


Voltiza Duro – Nxënësit e klasave të pesta në mbarë vendin do të testohen për dijet e përvetësuara në arsimin fillor. ‘Gazeta Shqiptare’ zbardh sot vendimin e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë në të cilin theksohet se testi është i integruar dhe përfshin lëndët gjuhë shqipe, matematikë dhe dituri natyre. Gjithashtu, në udhëzimin e firmosur nga ministrja Besa Shahini, publikohet edhe data e zhvillimit të provimit për këta nxënës. “Në mbështetje të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 50 të ligjit nr.69/2012 ”Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar udhëzoj: Zhvillimin e vlerësimit të arritjeve të nxënësve të arsimit fillor më datë 24 maj 2019, për të gjithë nxënësit e klasave të pesta”,-theksohet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit. Në këtë të fundit bëhet me dije se ky testim do të fillojë në orën 10.00 dhe do të zgjasë 1 orë e 30 minuta. Ndërkohë, nxënësit me aftësi te kufizuara do te zhvillojnë vlerësimin e arritjeve në përshtatje me programin mësimor me të cilin punojnë, veçoritë dhe standardin e tyre.
Testimi
Procedurat e hartimit dhe të vlerësimit të testeve përcaktohen në Rregulloren “Për procedurat e organizimit dhe të zhvillimit të vlerësimit të arritjeve të nxënësve të arsimit fillor 2019”. Ndërkaq Instituti i nxënësve që nuk shikojnë do të tërheqë testin në Qendrën e Shërbimeve Arsimore, një ditë para zhvillimit të vlerësimit dhe e kthen atë në sistemin e shkrimit Brail. “Institucioni Përgjegjës për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar, do të monitorojë procesin e vlerësimit të arritjeve të nxënësve të arsimit fillor dhe do të raportojë për çdo parregullsi të vërejtur gjatë zhvillimit të tij”-thuhet në udhëzimin e MASR.
Arkivimi
Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, Sportit, dhe Rinisë bëhet me dije se arkivimi i testeve që do të zhvillojnë nxënësit e klasave të pesta, do të bëhet pranë institucioneve arsimore vendore përgjegjëse për arsimin parauniversitar. “Sektori i statistikës i institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, merr nga Qendra e Vlerësimit të Testit (QVT), dhe ruan të dhënat e çdo nxënësi, të vlerësuesve të jashtëm dhe të mjediseve ku është realizuar vlerësimi i arritjeve të nxënësve të arsimit fillor. Këto të dhëna dërgohen në QSHA dhe MASR”,-nënvizohet në udhëzimin e ministrisë. Në këtë të fundit thuhet më tej se për zbatimin e këtij udhëzimi, do të ngarkohen Sekretari i Përgjithshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Instituti i Zhvillimit të Arsimit, Institucioni Përgjegjës për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin parauniversitar dhe Institucionet arsimore Vendore përgjegjëse për arsimin parauniversitar.