Kryesore

Dhuna në stadiume, Rama: 3 vjet burg kush shkel tapetin e gjelbër

11:45 - 11.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Kush hynë në stadiume do të dënohet me 3 vjet burg dhe do të përjashtohet përjetë nga stadiumet”. Ky ka qenë propozim që ka bërë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se do të ndryshohet kodi penal në takimin e zhvilluar në ambientet e hotel “Tirana International” një takim mes FSHF-së dhe qeverisë shqiptare me temë: “Siguri-Reformim-Modernizim”.




Në këtë tryezë të pranishëm janë edhe përfaqësues nga Ministria e Sportit dhe drejtues të FSHF-së, si dhe nuk mungojnë as drejtuesit e klubeve elitare të futbollit shqiptar.

“Ne do të ndërhyjmë në kodin penal. Futja në tapetin e gjelbër do të dënohet me 3 vjet burg. Kush kalon vijën e bardhë dhe shkel në tapetin e gjelbër është kërcënim për ata që ushtrojnë detyrën.

Kështu që kemi domosdoshmërinë që ta diskutojmë me shpejtësi dhe ta aplikojmë këtë dënim. Minimumi tre vjet. Ndëshkime më të rënda sesa 3 vjet u praktikuan në 1989 në Angli për ti dhënë përgjigje përfundimtare dhunës si sport më vete.

Burgimi dhe përjashtimi përjetë nga stadiumi i atij që shkel vijat e bardha do të jetë hapi i parë që do bëjmë me parlamentin”.

Ndërkohë, duke vijuar më tej, numri një i Qeverisë, u shpreh se Policia e Shtetit dhe Federata duhet të bashkëpunojnë për të garantuar siguri në stadiume. Ndërsa propozoi pajisjen me kamera të gjitha impianteve. “Besoj se është kohë që Policia e Shtetit dhe Federata mos ja lënë topin njëri-tjetrit, por të bashkëpunojnë seriozisht. Ka një pengesë ligjore lidhur me organizimin e shërbimeve policore në mjediset e brendshme të stadiumeve. Klubet të detyrohen që të pajisin impiantet me kamera duke i dhënë mundësi policisë që të identifikojë të gjithë keqbërësit në stadium dhe duke i bërë të pakthyeshme kërkesat e prokurorisë.

Klubet i deklarojnë rrogat sikur të ishin fasone. Nuk do të ketë më kështu. Çdo klub duhet të deklarojë të ardhurat e futbollistëve. Asnjë klub nuk zbaton ligjin. Do të ketë lehtësira për sa i përket tatimit mbi fitimin. Do të vendosim një afat të caktuar kohor.

Flasim për stadiumet, por nuk kemi asnjë stadium të menaxhuar normalisht. FSHF është bërë si ambulancë që merr përsipër menaxhimin. Duhet që bashkitë së bashku me klubet të futen në një logjik të re. Duhet të diskutojmë seriozisht për një fond për infrastrukturën sportive. U takon pronarëve të klubit që të bëjnë administrimin e stadiumit. Propozoj të kthejmë futbollin në një industri të mirfilltë.

Do të krijojmë komisione dhe grupe të veçanta. Secili grup me aspektet e caktuara. E fundit që kam është nevoja për të parë mundësinë për zgjidhjen e arbitrazhit gjyqësor. Pse mos krijohet një strukturë këtu, por të shkohet deri në Lozanë. Për sa i përket dhunës, nuk do të tolerohet më askush.

Për pikat e tjera, t’i kemi mbyllur si materiale, brenda 100 ditësh. Jemi të gatshëm të vazhdojmë të mbështesim fuqimisht, federatën dhe futbollin. Së shpejti do të kemi stadiumin e Kukësit, si dhe kemi në radhë stadiumet e tjera, si Durrësi, Vlora, Fieri, etj. Futboll pa lek nuk bëhet. Me 100 tifozë depresiv, që vijnë të dielave, për të ushtruar talentin e tyre si mundës dhe boksierë, nuk i duhet dreqit jo më futbollit”, – u shpreh kryeministri Rama.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.