KULTURË

“EVERLAST”/ Gjashtë tregime me personazhe të vizatuara gjatë natës

18:00 - 29.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Fatmira Nikolli – Është çelur në “Stacion” – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë, ekspozita e artistit shkodran Lek M.Gjeloshi. E kuruar nga Vala Osmani, “Everlast” është ekspozitë, e cila eksplorohet nëpërmes video- instalacionit shumëkanalësh specifik për vendndodhjen, që bazohet në serinë e punëve monokromatike, i bërë gati për rrugëtim nëpër hapësirën e Klubit të Boksit.

Ekspozita zhvilloj një produksion të ri të punëve dhe një proces sfidues për artistin, i cili kërkon hapësirën specifike për të theksuar punën e tij. Monokromatika, e bardha dhe e zeza në punët e Lekës, i heq ngjyrat e realitetit për të krijuar hapësirë për një tonalitet shpirtëror mes soditësit dhe fragmentit të soditur, e hulumtuar me “efektet tjetërsuese të hapësirave në limb” (Forbes 2018). “Everlast” çliron imazhe nga kujtesa e afërme dhe e largët, duke këmbëngulur në një ngjyrë të vetme si formë e fundme e paraqitjes, me boksierin si personazh dhe me fuqinë e pafundme të (pa)njohur të pranuar nga hapësira, me artistin i cili qëllimisht eksploron referenca rrethanore dhe kinematografike për të ndërtuar tregime. Gjashtë tregimet, me personazhet e vizatuara gjatë natës, që përcillen në hapësirë, lëvizin ngadalë ose përpiqen të lëvizin, duke sfiduar, duke e përballur, duke ngritur kurthe, për të ndjellë shikuesin. Të zhveshura nga ngjyrat për të luajtur në këtë vendndodhje specifike, akoma me shtresat e ngjyrave ekzistuese, të cilat shënjojnë histori dhe kohë, Klubi i Boksit mirëpret vizatimet e “Everlast” dhe personazhet e saj, ku: Ringu i boksit është prapë i dukshëm. Boksieri në vetmi, godet në zbrazëti. Maca lëvizë brenda dhe jashtë. Era. Tingulli. Nusja. Boksieri i lodhur që bën dush, shkujdesur shtrëngon një shkop bejsbolli. Trupi duke qëndruar në vaskë.

Gratë mitologjike që shikojnë njëra-tjetrën, mbi trupin e boksierit. Personazhet e “Everlast”, të ekspozuar në një hapësirë të përjetshme, ringjallen në të, në mënyrë që të mund të vdesin përsëri. Boksieri dhe personazhet e tjera magjepsëse janë aty për të përsëritur, për të zhvendosur, për të shtyrë kufijtë e ngjashmërisë dhe të hapësirës (Sturtevant 2007). Në kulturën popullore, termi “Everlast” është sinonim i boksit, ndonëse kompania e filloi punën si fabrikë për prodhimin e kostumeve të notit në Bronx (SHBA) në vitin 1910. Në uebfaqen e kompanisë shkruhet që shtatëmbëdhjetëvjeçari Jacob Golomb filloi të prodhonte kostume për të cilat ai garantonte një kohëzgjatje njëvjetore. Ky titull e pozicionon artistin në një raport të mistershëm me të kaluarën e hapësirës së Klubit të Boksit dhe me historitë që provokojnë vizatimet e tija. Hapësira aktivizohet gjithnjë në marrëdhënie me përmbajtjen e veprimeve të njohura e të panjohura. Ajo do jetë e hapur deri më 27 prill. Lek M.Gjeloshi (1987, Shkodër, Shqipëri) studioi arte vizuale në Akademinë e Arteve të Firences, në Itali (2010). Praktika e tij artistike fokusohet në përpunimin e një intensiteti të veçantë, që çliron mungesa e një objekti të paracaktuar kërkimor. Ndër ekspozitat personale, përmendim: “Sleepwalkers” në galerinë ‘Zeta’ (Tiranë, 2018); “All my colours turn to clouds” në Villa Romana (Firence, 2016); “Off-cells” në Galerinë e Arteve të Shkodrës (Shkodër, 2016). Në vitin 2016 u shpall fitues i çmimit “Ardhje” për artistët e rinj, organizuar nga TICA – Tirana Institute of Contemporary Art në Shqipëri. Në 2015-ën ishte fitues i çmimit “Idromeno”. Ka marrë pjesë në një sërë ekspozitash kolektive që nga viti 2007, si: “Ex Gratia”, kuruar nga Adrian Paci dhe Rischa Paterlini në Collezione Iannaçone (Milano, 2018); “A time for dreams”, kuruar nga David Elliott në Muzeun e Artit Modern Moskë (Moskë, 2014); “Fuori Posto”, “Nuovo Cinema Masaçio” dhe “Lontano da dove?”, kuruar Pier Luigi Tazzi në  Casa Masaçio dhe në Fondacionin Lanfranco Baldi (Firence, 2014, 2013, 2012). Në vitin 2018 ishte artist në rezidencë në “Residency Unlimited”, Nju Jork. “Everlast” e artistit Lek M. Gjeloshi u mbështet nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës, x-print dhe DZG.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.