MILOSAO

Për Endri Kekon dhe ata që iu dedikuan dokumentarit shqiptar

18:00 - 31.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni  – Endri Keko, një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare, sot do të ishte 95 vjeç (1924 – 1989). I mirënjohur nga publiku kryesisht si regjisor i filmit dokumentar, për afro 30 vjet ai fiksoi në ekran… jetën e shqiptarëve në të katër anët e vendit, njerëzit që me shembullin e tyre udhëhiqnin rindërtimin dhe më pas ndërtimin e vendit, intelektualët e spikatur që i bënin nder vendit, ngjarjet madhore të Shqipërisë… Me krijimtarinë e tij, në harkun kohor të viteve 1952 – 1979 regjisori Endri Keko ishte padyshim firma e parë e filmit dokumentar shqiptar, personaliteti më i spikatur i kësaj gjinie dhe më i vlerësuari.




Për ata që duan të gjejnë prob leme me këtë figurë e kanë  të lehtë. Endri Keko ka punuar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore dhe është i pari dokumentarist, i shpërfaqur në të gjitha zhanret e saj, që solli frymën e Shqipërisë së pas luftës, një vendi krejt gërmadhë dhe me shumë shpresa. Ndonëse shumë nuk e kuptojnë ose bëjnë sikur nuk e kuptojnë, Shqipëria e viteve ’50 ishte e mbushur me një frymë optimizmi dhe paqe mirëfilli, që buronte nga paqësia e një sistemi ekonomiko-shoqëror shumë “idealist”. Po mbylleshin plagët e luftës dhe njerëzit po mësoheshin me këtë sistem që të mbushte asokohe me frymë paqe dhe ngadhënjimi. Mbështetja te Bashkimi Sovjetik dhe garancia e kësaj lidhje e bënte më të paqtë gjithçka, kurse vendi dalëngadalë po binte nën letargjinë nanuritëse të propagandës së re. Ashtu si çdo regjim mundohet të përshfaqë fillimisht imazhin e vet, edhe sistemi socialist po vinte mes njerëzve me anë të frymës së një paqësie dhe pune, por edhe optimizmi të pafre, ku shqiptarët për herë të parë e shikonin njëri-tjetrin si të barabartë.

Endri Keko, ashtu si pak kolegët e tij pionerë në këtë fushë arti, nuk mund të bënin desidentët në një terren që ende nuk e njihnin, por duhet të afirmonin besimin që vendi i tyre u kishte dhënë duke i shkolluar në shkollat më të mira të filmit të asaj kohe, teksa duhej të kapnin shpirtin e popullit të tyre, mbushur plot ngazëllim. Por siç ndodhte, specialistëve si Endri Keko u duhej t’i bënin vetë të gjitha në fushat e prodhimit sepse grupet e bashkëpunëtorëve që u përgjigjeshin jo thjesht ishin larg nivelit të tyre, por duhet të mbushnin diferenca kulturore dhe profesionale të mëdha, që vinin nga formimit dhe mungesat e honëta.
Ndaj, këtu duhet të besohet ditari dhe fryma që sjell Endri Keko. Ai është si të gjithë i mrekulluar me Enver Hoxhën ndërsa inkurajimi që i bëhet për punën duhet ta justifikojë sa më mirë. Keko jo thjesht do ta tregojë por më shumë se çdo gjë tjetër do t’i japë fizionominë e vet dhe madje do të jetë novator, paçka se sot shumë kinse bëjnë sikur do të ishin të aftë t’ia plasnin hapur regjimit.

Përcjellja e idesë, dokumentimi i frymës së kohës, gërshetimi i tablove dhe mënyra e vendosjes së kamerave janë nga gjërat më të arrira që bën ky autor. Edhe njëherë tjetër: është herët të bëjë desidentin, siç pretendojnë shumë, por na jep dokumentimin e saj kohe, në frymën e një dokumentaristi shumë profesionist me një material autentik që do t’i shërbejë studiuesve, historianëve, antropologëve, studiuesve të ndryshëm dhe politikanëve, por pa lënë pas dhe kolegët e sotëm të dokumentarit.
Endri Keko shkon kudo. Kap me kujdes rrethanat që përcaktojnë ngritjen e individit shqiptar dhe jep mënyrën sesi përcillet lidhja e madhe e ideologjisë me angazhimin e njerëzve. Duke njohur mirë punën nën presione ideologjike, dekada më vonë, kur ai nuk do të jetë më gjallë, kolegë më të rinj dhe realisht profesionistë jo vetëm e justifikojnë por e nderojnë duke treguar dhe një respekt për artin shqiptar të dokumentarit.

