MILOSAO

Cili është ndryshimi mes të shkuarës dhe ëndrrave?

09:50 - 10.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Edison Çeraj – Kjo është një nga ato pyetje që në thelb nuk ka nevojë për përgjigje, pasi të gjithë e dinë, ose të gjithë e kanë “të qartë” brenda vetes. Gjithsesi nuk është as një pyetje thjesht retorike. Pyetje të kësaj natyre i ngjajnë asaj dilemës mbi kohën që trajton Shën Agustini, ku thotë se nëse nuk më pyesni se ç’është koha, e di përgjigjen; por, nëse më pyesni, atëherë nuk e di.
Megjithëse është një dilemë që i referohet qartazi përvojës së secilit nga ne (e shkuara dhe ëndrrat), është po aq e qartë se përvoja nuk na vyen, ose nuk është e mjaftueshme për të zgjidhur “enigmën”.
Le të bëjmë një ndarje ndërmjet të shkuarës në rrfash individual (kujtimet) dhe të shkuarës në rrafsh shoqëror (historia). Për sa i takon të shkuarës idividuale, kur ajo bëhet e tillë, ne nuk e ndryshojmë dot: as nuk mund t’i heqim e as nuk mund t’i shtojmë gjë. E njëjta gjë vlen edhe për ëndrrat.
Ndërsa e shkuara në rrafsh shoqëror, me të cilën merret historia, natyrisht që është e ekspozuar ndaj ndryshimeve, gjë që është provuar e vazhdon të provohet në qindra raste, për shkak të pushtetit të pamatë që ajo ushtron. “Ai që kontrollon të shkuarën, kontrollon të ardhmen. Ai që kontrollon të tashmen, kontrollon të shkuarën.” (Orëell)
Ndaj dhe thuhet se historinë e bën fituesi. Një rast tipik për këtë është historiografia komuniste, që është fund e krye ideologjike, dhe duke qenë e tillë niset nga premisa se faktet historike duhet të jenë në përputhje me ideologjinë, përndryshe janë të padobishme, madje të rrezikshme. Ja pse kemi fabrikime të llojit “historia zyrtare”, e këtij apo e atij vendi.
Pikërisht për këtë arsye, në ato vende ku ka vepruar një ideologji e tillë, janë të rëndësishme kujtimet/memuaret vetjake , duke shënuar kështu një ndryshim të qenësishëm ndërmjet historisë dhe kujtesës. Historia mund të jetë dhe “duhet” të jetë kolektive/shoqërore, ndërsa kujtesa mund të jetë e tillë vetëm për aq sa është individuale.
I tillë është rasti edhe me veprat e fundit të Majlinda Kelmendit: ajo mjaftohet duke gjurmuar kujtesën vetjake, duke tejkaluar kështu historinë zyrtare, atë që është certifikuar nga institucionet.





