OPINION

10 mëkatet kapitale të ekonomisë shqiptare

07:45 - 11.03.19 Klodian Muço
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një ndër problemet kryesore të ekonomisë shqiptare përgjatë 28 viteve të fundit është mungesa e ritmit të njëjtë ndërmjet rritjes ekonomike dhe mirëqenies në kompleks. Rritja ekonomike përgjatë tranzicionit nuk shërben si një bazë stabël për të gjeneruar zhvillim të qëndrueshëm në kohë. Instabiliteti ekonomik që pengon zhvillimin në kompleks derivon mbi të gjitha nga 10 gabimet e rënda që ekonomia jonë vazhdon të mos i korrigjojë ndër vite: evazioni fiskal, mungesa e konkurrencës dhe pabarazia, korrupsioni, problemet e pronësisë, rënia e vazhdueshme e demografisë, largimi i studentëve dhe të diplomuarve ekselentë, e drejta e zgjedhjes, paaftësia e administratës publike, keqmenaxhimi i pronave publike si dhe burokracia.




Evazioni fiskal është një “sëmundje” shumë e përhapur, e cila asnjëherë nuk është ridimensionuar nga reformat e ndryshme. Një ndër raportet e fundit të Bankës Botërore evidenton se rreth 30% e bizneseve operon në informalitet, rreth 47% e TVSH-së nuk mblidhet e në disa taksa sipas tyre evazioni varion nga 50%-100%. Një reformë e aftë,, e cila do të bënte të mundur rekuperimin e kësaj shume, do të ndihmonte vendin të dilte nga kjo “stinë” e pasigurisë dhe do të bënte të mundur reduktimin e ndjeshëm të barrës fiskale aktuale. Sipas disa përllogaritjeve rreth 4/5 e pasurisë së fshehur në parajsat fiskale i përkasin vetëm 0.013% të popullsisë. Pra, janë të pasurit ata që bëjnë evazion fiskal. Janë ata që stimulojnë pabarazinë dhe përfitojnë nga mungesa e konkurrencës. Janë këta që influencojnë politikëbërësit të devijojnë rritjen ekonomike të vendit në favor të pasurimit të tyre.

Përgjatë viteve të fundit pabarazia e të ardhurave po rritet gjithmonë e më tepër, treguesi i Ginit është përkeqësuar me 7 pikë. Sipërmarrësit paguajnë gjithmonë e më pak në raport me fitimet e tyre ndërsa shumicës së qytetarëve u rritet kosto e jetesës dhe u ngelen gjithmonë e më pak para për konsum.

Një faktor tjetër që ka stimuluar pabarazinë dhe varfërinë është ai i korrupsionit, i cili pengon rritjen ekonomike, rrit kostot e investimeve dhe redukton cilësinë e tyre. Shpesh punonjësit e administratës publike të korruptuar kanë tendencën të korruptojnë edhe vartësit e tyre. Gjë kjo që sjell një përkeqësim të cilësisë së kapitalit institucional, ky i fundit është faktor përcaktues i përformancës ekonomike të vendeve. Pa nënvlerësuar rëndësinë e faktorëve socio-kulturor, është më se i verifikueshëm fakti se aseti institucional është faktor primar i cilësisë dhe intensitetit të procesit të zhvillimit në një vend të caktuar. Pasi janë institucionet ekonomike ato që garantojnë të drejtën e pronësisë pa të cilën një ekonomi tregu nuk do të mund të ekzistojë. Kjo e fundit nënkupton faktin që konsumatori në mënyrë demokratike në bazë të buxhetit që disponon ka të drejtë për të zgjedhur produktin më të mirë të mundshëm në treg.

Nobelisti në ekonomi për ’98-ën, Amartya Sen thotë se zhvillimi në vetvete është liria e zgjedhjes. Ne sot nuk zgjedhim dot, sepse demokracia jonë nuk është votuese-konkurruese, që ka si karakteristikë zgjedhjen e një elite të aftë. Ne sot votojmë për partinë dhe për shumë të paaftë që mbushin listat e tyre pa asnjë kriter. Demokracia e vërtetë duhet të pengonte në momente të caktuara pushtetin për të evituar abuzimet, duhet të orientojë politikat ekonomike.

