OPINION

Në dorë të popullit opozitar

07:18 - 16.03.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sot opozita reale e vendit mbledh “kuvendin” e saj. Në rrugë. Përballë Kryeministrisë. Në protestë. Sot të gjithë shqiptarët e mbajnë frymën tek ajo që do të ndodhë përpara godinës së Kryeministrisë në orën 11. Do të ketë shkatërrime objektesh(kërpudha dekorative nuk mund të konsiderohet objekt)? Nëse “më të zellshmit” do të provojnë të shpërthejnë kordonin policor, do të ketë gaz lotsjellës, si më 16 shkurt? Apo edhe më shumë? Opozita duket se do të qëndrojë në shesh më shumë se sa qëndroi atëherë. Pra, më shumë se sa pesë orë. Ç’do të bëjë? Ka në plan të hapë një çadër tjetër? (Në fakt, për këtë shumica të përgjigjen: si zor). Megjithatë, paqartësitë janë të gjitha aty. Njëlloj si 30 ditë më parë. Dhe gati po njëlloj si atëherë, nuk dihet se sa (anti)paqësore do të jetë kjo protestë e madhe. Do të mjaftohet me parakalimin e turmës me pankarta? Apo nga turma, sidomos nga ajo më e revoltuara dhe e vendosura të bëjë dëm, do të kërkohet diçka tjetër? Me gjithë këto paqartësi, te qytetarët mbizotëron mendimi se sërish, sot shqetësimin kryesor opozita (por jo vetëm ajo, edhe pozita, ndoshta edhe ndërkombëtarët) nuk e ka tek fjalët që drejtuesit e saj do të thonë. Ato dihen. Janë artikuluar prej kohësh tashmë. As edhe tek thirrjet që do t’u drejtojnë njerëzve. As edhe tek programi i veprimit të ardhshëm politik që do të shpalosë (nëse e shpalos). Jo. Aspak. Shqetësimi bazë, njëlloj si edhe më 16 shkurt 2019, është vetëm një: numri i qytetarëve në rrugë.




Do të jetë ai më i madh se sa një muaj më parë? Mendoj se po. Veprimi i tejskajshëm duhet t’i ketë galvanizuar jo vetëm përkrahësit e opozitës, por edhe mjaft të pakënaqur me qeverisjen e sotme. Por kryepyetja është diçka tjetër, për të cilën opozita ndihet fare e pasigurt, edhe pse kërkon në publik të duket e sigurt për të kundërtën. Kryepyetja është: a janë të pakënaqurit më shumë se gjysma e atyre që votojnë te ne? Në çdo vend tjetër të qëndrueshëm demokratik të botës, nëse sondazhet e tregojnë këtë, opozita përpiqet me çdo mënyrë paqësore (e theksoj, paqësore) të provokojë zgjedhje të jashtëzakonshme. Po, opozita jonë në rrugë? Ajo ndodhet në udhëkryq. Pas veprimit më radikal (shumë i rrallë, gati unikal) në një situatë paqësore të një vendi demokratik, atij të mohimit të vullnetshëm të së drejtës për përfaqësim të votuesve të saj në parlament, opozita jonë nuk e di vërtet se çfarë të bëjë. E tunduar mes veprimeve jo dhe aq paqësore (djegie gomash, thyerje xhamash kryeministrore, hedhje shashkash dhe shishesh molotov, etj.), që mund të ndezin një spirale dhune dhe mes fjalimeve të forta që karikojnë shumë pak dhe zgjasin akoma dhe më pak kohë. Ajo nuk ka më drejtues që të ngjallin besim. Që qytetarët të thonë në masë: “Po! Me filanin është e sigurt që fitojmë në zgjedhje”. Kauzës (moralit për ndryshim) së saj politike të luftës kundër kriminalizimit të jetës së vendit, korrupsionit galopant, kapjes së shtetit në çdo qindarkë të parave të taksapaguesve (që të gjitha arsye të drejta) do t’i duhej një hap fals i pozitës, i shumicës qeverisëse. Një tejkalim në përdorimin e forcës për të mbrojtur institucionet nga turma e revoltuar(mos e dhëntë Zoti një viktimë! Por të paktën një të plagosur fort për ta bërë hero).

Mirëpo me këtë ministër të Brendshëm profesionist, të ardhur nga një akademi ushtarake gjermane, si zor që të presë një “dhuratë” të tillë nga pozita. Mbështetja nga ndërkombëtarët për opozitën u pa se është e pakët, në mos gati zero. Kjo rrit pasigurinë dhe paqartësinë në radhët e saj (“Ku po shkojmë? Askush në Perëndim nuk po na jep të drejtë”. Opozita reale e vendit sot ka vetëm një aleat, popullin opozitar. Nëpërmjet pjesëmarrjes masive të këtij populli opozitar, opozita shpreson të kthejë në favor të saj ndërkombëtarët. Në mos të gjitha palët, të paktën partitë e djathta evropiane. Vetëm populli opozitar mund t’i japë asaj karburantin, kurajën e duhur për të vazhduar në këtë rrugë fare të pasigurt dhe me njëmijë të panjohura. Si qytetarë, urojmë që pjesëmarrja (duke përjashtuar aktet e dhunës) të jetë e madhe dhe të shërbejë si një mësim dhe pësim për qeverinë tonë, që ta mbajë atë të përgjegjshme për mënyrën se si na qeveris. Dështimi i protestës do të ishte karburant për shtimin e arrogancës së saj. Dhe mes të gjitha defekteve të sotme të qeverisjes, kapjes së shtetit, butaforisë dhe populizmit të skajshëm të saj, edhe një arrogancë e rritur e atyre që kemi mbi krye na duhet!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.