KULTURË

Reshat Arbana probleme me zemrën, shtrohet në spital

18:00 - 29.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Aktori i njohur Reshat Arbana është shtruar në spital ditën e mërkurë. Lajmi në media ka dalë dje i konfirmuar nga burime spitalore. Të njëjtat burime thonë se Arbana e mban prej kohësh zemrën në kontroll pas një ‘bypass’-i të kaluar. Pas dy ditësh në spital, gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar, por ai vijon të mbahet nën vëzhgimin e mjekëve. Për shkak të problemeve shëndetësore, ai është shtruar me urgjencë në pavionin e Kardiologjisë në QSUT. Ikona e skenës shqiptare, Reshat Arbana, ka festuar 78-vjetorin e lindjes vitin që shkoi. Ditën e festës ai tha se asnjëherë nuk i ka festuar përvjetorët, sepse nuk i do. “Më krijojnë emocione shumë të mëdha, por sonte po më duket krejt ndryshe. Për burrin qenka trimëri e madhe të bëhet 78 vjet, e të ecë nga 80-ta, por na qenka edhe një mjerim i madh, kur mendon se ku do iki pas këtyre viteve që po kalojmë. Po ishallah në atë dynja, do shkojmë tek ai vendi i mirë, jo tek ai i keqi. Faleminderit shumë, ju jam shumë mirënjohës, jashtëzakonisht faleminderit! Kam emocione shumë, më besoni që kam shumë emocione. Por, ju falënderoj shumë me gjithë zemër dhe jua shpërblefsha që të gjithëve në gëzime, në festa nëpër familjet tuaja”, qe shprehur Arbana. Reshat Arbana lindi më 1940 në Tiranë. Ka mbi 35 role në kinematografi, brilant në karakteret që ai shpreh, si në rolet negative, edhe ato pozitive.




I jep frymë e shpirt rolit dhe pjesë nga e vetja e vet më shumë se ngjizet në atë rol, i jep fizionominë e vet, pasi për këtë legjendë të artit shqiptar nuk ka ndalje, ai jep gjithçka për artin. Studimet e larta i kryen në vitin 1968. Fillimisht punon në radio, më pas vitit 1977, aktor i Teatrit Kombëtar dhe i kinematografisë shqiptare. Ndër rolet më të spikatura në film është Samiu tek “Fije që priten” 1976. Isa Boletini është një nga rolet që i shkon më për shtat aktorit të madh Reshat Arbana te filmi “Nëntori i dytë” në vitin 1982, prefekti tek “Gjeneral gramafoni” 1978, Bimbashi tek “Liri a vdekje” 1979, Ahmeti tek “Dora e ngrohtë” 1983, Adnani tek “Hije që mbeten pas” 1985, Aliu tek “Binarët” 1987, Emili tek “Rikonstruksioni” 1988, Kuke Memini tek “Balada e Kurbinit” 1990. Për rolet e Dajlan Beut tek “Kush vdes në këmbë” 1984 dhe Kryetarit të Këshillit tek “Kur hapen dyert e jetës” 1986 ka fituar Medalionin e Festivalit të Filmit më 1985 e 1987. Më 7 tetor 2011 Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i akordoi zotit Reshat Arbana Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Aktorit të shquar të teatrit dhe kinematografisë, i cili me interpretimin mjeshtëror dhe origjinalitetin e tij u bë një artist popullor e shumë i dashur për publikun, rolet e të cilit kanë pasuruar me vlera të reja kulturën kombëtare”. Në 21 nëntor të 2018 ai fiton çmimin aktori i vitit tek Çmimet Kult me rolin e babait tek “Babai”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.