MILOSAO

Enton Panariti, një rikthim te ngjyra

18:00 - 31.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Staf “Milosao” – Gati dy javë më parë, piktori Enton Panariti, iu përshfaq publikut në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar me ekspozitën e re ‘Hapësirë, forma dhe ngjyra’, ku përmblodhi realizime të 10 viteve të fundit. Ajo që ngacmoi kërshërinë dhe gjykimin e të pranishmëve por edhe ndjekësve të tij ishte pa asnjë dyshim ngjyra. Autori gërshetoi botën e tij dhe përshkrimet e nënvetëdijes brenda një trekëndëshi gati bazik jetësor për të, pikave fokale me të cilat i dha frymë dhe ekspozitës. Dhe, hapësira, ngjyrat dhe forma ishin kufijtë e vetëm të idesë së tij për të sjellë një materie ideore me të cilën ai u prezantua në këtë stad të punës së vet.
Evolucioni i punës së tij përmbledh një vazhdimësi dhe një vizitor ka mundësi të kundrojë dhe detajet, apo si janë sjellë punimet e autorit me këtë materie në kohë të ndryshme. Entoni e përshfaq veten si një vëzhgues të kujdesshëm dhe jo vetëm kaq por edhe një artist me shumë përgjegjësi qytetare për idetë që e ngërthejnë.
Perceptimi i përditshmërisë së jetës së tij duket se ka ngarkesën. Ngjyrat e kësaj ekspozite kërkojnë hapësirën e tyre por edhe mënyrën sesi përshkon konceptet penelata e autorit. Kontrastet që realizojnë ngjyrat kryesore të spektrit, si e kuqja, bluja, e verdha, bardhë, e zezë na shpërfaqin një autor me vlera por edhe një njeri që e ngacmon gjithçka e cila shkon përreth. Vëzhgimi i mprehtë por edhe sintezat që bën gjykimi i Panaritit, shkon në një ekuacion me vetë atë mënyrë sesi ngjyra zbërthen veten në hapësirën e vet, që e percepton autori. Entoni s’është thjesht një vëzhgues por mundohet të vendoset që të drejtojë të gjithën këtë, ku instiktivisht e fut unin e vet dhe çdo gjë e cila lidhet me cilësitë e tij më të mira dhe përpjekja është që natyra e cila i përballet ka një regjistër me vetë perceptimin. Autori i atribuon veten dhe aftësi perceptuese por edhe interpretuese sipas një regjistri shumë specifik që ka ngritur në vetvete dhe me të cilin përpiqet të krijojë artin e vet.





Në këtë ekspozitë të fundit, specialistët vërejtën se Entoni ndër vite ka ndryshuar dhe sidomos përmirësuar jo vetëm idetë dhe perceptimin e materies, por edhe teknikën dhe sidomos disiplinimin para idesë. Të gjitha këto faktorë, që një pjesë e dashamirëve të tij, e lidhnin me fëmijërinë dhe me një kohë ku megjithë përkorjen ka pasur shumë dritë, e bëjnë pikturën e tij shumë vitale dhe që e kërkon bashkëbisedimin direkt me përfytyrimin që ngrihet të çdo shikues. Dhe, një gjë e cila nuk duhet lënë mënjanë: në artin e këtij piktori, shumë nga bashkëmoshatarët e vet por edhe më shumë akoma dhe breza të tjerë gjetën një pjesë të përfytyrimit të tyre për jetën dhe kohët në të cilët kemi jetuar.
Dhe, autori u mundua që atyre, që mëdyshonin për ngjyrën t’u theksonte dhe një element, që ka pak karakter antik: dritën e parezistueshme të Mesdheut, atë për të cilën janë derdhur poezi pa fund dhe bota e ka futur në të gjitha gjinitë e artit që në kohët antike. Entoni bëri një vend modest në këtë koloni duke e lidhur me materien e vet, shoqëruar në çdo kohë me perceptimin që vjen para së gjithash nga nënvetëdija, atje ku kujtimet e fëmijërisë, bashkëjetojnë me sintezat e leximeve, kultura dhe mesazhet që jep përditmëria.
Ndaj, në telajo të ndryshme “ngjyrat janë konceptuar si një lloj muzike. Një telajo përfaqëson diçka personale, që lidhet me një situatë të caktuar. Zakonisht është ngjyra dhe drita, ngjyra është ajo që në këtë rast bën dritën” thotë piktori Panariti. “Nga të qënit në Amerikë unë kam mësuar shumë gjëra, por ajo që ka ngelur gjithmonë me mua nga Shqipëria atje ka qenë gjithmonë drita” u shpreh ai në ditët e ekspozitës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.