Vetë Endri Keko nuk mund të ndihet më në këtë kohë, ku propaganda ka marrë kah tjetër, por pas la kujtimin e një artisti të madh dhe të respektuar, e mbi të gjitha shembullin e një njeriu, që paçka çfarë fryme përcolli (i diktuar prej kohës dhe rrethanave), tregoi se arti e gjen shtegun e vet, paçka përmbajtjes së diktuar.

NË PËRVJETORIN E NJË KINEASTI TË SHQUAR SHQIPTAR

Endri Keko, një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare, sot do të ishte 95 vjeç (1924 – 1989). I mirënjohur nga publiku kryesisht si regjisor i filmit dokumentar, për afro 30 vjet ai fiksoi në ekran… jetën e shqiptarëve në të katër anët e vendit, njerëzit që me shembullin e tyre udhëhiqnin rindërtimin dhe më pas ndërtimin e vendit, intelektualët e spikatur që i bënin nder vendit, ngjarjet madhore të Shqipërisë… Me krijimtarinë e tij, në harkun kohor të viteve 1952 – 1979 regjisori Endri Keko ishte padyshim firma e parë e filmit dokumentar shqiptar, personaliteti më i spikatur i kësaj gjinie dhe më i vlerësuari. Fitues i Kupës për filmin më të mirë dokumentar në Festivalin e dytë të Filmit Shqiptar (1977) dhe Festivalin e tretë të Filmit Shqiptar (1979), fitues i Çmimit të Nderit në Festivalin e Karlovivarit (Çekosllovaki – 1952), Diplomës së Nderit në Festivalin e Moskës (BRSS – 1959), Medaljes së Bronzit në Festivalin e Parisit (Francë – 1962) dhe Diplomës së Nderit në Festivalin e Laipcigut (DDR – 1962), fitues i tre Çmimeve të Republikës në vitet 1959, 1970 dhe 1979, fitues i shumë çmimeve në konkurset letrare për skenarë filmash, Endri Keko, Artist i Popullit, vazhdon të konsiderohet edhe sot, një nga personalitetet më të spikatura të kinematografisë shqiptare. Filmat dokumentarë “Shqipëria”, “Dritë mbi Shqipëri”, “Pranvera e nëntë”, “Në shtigjet malore”, “Letër nga fshati”, “Ringjallje”, “Vallzim i shqipeve”, “Në flakë të revolucionit”, “Rruga jote, shok”, “Tregim në sytë e nënës”, janë vetëm disa nga titujt e realizimeve që mbajnë firmën e regjisorit që lëvroi me sukses të gjitha zhanret e saj, që nga filmi kronikal, kinoreportazhi e kinopoema deri tek filmi dokumentar e ai artistik.
Me të njëjtin përkushtim e me të njëjtën dashuri, Endri Keko e hodhi jetën dhe aktivitetin e tij artistik, edhe në letër. Janë mijëra faqe me shënime në arkivin e tij personal që e dëshmojnë këtë jetë intensive dhe këtë punë pasionante e që ai në gjallje punoi për ta sistemuar e botuar. Një pjesë i botoi në shtypin e kohës, por pjesa më e madhe ende nuk e ka parë dritën e botimit. Deri atëherë, ne po sjellim për lexuesit nga ditari në dorëshkrim disa momente nga meditimi i regjisorit Endri Keko në përvjetorët e kinematografisë shqiptare.

