MILOSAO

NJË SY DHE NJË PIRAMIDË

18:00 - 17.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Rexhep FERRI




1.
Mur nëmur
Nuk më mban çekiqi
Gozhda më mban

Ky mendim papritur më erdhi dhe po e shkruaj ashtu si më erdhi, pa i shtuar asnjë fjalë e asnjë frikë nga frika.
Për pyetjet e shpirtit njerëzor po të ishte gjallë sot Skënderbeu çka mund të bënte?
Lufta e Parë e Skënderbeut mua nuk më kujtohet, por lufta e fundit po.
Për jetën e njeriut nga të gjitha anët, koha shpesh mbetet pa fjalë.
Fund e krye me një histori të pakuptueshme.
Me një ngacmim brenda zjarrit.
Kur jeta nis e merr teposhtëzën.
Për jetën me sfida të larme çdo gjë pret urrejtjen e vet.
Në teatrin e shëmtuar të patriotëve sojlinj, për ta kuptuar magjinë tërheqja e vëmendjes po na lë pa fjalë.
Unë, meqenëse isha me kilometra larg për të bërë një pushim, çerdhe mbi pemë, me mure prej drite, prej ajri në prehërin e nënës mbështeta kokën.
Pashë një ëndërr.
Me qëllim të mirë urrejtja ka të drejtë, jeta është shumë e shtrenjtë, nga një vend më lart në një vend më poshtë nuk kërkon as falje, as premtime, as përshëndetje.
Për ta mbushur një boshllëk, jo me qëllim për ta zëvendësuar me një boshllëk tjetër.
Me famën kur të vdekurit ishin të gjallë, veten e gjeta te rrënojat e Kullës së Gjyshit.
Aty tani nuk kemi më kohë për miqësi.
Gjatë njëqind vjetëve të fundit i kemi humbur katër luftëra. Gjatë atyre katër luftërave u pamë e s’u pamë.
Këtë histori që as sot nuk ka të ardhme, gjaku nuk e meriton.
Maskarallëqet morën dhenë.
Veç pak!…
Përtej humbjes dhe degjenerimit, çrregullimi i personalitetit harron Zotin, njeriun, jetën, vdekjen, kur me sytë mbyllur fluturon bualli.

2.
Gjatë kohës së komunizmit të Enver Hoxhës, ditën e tretë në Tiranë e theva një vijë të trashë dhe e vizatova një vijë të hollë.
Rastësisht nuk e vizatova.
Ajo ishte fjala dhe heshtja e njeriut të vetmuar.
Shoferi që më shoqëronte më tha:
-Shoku Rexhep, vijën që e vizatove fshije.
Unë e shikova. Ia dhashë gomën e i thashë:
-Fshije ti!
Shoferi mori gomën, e fshiu vijën…
Gjatë rrugës për në Krujë më pyeti:
-Çka po mendon?
-Asgjë më afër e asgjë më larg, – i thashë.
Jeta është me pyetje e pikëpyetje e bukur.
Për çka janë pyetjet, pikëpyetjet,kur bie nata?…
Populli i ka hapur veshët.
Pret të dëgjojë kush po flet.
Ka filluar edhe veten të mos e njohë e mos ta dojë.
Larg gjithçkaje.
Përveç pritjes.
Vetëm rrënojat e legjendave i kupton më mirë…
Me këmishë e pa këmishë.
Me arkivol e pa arkivol.
Mos e mashtroni veten.
Kjo është jeta që na pret.
Jeta që na mëson ta urrejmë njëri-tjetrin.
Fërkoni sytë!
Për ta ndryshuar botën, lufta nuk i njeh kufijtë.
Me pakënaqësinë tonë kemi shumë mundësi, me kufij e pa kufij.
Jeta vetë e kërkon dhe vetë le ta vuajë.
Me zjarr që na shpëton nga zjarri.

