KULTURË

“NATËN, MA” / Mjerimi i njeriut modern në “Metropol”

18:00 - 29.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Oltion Kadaifçiu*  – “Natën, ma”. Një pjesë për të qarë me dy personazhe. Ora e fundit para vetëvrasjes së një vajze që nuk po ia del dot më të mbajë barrën e jetës. Plot kohë më herët fort i nderuari psikiatër që kisha nderin t’i numërohesha si koleg lexonte në frëngjisht një libër për vetëvrasjen e më tregonte për rrëfimet që i tërhiqnin vëmendje. Profesor filani dhe e shoqja vendosin 30 vjet më herët që në filan moshë filan ditë të dy së bashku do ta mbyllin jetën, pse e gjykojnë që jeta varfërohet e mbas tridhjetë vjetësh bëjnë ashtu. Nga ai e lloj-lloj burimesh të tjera dimë: mendimet e Hjumit që thoshte se asnjë jetë që ia vente të ruhej nuk është humbur nga vetëvrasja; veprën e Gëtes “Vuajtjet e djaloshit Verter”, që ai e mbyll me vetëvrasjen e heroit e që e ndoqën një sërë vetëvrasjesh, vdekja e Luçio Batistit nxiti rritjen e vullnetit vetëvrasës ndër italianë, më tregonte dikur një kolege italiane, që kish shërbyer në një shërbim telefonik për njerëz me nevoja psikologjike të veçanta. Kadare na tregonte për ata kaukazianët andej që vrisnin veten për rritje të vëmendjes për veprën e tyre letrare. Ne vetë nderojmë vetëvrasjen heroike të vajzave që hidheshin e vetëvriteshin me ndonjë mënyrë, kur mbrojtja thyhej e hasmi i bëhej vendit zot deri tek ai shkëmb i thepisur në mal. Ajo që dua të them është se vetëvrasja ka një lirshmëri, që nuk është e papranuar ndër shokë e shoqe. Ka legjitimim personal në të. Por nga ana tjetër është mëkat dhe Dante i digjte në lumin e zjarrtë Legeton, së bashku me dhunues të fqinjit apo të Zotit. E këto kahje janë ndër rivalitete. Dhe ku është ky ekuilibri që njerëzit krijojnë mes tyre për të ndarë një vetëvrasje të pranueshme nga ajo e papranueshmja? Në shumicën e rasteve rrethanat janë të atilla që opinioni yt është i papërdorshëm, qoftë edhe për vetë ty.




Vepra e Marsha Norman, “Natën, ma”, që është edhe fituese e një çmimi “Pulitzer” ka një vajzë në prag të vetëvrasjes. Jeton me të ëmën që pas divorcit dhe u bindet angazhimeve që kjo marrëdhënie ofron. E lindur me një sëmundje të trashëgueshme që ka edhe krizat epileptike ndër simptomat të veta, ka një mosvazhdimësi të kujtimeve në kohë. Por edhe një martesë. Një burrë që dikur iku, një djalë që u rrit jashtë vëmendjes së nevojshme dhe u dha në drogëra dhe kriminalitetin e nevojshëm për ta siguruar. Një rënie nga kali dhe pastaj trajtim me mjekime të reja, që sigurojnë një ruajtje më të shëndetshme të kujtesës.
E në fjalë të saj, pasi u kthjellua mbi ç’po ndodhte, vendosi të vrasë veten. Njofton e i lë porositë mamasë në orën e fundit. Një grua që është plakur dhe tashmë robinjë e një asketizmi sistematik. Me një shoqe që ka dy zogj. Me një djalë. Me një burrë që gjithashtu kish vuajtur prej sëmundjes e kish krijuar me vajzën marrëdhënien e afrimitetit familjar edhe në kurriz të marrëdhënies me gruan. Ai shkonte për peshk dhe nuk dilte nga makina, por rrinte brenda, e thurte me tel figurina.
E në këtë orë të fundit, një marrëdhënie familjare nënë e bijë. Vajza që është edhe duruese, edhe në hall. Ka marrë masa që e ëma të ketë kohë të mendojë duke ia bërë shtëpinë gati. I kërkon mirëkuptimin, bekimin e saj. E nëpër ulje-ngritje emocionale, zbulojnë të panjohura që i mundonin prej kohësh. Diskutojnë. Zihen, qeshin, qajnë. Në fakt, qamë të tërë bashkë. Mezi i mbajtëm lotët. Regjisorja Ema Andrea vetë ishte dendur në të qarë. Unë nuk di as vetë nga e fsheha një lot që më rrodhi. Kur në fakt nuk u dëgjua as krisma e vetëvrasjes! Për ata si puna ime që ishin për ta parë pjesën për herë të dytë, pas asaj të para ndonja dy muajve, kur shfaqja ishte sërish te Metropoli, mungesa e krismës ishte me interes. Unë i mbreha veshët dhe ishte qetësi kur errësira po binte dhe krisma po vononte. Nuk dukej të ishte faji i armës, sepse as gishti në këmbëz nuk lëvizi.
Ata e dinin. Atë krismë e kishte pasur edhe Marsha Norman edhe regjisorja Ema Andrea në serinë e parë të këtyre vënieve në skenë. Ç’janë këta lot?

Shfaqja tani.

Ema Andrea ka një pëlqim për teatrin anglofon të ca autorëve që eksplorojnë kufijtë e njerëzores në shoqërinë urbane. Të alienuar, disi të sëmurë, por njerëzorë. Sa më njerëzorë. Ky eksplorim i vazhduar i zonjës Andrea në këtë brez të gjerë autorësh të spikatur që numëron Sarah Kane dhe Jon Fossen dhe ndonjë tjetër që unë nuk po di ta përmend tani, është tregues i një marrëdhënie me rëndësi të shtuar, i një besimi të shtuar në detyrat shoqërore të teatrit.
Ilire Vinca dhe Egla Ceno janë një zgjedhje fort e mirë e zonjës Andrea. Zonja Vinca e ka edhe qetësinë e duhur edhe energjinë e bollshme në shpërthim. Ajo i di kufijtë e më shumit në emocion dhe ka forcë të mbajë tensionin e lartë të shtrirë të shtrirë rehat nëpër gjendje humori e skena të gjata a të shpejta qofshin. Një aktore e arsyeshme, që nuk ka frikë të lëshohet më rrjedha emocionale të personazhit e t’ia ofrojë edhe shtatin, edhe portretin e vet…
Ceno është gjithashtu një emër i spikatur i skenës sonë. Ajo di të përhapet brenda personazhit duke mbajtur vetë sa duhet. Edhe është e mobilizuar, e fortë dhe e praktikuar. Me një përdorim shumë të mirë të fjalës. Me lëvizje simbolike që përcjell emocione, me kumbime muzikale. Që në fillim skena është e ngritur arsyeshëm. Në një televizor me zë goxha të ulët, është një lexim aktiv i veprës, në anglisht më duket? Nja tre komodina si dollapë përreth. Ca rrëmujë, po jo aq shumë, por ca si më shumë. Tamam siç ka shkruar edhe autorja, por edhe me vibrime më të afërta. Meqë ra fjala, publiku kishte kontribute të mira në suksesin e shfaqjes edhe si prani, edhe si aftësi për të akomoduar të vërtetat dhe vërtetësinë e veprës.

*Kritik


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.