Në 95-vjetorin e lindjes së kinoregjisorit Endri Keko

KRISTAQ DHAMO
– regjisor
Endri Keko është autor i të parit film kronikal dhe regjisor i të parit film tematik. Edhe pse parapëlqente temën politiko – shoqërore, ai ka hyrë dhe ka mbetur në historinë e kinematografisë sonë si një dokumentarist i gjithanshëm dhe nismëtar thuajse i të gjitha zhanreve të filmit dokumentar: kinoreportazhit, kinoportretit, filmit pamflet, biografik, muzikor, historik, kinopoemës dhe dokumentarit me subjekt.
VIKTOR GJIKA
– regjisor
Ai ka ditur të pasqyrojë drejt në kinematografinë tonë dokumentare momentet e kthesave të mëdha në psikologjinë dhe mentalitetin e njerëzve të lidhur ngushtë me kushtet historiko – shoqërore, ndaj me të drejtë thuhet: Filmat e regjisorit Endri Keko kanë vulën e kohës.
DRITËRO AGOLLI
– shkrimtar
Endri Keko e donte si jetën kinematografinë dhe gëzohej si fëmijë për ecjen e saj, se vetë ishte nga pionierët e parë të lindjes së këtij arti të ri në vendin tonë. Ai ishte i pari që krijoi kronikën kinematografike dhe filmin dokumentar. Po t’i shohësh sot filmat e regjisorit Endri Keko, do të ndjesh atmosferën e viteve kur janë xhiruar, por do të vesh re edhe ndjenjën e hollë të perspektivës, që kishte ai për vendin dhe njerëzit. Ashtu siç do të konkludosh se, filmat e tij ishin sintezë e përgjithësues, pasi ngjarjet dhe faktet e vërteta të jetës ai i ngrinte, i arsyetonte dhe i jepte përmes filmit në lëvizje, dhe do të kuptosh se, Endri ishte dhe një parashikues realist e në të njejtën kohë romantik, një njeri dhe artist që dinte të ëndërronte, që e donte dhe e çmonte të bukurën.
MEVLAN SHANAJ
– regjisor
Çmoj me bindje se një emër si Endri Keko, nderon padyshim kulturën tonë të ekranit, e cila ka vendosur themelet e profesionalizmit dhe pasurisë sonë kombëtare, në gjithë mendjet dhe zemrat e brezave që me mund e sakrifica, nuk rreshtën së dhëni më të mirën në transformimin e vendit. Endri Keko ka meritën e krijimit të dokumentarit jo vetëm pasqyrues, por edhe atij artistik. Janë të paharruara për publikun por dhe shumë të çmuara për studiuesit e kinemasë shqiptare kuadrot e dokumentarëve të tij, kuadro që kanë sjellë natyrën, ngjarjet, jetën dhe njeriun shqiptar të atyre viteve me një vërtetësi të rrallë.
LLAZAR SILIQI
– poet
Realizmi dhe poetika në filmat e regjisorit Endri Keko ndërthuren aq bukur sa jo vetëm të befasojnë, por edhe të frymëzojnë.
KIÇO BLUSHI
– shkrimtar
Regjisorin Endri Keko në krijimtarinë e tij më të mirë e dallon gjuha e gjallë dhe krahasuese, shprehëse dhe poetike, kuadri i pastër dhe komunikimi me spektatorin.
SOFOKLI AFEZOLLI
– gazetar
Endri Keko padyshim ka preferuar temën politiko – shoqërore në kinematografi. Por, atë e njohim si një dokumentalist të gjithanshëm. Ai është po aq politik sa dhe mjeshtër sensibël në filmin “Vallzim i shqipeve”, sa krijues me nota të holla romantike në filmin “Ringjallje” aq dhe pamfletist i mprehtë në filmin “Në flakët e revolucionit”.
KUJTIM GJONAJ
– regjisor
Endri Keko është një ndër regjisorët më të shquar të Kinostudios, është pionieri i parë i saj dhe është mësuesi i dhjetra e dhjetra kineastëve.