3.
Te varret, në mes të Ballkanit nuk po e njohim as vetveten.
Kam ardhur sot për të mos u larguar nesër.
Nga rrënojat e Trojës e te rrënoja e Trojës
Gjarpëri e puthi Helenën.
Në varr për të pushuar.
Mjafton nata nga nata. Për t’u parë mes dashurisë dhe sfidave, mjaft me këto mashtrime të këngëve patriotike.
Sa më shumë që i afrohemi Hënës, aq më pak kemi se çka të flasim për Hënën.
Kur jetohet me çmimin e famës është e pamundur ta mbushim ditën me gëzime.
Nuk e kuptojmë pse nuk na doli e mirë asnjë histori.
Duke dashur të krahasohemi me yllin e afërt, verbërisht përpiqemi ta kuptojmë
zemrën e humbur.
Kur vazhdon loja me zjarrin, jeta na vie si mashtrim dhe shkojmë në mal për ta takuar gjarprin.
Prej tij kërkojmë pak helm.
Për ta fituar zemrën e luanit, pa e pyetur as jetën, as vdekjen.
Ndodhi ajo që ndodhi.
Nga thellësitë e shpirtit.
Me një këngë, me një pllakë të prishur gramafoni, kur heshtja flet më mirë, për fjalën asgjë.
Të kuptosh se kush të plagosë e kush të shëron.
Çdo të thotë kjo?
Shpirt të lutem ke durim!
Më mire është të ruhesh e të mos bësh budallëqe.
Dhe duhet të flasim pse s’kemi për çka të flasim.
Mesnatës dhe ditës, as ulurimë e ujkut nuk dëgjohet.
Ndodh ajo që ndodh.
Nata mbushet me ëndrra.
Dita me mashtrues sojlinj.
Ne të tjerët kërkojmë një pushim.
Duhet të nisemi.
Të gjejmë fajtorë.
Betejës së ligjeve t’i flasim për ligje me të cilat dikush duhet të dënohet.
Shkurt e shqip, të vazhdojnë hetimet.
Për një moment të caktuar kur duhet të ndalemi.
Të dijmë pse të ndalemi.
E vetmja gjë fisnike që na ka mbetur është të dijmë pse jetojmë.
Kur kthehemi e prapë shkojmë.

4.
Mes Detit të Zi e Detit të Vdekur, me vite e shekuj historia na vinte si thikë pas shpine.
Pas shumë fillimeve i humbëm të gjitha luftërat.
Kujt i u kemi falënderuar nuk e di.
Ata që na kanë lexuar mendjen kanë shkuar më larg se larg.
Gjatë luftës së fundit, a jemi takuar me zjarrin që dogji malin?!
Tani më s’kemi kohë për asgjë më të mirë.
Zgjedhja më e mirë është pritja.
Më falni, po ku mbeti përshëndetja me grushtin lart të komunistave? Me një emër që përsëritet, na doli si provokim!
Ndoshta e kishim tepruar.
Kemi edhe disa thashetheme se nuk e meritojmë një jetë më të mirë.
-Korrigjojeni të kaluarën. – na tha Dervishi që flinte nën Urën e Vezirit.
Me një mbyllje në vetvete nuk jam i sigurt se do të pyesë dikush se e kishim pasë dajën bajraktar.
Rrugës sa kilometra është jeta, as unë e as Dervishi që flente nën Urën e Vezirit nuk e dijmë.
Jetën e mori era e fjalën ëndrra mashtruese.
Me një ëndërr mashtruese koha e ka fshehtësinë e vet.
Nuk e çelë gojën pa ryshfet.
Njëqind vjet Biza… Biza…
E luajti të njëjtën lojë.
Pesëqind vjet Turra… Turra…
Binte borë e bardhë, në të pamë e kuqe…

5.
Patriotët sojlie dhe pas luftës pa fije turpi vazhdojnë lojën me letra mashtruese.
Populli nuk ka çka të rrezikojë më shumë.
Me fatin e vet po e kalon jetën nga dita në ditë.
Nën mëshirën e legjendave kanë kaluar dymijë e pesëqind vjet kur Leka i Madh
Pushtoi Egjiptin.
Nga ajo kohë e nga ajo luftë e nga ato rrënoja e ato legjenda dolën në dritëshumë mite.
Perëndia i Besimit shumë çka pa.
Nga mbidoza e besimit kishte rënë në gjumë të thellë.
Kur është zgjuar është bërë më i fortë.
E pa se gjumi e kishte tradhtuar.
Vonë, shumë vonë, duke kaluar kufirin, e humbëm rrugën, edhe për njëqind vjet të ardhshme.
Nga të gjitha ato e këto luftëra.
Nga ato e këto rrënoja, për ta përdorur magjinë, dollari amerikan e ka të vizatuar një sy dhe një piramidë.

Janar, 2019

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.