Për Kelmendin të kujtuarit dhe të ëndërruarit janë dy gjendje të lidhura ngusht me njëra-tjetrën. Sidomos në rastin e pikturave, të cilat nuk mund t’i klasifikojmë si abstrakte apo si jofigurative, akti i të kujtuarit sublimohet me disa shenja që pluskojnë ndërmjet të vetëdijshmes dhe të pavetëdijshmes. Kur autorja e çon deri “në fund” aktin piktorik mbi një shenjë të caktuar, atëherë kemi të bëjmë me një lloj vetëdijeje; ndërsa kur mjaftohet me pak prekje, kur ngurron ta identifikojë, atëherë shfaqet e pavetëdijshmja me stolitë e saj të errëta, mbi të cilat mund të hedhë dritë vetëm e ardhmja.
Nga ana tjetër, te këto piktura hasim edhe një marrëdhënie intensive ndërmjet ndjenjës dhe mendimit, ku ndjenja ngacmon mendimin dhe mendimi nuk e përjashton ndjenjën. Është një harmoni e fshehur “mes rreshtave”, e cila i përshkon si një fllad temjani të gjitha veprat e këtij cikli.
“Bota është një komedi për ata që mendojnë dhe një tragjedi për ata që ndiejnë,” thoshte Horace Walpole – domethënë: bota na qenka një dramë, duke qenë se nuk ka njeri në botë që vetëm mendon apo vetëm ndien, por herë i jepet njërës gjendje e herë tjetrës. Në thelb kjo ndodh pa vullnetin tonë: thjesht jepemi pas njërës ose pas tjetrës. Ashtu siç nuk zgjedhim se çfarë kujtojmë e çfarë harrojmë, po ashtu nuk zgjedhim se kur do mendojmë e kur do ndiejmë. E gjitha rrjedh. Vetëm rrjedh. Ne dorëzohemi. Pastaj ngrihemi. Më pas zgjedhim. Pastaj harrohemi. Më pas kujtohemi, me shpresën që të mos jetë vonë. Edhe kur është vonë, ka gjithmonë një xhep kohë për të bërë atë që duhet. Është ai xhep kohë që të rikthen të gjithë “kohën e humbur”.
Kelmendi e kërkon me ngulm këtë “kohë të humbur”, atë kohë të ndaluar ku lejohej vetëm ajo që diktonte “vija e partisë”. Ajo kërkon gjurmët e saj të humbura në atë periudhë, si dhe gjurmët e asaj periudhe në të tashmen e saj, në atë çfarë ajo është sot jo vetëm si artiste, por mbi të gjitha si njeri. Këtë kërkim e ndeshim edhe te dy video-instalacionet: Error dhe ëëë.info.com, ku i pari na kujton se ka një error të përjetshëm që vjen si diktat drejt nesh, duke u shfaqur në forma të ndryshme, ama me të njëjtin thelb: për të na “korrigjuar”. Ndërsa i dyti, me një titull që evokon disa simbole tipike të kësaj kohe, qendërzon raportin tonë me të dhënat/informacionin, ku nën trysninë për të qenë të informuar, pa e vënë re aspak ne kemi cenuar ndjeshëm raportin tonë me mendimin dhe sidomos me kujtesën.
Për t’u rikthyer te marrëdhënia mes ndenjës dhe mendimit, duhet thënë se ne përballemi çdo ditë me optimizmin e pakompromis të progresistëve dhe me pesimizmin e mistikëve. Të parët e mbajnë shikimin poshtë, të dytët lart. Të parët duan të arratisen nga e shkuara, madje edhe nga e tashmja, të dytët gjakojnë të arratisen nga një e ardhme që konceptohet si një “jetë pa dhimbje”.
Disa shpallin fundin e botës, disa të tjerë trumbetojnë “rendin e ri”.
Ngjan sikur ngushëllimi më i madh është se asgjë nuk është e sigurt, se asgjë nuk mund të pohohet apo të mohohet me siguri të plotë. Kjo lloj pasigurie, që përputhet me natyrën e pamundur dhe të papërsosur të qenies-në-botë, ka të mirat e veta, sepse na mban zgjuar, si një antidot kundër shkujdesjes apo kllapisë. Një e mirë tjetër është se na bën më kërkues, duke u maturuar kështu kundrejt çdo rrethane që na prek drejtpërdrejtë apo tërthorazi. Po ashtu, ndonëse në pamje të parë pasiguria shfaqet si e kundërta e bindjes, në fakt, ajo mund ta forcojë një bindje të caktuar përmes “krizës” që të shkakton, ose mund të nxjerrë në pah pavërtetësinë e saj.
Nevoja organike se si të jetojmë sendërton një marrëdhënie të mirë me harresën; kurse nevoja e ontologjike se pse jetojmë bën po të njëjtën gjë me kujtesën. Por, kjo është e mundur vetëm nëse mes këtyre dy nevoja themelore – që shfaqen në mijëra forma – ekziston një lloj harmonie/ekuilibri, sepse në të kundërt ka vetëm teprim, herë me njërën e herë me tjetrën.
Jo vetëm në botën e artit, por edhe në jetë qëllon të përballemi me personazhe “të lumtur” për shkak të harresës ose “të pikëlluar” për shkak të kujtesës.
Majlinda nuk i rikthehet të shkuarës ngaqë është e magjepsur prej saj, as për t’u arratisur prej të tashmes, por, mbi të gjitha, për të njohur veten dhe për të kuptuar kohën në të cilën jeton. Arti është një mundësi e llojit të vet për ta bërë këtë.
Kështu, kjo përpjekje nga ana e saj na kujton se njeriu mbetet ajo çfarë ndien dhe mendon, pasi realizimi praktik i një ndjenje apo mendimi është gjithnjë i mangët si pasojë e kufizimit në kohë dhe hapësirë.

Shënime
Në të gjitha vendet me një të kaluar totalitare, ka një “bum” të madh botimesh me natyrë memuaristike, dhe një prej arsyeve të këtij fenomeni është edhe nevoja e ethshme e shumë njerëzve për t’i rrëfyer gjërat “siç kanë qenë”, dhe jo sipas “versionit zyrtar”.

A është e shkuara ëndërr?
Simbolikë kryqëzuese ..
Pa ndërgjegjen nuk do ekzistonim .
Mbi të gjitha jeta është një luftë e vërtetë për të tejkaluar përballuar situata të ndryshme dhe falë tyre ne krijojmë identitetin tonë,ne kulmin e zinxhirit ushqyes. Vetpërqëndrimi është një produkt përcaktues i karakterit të punës së artistit .
Lindim të ndryshëm.
Vetëbesimi është destinacioni që nuk mund t’i shmangemi , arsye e cila transformon personalitetin tonë në një luftë të vazhdueshme me pengesa.
Quhet e rëndësishme që të çlirohemi nga modele të tiposura që na shterojnë atë çfarë kemi të veçantë prej një projektimi inteligjent…”
Përbërja e këtij subjekti është i thyer i analizuar dhe i rimontuar,duke afruar kohërat e largëta për të na bërë të kuptojmë dhe të mbajmë pranë qindra rrugë të ndryshme të mendjes të arsyetuara me pretendimin dhe nevojat që përgjithmonë të kërkojmë rrugë të reja.
Lidhja e emocionit me rregullin, duke mbledhur leksionet e mëdha të së kaluarës, është brenda vetvetes simbolike kryqëzuese

Majlinda Kelmendi


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.