NË RRUGËTIMIN E KINEMATOGRAFISË SHQIPTARE

Nga Endri Keko

E Enjte, 10 Korrik 1952
Dola nga shtëpia pa lindur mirë dielli dhe mora rrugën për në Kinostudio.
Mëngjesi ishte me qiell të pastër dhe i freskët.
Anembanë, në shtylla telefoni dhe elektriku, në ballkone e në dritare, ishin varur flamuj e parrulla. Përkujtohet dita e krijimit të Ushtrisë sonë Popullore.
Gjatë rrugës, takova dhe shumë nga ata që sot e tutje do të përbëjnë kolektivin e Kinostudios. Më duket si çudi që po e fillojmë punën me kaq pak njerëz, një pjesë e mirë fare të rinj, pesëmbëdhjetë – gjashtëmbëdhjetë vjeçarë. Shumica nuk e kanë idenë e punës në kinematografi, por, tek të gjithë ndihet entuziazmi për punën që na pret në të ardhmen.
Kur hymë në Kinostudio ora po shkonte gjashtë. Çdo gjë shkëlqente. Më bukur as që mund ta imagjinoja. Edhe zogjtë sikur këndonin ndryshe. Një ndjenjë e thellë kënaqësie më pushtoi.
Jashtë, në oborr, vazhdonin punën teknikët e Kinostudios dhe të Radio – Tiranës për vendosjen e mikrofonave dhe altoparlantëve. Dolën aty edhe kinooperatorët me aparatet e xhirimit dhe bashkë me ta fotografi i ATSH.
Në orën nëntë rruga përpara Kinostudios ishte mbushur plot me njerëz që kishin ardhur nga qyteti më këmbë apo me biçikleta, karroca, kamionë, pajtonë. Kishte aty nëpunës e ushtarakë, punëtorë, nëna dëshmorësh, invalidë të luftës, nxënës, artistë, shkrimtarë.
Ndërkohë, fshatarët që kishin ardhur nga ana e Dajtit lëviznin ngadalë përbri kangjellave të oborrit të Kinostudios dhe prej andej përpiqeshin të shikonin sa më mirë ato që i tërhiqnin më shumë në vështrimin e parë, statujat mbi hyrjen kryesore.
A kishte kënaqësi më të madhe për grupin e skulptorëve dhe piktorëve tanë që punuan këtu për muaj të tërë… Odise Paskalin, Janaq Paçon, Vangjush Mihon, Abdurrahim Buzën, Llazar Nikollën, Andrea Manon, Nexhmedin Zajmin, Sadik Kacelin, Enver Toptanin, Qamil Grezdën?
Kur ora po afronte dhjetë dhe oborri i Kinostudios ishte mbushur plot, dikush porositi që të pakësoheshin lëvizjet e tepërta. Kaq u desh. Anembanë u hap lajmi se në inaugurimin e Kinostudios do të vinte vetë Enver Hoxha.
Të mëdhenj e të vegjël filluan të shtyhen, të ngjeshen, të ndërrojnë vendet, të dalin përpara. Eshtë dëshira e të gjithëve për ta parë sa më afër udhëheqësin.
Shkova tek operatorët. Jani Nano me Mehmet Kallfën morën aparatin me gjithë stativ dhe e vendosën pranë hyrjes kryesore. Kjo lëvizje e bërë me shpejtësi hoqi nga njerëzit edhe atë pak dyshim që mund të kishte mbetur për ardhjen e Enver Hoxhës. Filluan këngët, parrullat, duartrokitjet. Dita e filmit po festohej si një nga ngjarjet më të mëdha të Shqipërisë.


Në orën dhjetë, dikush thirri “erdhi!” Si të gjithë, edhe unë ktheva kokën andej nga pritej të vinte Udhëheqësi. Pa kaluar disa sekonda, tek hyrja kryesore pashë të zbriste nga vetura Enver Hoxha i veshur me kostum të bardhë. Pas tij, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor Omer Nishani, antarët e Byrosë Politike Hysni Kapo, Gogo Nushi, Beqir Balluku e Spiro Koleka dhe nënkryeministri Bedri Spahiu.
Oborri oshëtiu nga ovacionet e pandërprera.
Eshtë e para herë që ndodhem kaq pranë tij, dhe, me siguri, po të më kishte pyetur si e ke emrin, nuk do t’i isha përgjigjur dot.
I qeshte fytyra, i qeshnin sytë. Ai ecte dhe përshëndeste. Shikoja rreth e rrotull se si njerëzit s’përmbaheshin dot nga gëzimi dhe më vinte inat që këtë tablo të mrekullueshme ne nuk ishim në gjendje ta xhironim në film me atë bukuri dhe ato emocione që krijoheshin nga çasti në çast. Dy aparatet tona marrës, ashtu si ishin, të mbërthyer në stativa, mund të fiksonin në film shumë gjëra, por ata nuk mund të fiksonin kurrsesi ato që flisnin këtu më shumë se çdo gjë tjetër: detajet. Humbën përqafimet e ngrohta, buzëqeshjet e njerëzve, shtrëngimet e duarve, sytë e gëzuar. Këtë e kuptoj unë, këtë e kuptojnë edhe kinooperatorët të cilët sot për sot nuk mund të bëjnë më shumë sepse të gjithë ne akoma nuk dimë t’i kapim shpejt gjërat më të domosdoshme dhe më domethënëse, ende nuk jemi në gjendje t’i përdorim siç duhet në këto lloj xhirimesh aparatet marrës. Kjo gjendje, sidomos mospërdorimi me shkathtësi dhe siguri profesionale i aparateve, është minus i madh për ne, sepse kjo zbeh në ekran atmosferën e ngjarjeve.
Me shqetësimin për të dokumentuar sa më mirë gjithshka po ndodhte, xhiruam mitingun ku përshëndetën kryetari i Komitetit të Arteve dhe Kulturës Fatmir Gjata, nënkryeministri Bedri Spahiu, një specialist sovjetik e një specialist shqiptar dhe shkuam vendosëm aparatet përpara hyrjes kryesore të Kinostudios ku do të bëhej prerja e shiritit.


