MILOSAO

Për shqiponjën, si ta duam?!

10:56 - 03.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ben Andoni- Gjëja më ‘argëtuese’ e ditëve të përvjetorit të pavarësisë ishte momenti kur u shfaqën flamujt e vegjël. Nga një hulumtim i atyre ditëve u zbulua se shumë prej flamujzave ishin prodhime me origjinë kineze. Ndërsa për një pjesë kjo ishte fatale, justifikimi i shumë të tjerëve ishte shumë pragmatik. Kineze mbajnë markën dhe shumë simbolika të suvenirëve, por edhe objekte edhe në vendet më të zhvilluara, madje edhe simbole thellësisht historike, kështuqë nuk kishim pse të habiteshim. Vetëm se kleçka ishte dikund tjetër: shumë prej simbolikave tona, prodhuar nga kinezët, ishte të shpërfytyruara.
Pak muaj më pas, do të vinte radha e simbolikës së shqiponjës në një nga dikasteret tona. Ajo do identifikohej direkt me shqiponjën sllave. Në fakt, shqiponja dukej e stilizuar shumë ndryshe dhe pothuaj kishte humbur karakteristikat e shqiponjës me të cilën ishte mësuar syri i shqiptarit të thjeshtë dhe që identifikonte simbolin kryesor kombëtar.
Kjo qëlloi gati e tmerrshme. Filluan interpretimet e çfarëdoshme, për pozicionin e krahëve, kokën, pendët, kthetrat dhe lloj-lloj hipotezash. Ngjyrat u bënë vrastare, Bizanti u përzje me Kombin, Shqipëria me Arbërinë, u shanë politikanët u tregua patriotizmi…Fitoi kakofonia.
Luan Rama, deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, iu kthye sërish ditët e fundit dhe me një kulturë të admirueshme e parashtroi defektin, sipas tij, duke kërkuar përgjegjshmëri, kurse kohë më parë denoncoi përdorimin e shqiponjës me ngjyrë të bardhë, në simbolin kombëtar të përdorur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. Por, ai shkoi edhe më tej, kur tha se kjo përbënte një shkelje të rëndë të kushtetutës, duke gjykuar për veprimin e institucionit të MEPJ.




Në fakt, modifikimi i shqiponjës ishte gati i dhimbshëm për një grup ndërkohë mijëra flamuj të tillë syresh valëviteshin ditët e përvjetorit të pavarësisë.
Asokohe, t-shirtet, shallet dhe kapelet, por jo vetëm, u mbushën me këtë simbol shqiponje që devijonte paq. Por habia shkoi më tej në një interpretim që bënë dhe njerëzit e kampit tjetër politik, ku shqiponja e përdorur prej tyre i ngjante asaj të Stefan Dushanit

Shqiponja jonë, e cila sipas ligjit duhet të ketë në krahë 9 pendë dhe në bisht shtatë pendë, duket krejt e modifikuar dhe si një shpend jo i zakonshëm, me atë që i diktojnë institucionet shqiptare. Kjo sot nuk është më normale. Pak kohë më parë, historiani Pëllumb Xhufi parashtroi idenë e tij për shqiponjën e flamurit, por shtoi me maturi se nuk duhet ekzagjeruar: “Ne kemi shqiponjën më të bukur, se nuk jemi të vetmit që kemi shqiponjën me dy krerë. Ne e kemi marrë në një formë që nuk puqet fare as me sllavët, as me gjermanët, as me austriakët, as me serbët e malazezët e as me rusët. Shqiponja është një simbol që mjedisin e natyrshëm e ka tek flamuri. E ka cilësuar Barleti, për shqiponjën në flamurin e Skënderbeut. Ky flamur i cikluar në epokën e Rilindjes. Ata e rindërtuan, e riformuluan flamurin në bazë të thënies së Barletit dhe bënë një shqiponjë të shkëlqyer. Që nga ajo e shoqatës Vatra, Drita janë shqiponja të bukura, të zeza dhe me krahët e hapur, të shpalosur, dinamike po krejt e veçantë”.
Në fakt, specialisti do të shtonte se shqiponja mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, qoftë edhe prej materialit ku përdoret por edhe elementëve të tjerë, por ngjyra nuk ndryshon, ndaj duhet të ishim të kujdesshëm…


…Në Shqipëri është një heraldist i njohur por krejt në hije tashmë. Vite të shkuara, Gjin Varfi bëri dhe një botim interesant për heraldikën shqiptare, por veç pritjes së mirë atëkohë nuk pati asgjë më vonë, që ta vlerësonte si duhet këtë investim të tij.
I lënë krejt në hije, sot, ai nuk thirret edhe kur përgatiten simbolika apo stema apo më shumë akoma është marrë dhe është lënë krejt jashtë, thjesht duke e justifikuar se iu mor mendimi. Shqetësuese është se ka shumë institucione që kanë bërë ndryshime simbolikash por që asfare nuk e kanë reflektuar duke pyetur për mendim të specializuar. Dikush, në rastin e Varfit, mund të përdorë kundër tij shkollimin e ngushtë, apo faktin që është i lidhur në një fushë krejt tjetër, anipse askush nuk i është dedikuar si ai heraldikës, por edhe interpretimit.

Duhet të përmendim se heraldika duhet të ketë dhe një lloj uniteti, gjë që nuk ndjehet në morinë e simbolikës të re shqiptare Një gjë e tillë ndodh shpesh, dhe pothuaj e hasim në të gjitha fushat, por kjo na bën të kujtojmë shqetësimin e madh, që sa pak e dëgjojmë mendimin profesional dhe jo vetëm. Kjo të vinte ndërmend kur artikulues të ndryshëm shtronin idenë e shqiponjës në simbolikën tonë dhe specialistë si Gjin Varfi heshtnin…sepse askush nuk kujtohet kurrë për ta. (Milosao)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.