KULTURË

“Lëndina e arushëve” takohet me nxënësit në Muzeun Historik Kombëtar

16:38 - 29.03.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Takohemi për një LIBËR” ka mbledhur nxënësit e klasave të para të shkollës “Avni Rustemi” në muzeun Historik Kombëtar. E ftuara e këtij takim, shkrimtarja për fëmijë, Rovena Rrozhani lexoi për fëmijët botimin e saj më të ri “Lëndina e arushëve”. Më pas,  autorja ftoi nxënësit që të vijonin stafetën e leximit, duke kaluar nga njëri te tjetri e duke ndarë së bashku historinë e arushit Tom.  Fëmijët dhe shkrimtarja bashkëbiseduan për librat e tyre të parapëlqyer dhe për rëndësinë e leximit që në moshë të vogël.




Përveç leximit, fëmijët mësuan edhe për dukurinë e arinjve në robëri si dhe informacionet të tjera për kafshët dhe natyrën. Leximi i këtij libri, i pari me tematikë mjedisore në letërsinë e sotme shqipe për fëmijë, përkon me ditën kur e mbarë bota përgatitet për të zhvilluar aktivitetet për “Ora e Tokës”. Pikërisht në kuadër të kësaj dite, shkrimtarja u foli fëmijëve për rëndësinë e mjedisit në jetën e njeriut. “Është ky brezi që do të ndryshojë të ardhmen jo vetëm të vendit tonë por edhe të globit”- thotë Rovena Rrozhani duke theksuar se edukimi mjedisor është po aq i rëndësishëm sa edhe edukimi kulturor. “Një fëmijë e ka në vetvete dashurinë për natyrën, por nëse ne i japim modelet e duhura dhe kultivojmë edukatën për sjelljet të duhura ndaj mjedisit do të kemi një shoqëri që do të vërë në plan të parë ruajtjen e natyrës” – shprehet shkrimtarja.

Në përfundim të takimit, nxënësit vizituan edhe disa pavione të muzeut. Takimi i organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar vjen në kuadër të  fushatës “Lëvizja kombëtare për lexim” nismë e Ministrisë së Kulturës. Mbështetja e kësaj fushate synon të orientojë shoqërinë, në veçanti brezin e ri, drejt kulturës së të lexuarit.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.