AKTUALITET

S’ka kthim, opozita dorëzon nesër dosjen me deklaratat individuale të deputetëve

09:42 - 20.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Opozita pritet që të enj-ten në Kuvend dhe në KQZ të dorëzojë dosjen me deklaratat individuale të deputetëve, të cilët heqin dorë nga mandati. Vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha, mohon çdo mundësi negocimi me Edi Ramën dhe çdo mundësi për t’u tërhequr nga vendimi për djegien e mandateve.




Basha u shpreh i vendosur se nuk ka kthim prapa në vendimin për djegien e mandateve. Në një dalje për mediat, Basha tha dje se opozita do të jetë në krah të shqiptarëve. “Ajo që do ndodhë është që nuk ka kthim prapa, nuk është thjesht çështje mandatesh, nuk do ketë më parlament dhe për këtë nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë negociatë”, deklaroi z.Basha. Kreu i opozitës shprehet se vendit i duhet një qeveri transitore, për të përgatitur zgjedhjet e parakohshme dhe për të bërë drejtësi. Pas vendimit për lënien e mandateve, duket se Lulzim Basha, tashmë nuk kërkon vetëm qeveri transitore, por edhe burgosjen e zyrtarëve të PS-së që sipas tij janë kapur duke vjedhur vota. “E para, dorëheqja e Edi Ramës, largimi i Edi Ramës dhe hetimi i tij. Qeveria transitore duhet të mundësojë që të mos ketë asnjë ndërhyrje politike si ajo që bëri Edi Rama për të mbrojtur Vangjush Dakon. Damian Gjiknuri, Taulant Balla që ka vjedhur votat duhet të shkojnë në burg”, deklaroi z.Basha. Kreu demokrat iu përgjigj edhe deklaratës së zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Koçijançiç, sipas së cilës vendimi i opozitës shqiptare për të bojkotuar parlamentin dhe djegur mandatet është kundër-produktiv dhe shkon kundër reformave që kërkon integrimi. “Pengesa kryesore e integrimit të Shqipërisë është qeveria e kapur duke vjedhur zgjedhjet, siç demonstron dosja ‘339’. Kur qeveria kapet duke vjedhur, në çdo vend të Europës ikën qeveria dhe fajtorët ndëshkohen para ligjit dhe hyjnë në burg. BE duhet të jetë e besueshme. Integrimin europian e pengon kapja e gjitha pushteteve, të cilat janë vetëm në dorën e një autokrati të korruptuar dhe të lidhur me krimin, -tha Basha.

Reagimi
Kryesia e PD-së miratoi mbrëmë unanimisht propozimin e grupit parlamentar të për të hequr dorë nga mandatet në Kuvend. Ky vendim do t’i paraqitet sot për vendimmarrje finale Këshillit Kombëtar të PD-së. Pas mbledhjes, kreu i PD-së, Lulzim Basha, refuzoi të komentojë deklaratat e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila është shprehur kundër djegies së mandateve, por ai përmendi se për PD dhe atë vetë nuk ka frymëzim më të madh se SHBA dhe demokracia amerikane. Basha iu përgjigj ambasadës amerikane me një shprehje të presidentit Linkoln. “Nuk komentoj kurrë asnjë deklaratë të përfaqësive të huaja në Tiranë, por dua tua them qartë dhe shkoqur se për mua dhe PD nuk ka frymëzim më të madh se SHBA dhe demokracia amerikane. Në veçanti veçoj presidentin Linkoln dhe dua ta citoj: Shpresoj që kjo sakrificë nuk do shkojë kot, se ky komb nën zot do ketë lindje të re të lirisë dhe demokracisë.

Qeverisja e njerëzve nga njerëzit për njerëzit nuk do të zhduket nga faqja e dheut. Nuk do të zhduket as nga faqja e Shqipërisë, Zoti e bekoftë Shqipërinë! Zoti e bekoftë Amerikën”, – tha Basha.

Kreu i PD-së sqaroi se djegia e mandateve nuk është qëllim në vetvete, por rekursi i fundit që i është lënë opozitës për të arritur një qëllim madhor: shembja e një qeverie të krimit, për krimin dhe nga krimi dhe kthimi i një qeverie të njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit. “Djegia e mandateve nuk është qëllim në vetvete, djegia e mandateve është rekursi i fundit që i është lënë opozitës për të arritur një qëllim madhor. Të shembim një qeveri të krimit, për krimin dhe nga krimi dhe t’u japim shqiptarëve një qeveri të njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit. Për këtë, ne nuk po kërkojmë të marrim diçka, nuk po kërkojmë të marrim mandate me ndihmën e krimit të organizuar, siç ka bërë Edi Rama dhe siç është vërtetuar edhe nga provat gjyqësore të publikuara nga ‘Zëri i Amerikës’. Ne po japim!”, deklaroi z.Basha.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.