për violinë dhe orkestër, rapsodi koncert për violinë, violonçel dhe orkestër, koncert për violonçel dhe orkestër, sekrco për dy violina), orkestrale (Borova, Rapsodia nr. 1-2, Valle simfonike nr. 1-2-3, Koncert për orkestër harqesh, etj.), vokalo-simfonike (Poemë vokale, Poemë vokalo-simfonike etj.), si edhe muzikë filmi (tek filmat “Përballimi” dhe “Maratonomaku”).

Individualiteti i tij krijues dallon si nga përdorimi i formave muzikore, ashtu edhe nga pikëpamja harmonike. Stili kompozicional i Gaqit karakterizohet nga thellësia e përmbajtjes, emocionaliteti, simfonizmi si edhe kontrastet tematike. Gjithashtu, karakteristike në veprat e tij është përdorimi i harmonisë modale dhe politonale. Mjeshtëria kompozicionale e Gaqit qëndron pikërisht në aftësinë për të artikuluar një gjuhë muzikore bashkëkohore brenda formave klasike, ku marrëdhëniet e konsonancës me dizonancën parashtrohen me mjeshtëri të veçantë. Një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e Gaqit, zë edhe muzika tradicionale shqiptare. Sikurse e ka përkufizuar edhe muzikologu Albert Paparisto, në krijimtarinë e Gaqit, muzika popullore herë rikrijohet e herë citohet.

Përveç krijimtarisë artistike, Thoma Gaqi ka një kontribut të veçantë në fushën e pedagogjisë. Prej shumë vitesh ai ka qenë titullar i lëndës së Harmonisë, duke qenë një pikë e fortë referimi për të gjithë studentët e Fakultetit të Muzikës. Gjithashtu, ka një kontribut të veçantë në formimin e kompozitorëve të brezave në vazhdim. Nga klasa e Thoma Gaqit mund të përmendim disa nga kompozitorët bashkëkohorë në zë si Endri Sina apo dhe me të rinjtë Fatos Lumani, Gerti Druga si edhe shumë të tjerë. Pranë klasës së Thoma Gaqit kanë studiuar edhe disa prej pedagogëve të sotëm të Fakultetit të Muzikës si Lorenc Treska, Arian Brahimi etj.

Përgjatë jetës së tij profesionale, Thoma Gaqi ka mbajtur një sërë postesh të rëndësishme drejtuese si Udhëheqës artistik në Teatrin e Operës dhe Baletit, drejtor i shkollës së mesme artistik “Tefta Tashko” në Korçë si edhe ka kontribuar si drejtor artistik në disa edicione të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.