OPINION

Nga Shqipëria: asgjë e re nga lufta virtuale civile

07:20 - 10.03.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Më 14 shtator 1998, një gazetar iRAI DUE, një stacioni televiziv shtetëror italian raportonte nga Tirana se kryeqyteti ishte në mes të një lufte civile, mes shumë të shtenave, madje edhe tanke nëpër rrugë(?!). Nga toni i zërit të tij dhe fjalët alarmante të dukej se po transmetonte drejtpërsëdrejti një gazetar i CNN nga Beiruti i djegur dhe i martirizuar i 14 viteve më parë. Sigurisht që gazetari i RAI-t mori një shtesë të majme mbi rrogën si korrespondent, nga “fakti” që po punonte në një vend në gjendje lufte civile. Pasi “lufta civile” u shua brenda disa orëve në Tiranë, nuk besoj se dikush nga drejtuesit e stacionit televiziv e ka vënë përpara përgjegjësisë gazetarin pse e bëri qimen tra. Thjesht vlerësuan “scoop-in(lajmin e bujshëm” nga një vend i paqëndrueshëm dhe pjellë e trazirave si Shqipëria(sipas tyre). Këto ditë të protestave(disa edhe të dhunshme) të opozitës sonë të vetëmërguar nga Parlamenti, gazetarë të tjerë italianë të rrjeteve televizive apo të përditshmeve raportuan protestat, gati me të njëjtin ton dhe fjalë alarmante si sivëllai i tyre i 21 viteve më parë. Në gjuatje të lajmit të bujshëm dhe tronditës në një reportazhi prej një vendi në prag të luftës civile.




Kjo mund të jetë dëfryese për pseudogazetarë në gjueti të dëshpëruar të lajmeve sensacionale (madje janë gati edhe thuajse t’i shpikin ato), por është mizore për pamjen e një vendi të varfër, me natyrë të bukur dhe njerëz të dashur e bujarë, që po provon të rritet. Edhe pse Italia këtë vit mund të hyjë në mosrritje (stanjacion) ekonomik dhe jo pak sipërmarrës të vegjël italianë, sidomos nga Italia e Jugut po e mendojnë një investim në vendin e shqipeve (jetojnë mbi 20 mijë italianë në Shqipëri, mes ndërmarrjeve fason, qendrave të thirrjeve (call center) e shumë aktiviteteve të tjera të biznesit. Të flasësh sikur po flet nga Libani i 35 viteve më parë është të trembësh kot dhe largosh mundësinë që në Shqipëri të vijnë investues të tjerë të vegjël italianë dhe një kapital që vendit mund t’i rritet edhe me 75 milionë euro vetëm për këtë vit. Ky dëm nuk është i pakët për një ekonomi të vogël si e jona. Nga ana tjetër, kjo trembje mund të ketë edhe efekt domino në investues të tjerë perëndimorë. Kryeministri bëri mirë që pranoi intervistat e shumta me gazetat kryesore italiane dhe daljen në një emision televiziv që ndiqet nga 12 milionë teleshikues në vendin fqinj. Poterja për prag konflikti social dhe gati lufte civile në Shqipëri në këto ditët e fundit, që shpërtheu mes disa damarëve të papërgjegjshëm të informacionit gazetaresk italian u përball me dëshirën për zhvillim të qetë të një vendi mik të Italisë, e shprehur nga goja e kryeministrit të këtij vendi.

Goditja përfundimtare poteres i erdhi nga protesta gati tërësisht paqësore e opozitës katër ditë më parë përpara Kuvendit. Kasandrat e gjëmës shqiptare u ndjenë keq. Por një popull i tërë u ndje mirë. Informacionin e devijuar për Shqipërinë dhe shqiptarët kanë mbi 27 vjet që po e ndjejnë emigrantët tanë në Itali dhe Greqi. Gjah i natyrshëm dhe i lehtë i mediave të vendeve tona fqinje janë bërë vetëm aktet e dhunës dhe krimet e bashkatdhetarëve tanë (sigurisht mes 1.2 milionë shqiptarëve që jetojnë në Greqi dhe Itali ka edhe disa qindra e madje mijëra kriminelë apo hajdutë). Shumë radhë, një në dhjetë njëmijë, janë rastet e veprave të mira dhe të lavdërueshme të emigrantëve tanë, që kanë rrokur vëmendjen e medias së vendeve fqinje. Situata ka ndryshuar shumë këto vitet e fundit, me përshtatjen e shpejtë dhe integrimin gradual të njerëzve tanë atje. Por prapë është shumë vështirë dhe mendësia e të qenit superiorë ndaj shqiptarëve, për fat të keq është e pranishme mes shumë grekëve dhe italianëve. Duke e kujtuar ende të folurit keq për Shqipërinë dhe shqiptarët si sport të preferuar kombëtar, disa media italiane bëjnë autogol përpara ndjekësve të tyre, pse askush nuk do ta bëjnë për budalla. Italianët e thjeshtë e shohin dita-ditës se shqiptarëve mund t’u besohet dhe me ta mund të bashkëjetohet si me çdo evropian tjetër. Dhe poteren e shtirur të disa gazetave dhe televizioneve të tyre për gjoja rrëmujë totale dhe prag lufte në Shqipëri jo vetëm nuk e besojnë, por shprehen me njëri-tjetrit :”Ja këta, gjahtarë të sëmurë të scoop-it(lajmit të bujshëm)”. Ja përse një shkrim sarkastik i një blogiereje italiane dje titullohej: “Nga Shqipëria: asgjë e re nga lufta virtuale civile”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.