AKTUALITET

Regjistrimi i pronës, Lame: Pronarët që përfitojnë nga amnistria

14:00 - 10.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të gjithë qytetarët që nuk kanë kryer pagesa ndër vite të kërkuara për regjistrimin e pronave të tyre, do të përfitojnë amnisti. Pronarët do të rregjistrojnë pronën duke pagaur vetëm tarifën e rregjistrimit pa asnjë kamatvonesë. Lajmi është bërë i ditur nga kreu i ALUIZNI-t Artan Lame, i cili bëri të ditur dje se Ligji “Për Kadastrën” hyn në fuqi më 22 Mars dhe më pas do të nisë procesi i strukturimit të institucionit ligjzbatues, që do të jetë Agjencia Shtetërore e Kadastrës. “Shteti që nga viti 1994 ka filluar procesin e rregjistrit të pronës dhe ka shpenzuar 200 milionë dollarë në procesin e regjistrimit. I gjithë ky lum parash ka lënë pas dhjetëra mijë procese gjyqësore, qindra të vrarë dhe bllokimin e mijëra aktiviteteve ekonomike. Qeveria do të marrë të gjithë përgjegjësitë e kësaj situate. Amnisti për vargun e pagesave të pa kryera në vite. Ligji i ri nuk do të sjellë lumturim për një ditë, por rrugë tjetër nuk ka” tha Lame. Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZN-it, Artan Lame, bëri me dije se 80 për qind e pronave të regjistruara në vend janë me gabime dhe se ligji i ri për kadastrën do ta vërë në shina këtë problematikë. “Presidenti miratoi me heshtje ligjin për Kadastrën. Ligji shmang burokracinë, shkrin në një të vetëm disa nga institucionet që merren me pronat. Thelbi është zvarritja 30-vjeçare. 80% e pronave në Shqipëri janë të hedhura me probleme”-tha Lame. “Përmes këtij ligji, Qeveria do të do të marrë mbi vete të gjitha përgjegjësitë e kësaj situate dhe jo të vijojë me përcjelljen e pasojave të mëkateve të veta tek qytetarët.
Më lejoni t’ju jap vetëm një shembull për këtë, të absurdit ku i fut njerëzit kaosi i pronave. Pasi i sjell vërdallë për të regjistruar pronën, me muaj e me vite, sepse të tilla janë hartat e shpartalluara, pasi i tillë është legjislacioni, pasi e tillë ështe varravingoja burokratike; në fund, pasi kalojnë afatet j’u themi qytetarëve se duhet të paguash dhe kamatvonesë sepse nuk e ke regjistruar pronën brenda afatit. Ligji i ri parashikon amnisti për gjithë këtë varg, pagesash të pakryera në vite e vite, por jo si dhuratë e shtetit për qyetarët, por si larjen e një njolle që bie mbi vetë shtetin”-tha Lame.
Afate
Personat që kanë pronë për të rregjistruar dhe kanë shkelur afatet ligjore mund ta kryejnë rregjistrimin deri në 20 prill duke përfituar kështu faljen e kamatvonesave. Hyrja në fuqi e ligjit të ri për krijimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës do të sjellë edhe një “amnisti” për pronat e paregjistruara në zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në ligjin e mëparshëm parashikohej se nëse një kërkesë për regjistrim paraqitej më vonë se 30 ditë nga data e realizimit të tij, përveç tarifës së regjistrimit, për çdo ditë vonesë, që ka kaluar nga kjo datë, paguhej kamatëvonesë, e barabartë me 10 për qind të tarifës së regjistrimit, por jo më shumë se 300 000 lekë. Me ligjin e ri, parashikohet se të gjitha kamatëvonesat e gjeneruara nga sistemi i regjistrimit të pasurive të paluajtshme deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji, pra deri me 20 mars, do të shuhen. Nga data 20 mars deri me datën 20 prill ata që kanë veç tarifës së regjistrimit të pasurisë kanë edhe kamatëvonesë, do të mund të bëjnë regjistrimin duke paguar vetëm tarifën e regjistrimit, pasi kamatëvonesa u falet. Ligji i ri që parashikon shkrirjen e Agjencisë së Legalizimeve, Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjencisë së Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike është publikuar në Fletoren Zyrtare duke i hapur rrugë në këtë mënyrë nisjes së procesin konkret. Ligji i ri parashikon krijimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Kjo Agjenci duhet të krijohet jo më vonë se 1 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji, çka nënkupton se ngritja duhet të bëhet deri në 20 prill.
Certifikatat
Sipas ligjti të ri drejtoria vendore, në përfundim të regjistrimit fillestar ose pas regjistrimit të çdo kalimi pronësie nga një pronar te një tjetër, lëshon certifikatën e pronësisë. Certifikata e pronësisë është dokumenti unik i papërsëritshëm që provon titullin e pronësisë, statusin ligjor dhe kufijtë e pronës. Sipas ligjit Certifikata e pronësisë i lëshohet vetëm personit pronar ose bashkëpronarëve. Në rastin e bashkëpronësisë certifikata hartohet në aq kopje sa është numri i bashkëpronarëve. Ndërkohë që certifikata e pronësisë shoqërohet gjithnjë me kopje të kartelës kadastrale dhe hartës përkatëse kadastrale. Pas çdo ndryshimi të pronësisë mbi pasurinë, bashkimi apo ndarjeje të saj, lëshohet certifikatë, kartelë dhe hartë e re, sipas gjendjes së përditësuar. Sipas ligjit Certifikata e pronësinë, bashkëpronësisë lëshohet mbi bazën e një dokumenti ligjor origjinal që përcakton krijimin e këtyre të drejtave. Një certifikatë e lëshuar në kundërshtim me këtë parashikim konsiderohet absolutisht e pavlefshme. Ndërkohë lëshohet certifikatë dhe për vërtetimin e të drejtave të tjera reale mbi pasurinë e paluajtshme, si: qiraja, enfiteoza, përdorimi, uzufrukti, servituti, hipoteka etj. Modeli i certifikatës së pronësisë dhe i certifikatave për të drejtat e tjera reale mbi pasurinë miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Certifikatat që lëshohen jashtë modelit të miratuar nuk kanë asnjë vlerë ligjore.