Baza e çdo demokracie është menaxhimi i tregut nga ndërmarrjet dhe qeveria si mbikëqyrëse përcakton dhe monitoron rregullat e lojës pa mbajtur në asnjë moment anën e ndonjë ndërmarrje. Gjë që në Shqipëri ndodh krejt e kundërta. Te ne vazhdohet akoma të mendohet se zhvillimi ekonomik i vendit do të vij nga të huajt.

Zhvillimi duhet të vijë nga brenda, si ka mundësi që te ne vazhdojnë akoma drejtues të rëndësishëm apo me dhjetëra deputetë kanë një diplomë nga universiteti i ‘Kristalit’.

Jemi një vend ku mbretëron paaftësia, e cila vret shpresën. Mosha mesatare në Shqipëri përgjatë 25 viteve të fundit ka kaluar nga 21.4 në 35 vjeç. Nëse nuk do ndryshoj diçka shumë shpejt do të jemi një vend pleqsh, ku mosha për të dalë në pension do shkoj mbi 70 vjeç e të rinjtë gjithmonë e më tepër s’do gjejnë më veten në këtë vend e do largohen jashtë Shqipërisë.

Vitin e kaluar 24% e maturantëve zgjodhën të studiojnë jashtë, pjesa dërmuese e tyre nuk kthehen më në atdhe. Kjo nuk është një retorikë; është emergjencë për Shqipërinë. Ky nuk është problem i vogël, është një shkatërrim, truri po ikën.

Nëse nuk vendoset një sistem i qartë për të matur talentin, asnjë nuk ka më stimuj të bëhet.

Sipas militantëve partiakë nuk është e rëndësishme të studiosh pasi puna mësohet në praktikë. Kjo do të thotë që nëse të studiosh është e pa nevojshme, nuk ka më sens të shpenzohet në arsimim. Kjo gjë lë një pyetje pa përgjigje: si do të zhvillohet ekonomikisht vendi jonë?

Nëse një vend që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, lëndët e para ua jep të huajve t’i shfrytëzojnë pa bërë investime, ka mungesë të theksuar të kapitalit financiar. Këtij vendi hiqi dhe kapitalin human, ço edhe nëpër bordet e universiteteve publike ca militant partish që termat kërkim shkencor apo fonde për kërkim shkencor u shkaktojnë buzëqeshje pa fund. Si dreqin mund të kemi një rritje ekonomike të qëndrueshme ne?

Nga ana tjetër kemi një burokraci të ekzagjeruar, e cila e shoqëruar edhe me presionin fiskal të lartë, pengon investitorët e huaj dhe e bën të vështirë hapjen e vendeve të reja të punës.

Të korrigjosh të gjitha këto gabime në fakt nuk është e pa mundur. Evazioni fiskal të dënohet penalisht.

Të kalohet në një sistem fiskal flat tax 8% duke çuar evazionin fiskal drejt zeros bëhesh vendi me sistemin fiskal me kompetitiv në Europë dhe nuk rrënon financat publike.

Të ndryshohet sistemi zgjedhor për të votuar për individin dhe jo për partinë.

Të aplikohen konkurset e pikëzuara dhe transparente ku mesatarja në shkollën e lartë të jetë determinante në zgjedhje për pozicionet drejtuese

Kush shpërdoron paratë publike ti paguaj nga xhepat e tij, si ai që heq njerëz nga puna në mënyrë të pa drejtë po ashtu edhe ai që përcakton çmimet e rrugëve të njëjta me shtetet më të pasura të Europës duke harruar se ne jemi vendi me rrogat më të ulta.

Dr. Klodian Muço[1]

[1] Profesor i shkencave ekonomike tek universiteti “Aleksandër Moisiu”


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. I sakte jeni ne konkluzionet tuaja. Dua te shtoj diçka.Ne Shqiperi perveç administrates se larte,qe eshte e punesuar,te tjeret qe raportohen te punesuar, jane gjysme te punesuar.Me pagat qe marrin nuik e mbyllin muajin.Kjo eshte arsyeja qe shqiptaret po marrin rruget e largeta te emigracionit.

    Përgjigju ↓