Fusha e veprimit

Në këtë ligj përcaktohen rregulla për:
a) organizimin e regjimit kadastral të shtetit;
b) regjistrimin e pronave të paluajtshme private, shtetërore dhe publike, të të drejtave reale mbi to;
c) përmirësimin/përditësimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme;
ç) krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës
Kërkesa dhe afatet:
1. Çdo shërbim kadastral kryhet vetëm pas dorëzimit të një kërkese. Kërkesa është një formular tip që gjendet në sportelet e shërbimit ose on-line. Modeli i kërkesës miratohet nga Drejtoria e Përgjithshme, sipas llojit të shërbimit që kërkohet.
2. Agjencia publikon të gjitha llojet e shërbimeve që kryen kadastra, formularin e kërkes?s përkatëse dhe dokumentacionin shoqërues të kërkuar për çdo shërbim. Publikimi duhet të jetë i dukshëm dhe i arritshëm për çdo shtetas.
3. Çdo kërkesë për shërbim kadastral, që paraqitet rregullisht, trajtohet brenda 15 ditëve nga data e depozitimit, por në çdo rast jo më vonë se 21 ditë kalendarike.
4. Këshilli i Ministrave miraton rregullat për procedurën e trajtimit të kërkesave.
n Regjistrimi i kontratës së shitjes :
1. Kontrata e shitjes për një pasuri të paluajtshme regjistrohet në seksionin përkatës të kartelës kadastrale, pas verifikimit të elementeve të formës e të përmbajtjes së aktit noterial, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Shitja e pasurisë së paluajtshme private bëhet vetëm me akt noterial, të hartuar sipas kërkesave të Kodit Civil dhe të legjislacionit për noterinë.
3. Drejtoria vendore i krijon të gjitha lehtësitë noterit gjatë fazës së hartimit të kontratës së shitjes. Noteri mund të aplikojë për marrjen e informacionit kadastral mbi pronën, objekt shitjeje.
4. Agjencia bën publike të gjitha kërkesat që duhet të plotësojë pronari ose personi i interesuar për të regjistruar kontratën e shitjes. 5. Kontrata paraprake e shitjes regjistrohet në përputhje me dispozitat e Kodit Civil.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.