Pas disa çastesh shpërthyen duartrokitjet dhe drejt shiritit të kuq u afrua Enver Hoxha. Ai zgjati dorën dhe pasi mori gërshërët nga tabakaja që mbante në duar Xhanfise Çipi, shoqja dhe kolegia ime, preu shiritin duke uruar të gjithë të pranishmit “Ta gëzoni Kinostudion!”.
Ai kapërceu derën kryesore, dhe, ndërsa ecnim nëpër koridor… Në një moment u paraqit nevoja të afrohem pranë tij. Më dha dorën dhe buzëqeshi. Shpëtova, thashë me vete.
– Puna e parë që ju duhet të bëni, – m’u drejtua – është të mësoni të jeni të thjeshtë dhe të mbani kurdoherë lidhje të ngushta me popullin, pasi vetëm kështu do të mund ta njihni mirë jetën e tij, hallet, gëzimet dhe përpjekjet e mëdha. Ju jeni në hapat e para të punës, prandaj ato hidhini që në fillim mirë.
Me këto fjalë që të bënin me krahë, mbërritëm në repartin e zërit. Ishte vendi ku ne do të shfaqnim kinozhurnalin Nr.1, filmin tonë të parë shqiptar, ideuar, xhiruar, montuar, inçizuar dhe përpunuar, tërësisht me forcat dhe mjetet tona.
Zemra filloi të më rrahë me të madhe. Shoh shokët: Hamdiun, Sokratin, Janin, Xhanfisenë, Koçon, Petraqin, Mishën… Të gjithë janë po aq të shqetësuar sa dhe unë.
Në sallë u vendos qetësia.
Nga pulti u dëgjua zëri i Koços: Gati!
Lavdiu fiku dritat dhe shkeli butonin e aparatit të projeksionit.
U mbështeta në karrige dhe i mbërtheva sytë në ekran. Çdo gjë po shkonte shumë mirë. Shumë mirë projeksioni, shumë mirë zëri, shumë mirë reagimi. Kur në ekran dolën punëtorët të lidhur me litar në Shkëmbin e Shkopetit, Enver Hoxha duartrokiti. Duartrokiti edhe kur u nis karvani me grurë nga fshatrat e Lezhës për në depot e shtetit.
Ne nuk jemi ende artistë, ne nuk i kemi provuar ende emocionet krijuese, por në këtë moment, ajo duartrokitje për ne vlen shumë.
Pas dymbëdhjetë minutash dritat u ndezën dhe në sallë shpërthyen duartrokitje. Kishte mbaruar projektimi i kinozhurnalit Nr. 1, i të parit film të Kinostudios “Shqipëria e re”.
Enver Hoxha u ngrit në këmbë dhe për disa sekonda nuk foli. Duket priste të afroheshin më afër se kushdo, ata që kishin punuar për realizimin e kinozhurnalit.
– Kinozhurnali ishte i bukur, kishte jetë, gjallëri. Mbi të gjitha, ai është një fillim shumë i mirë dhe i mbarë. Urime! – tha pastaj duke na parë e buzëqeshur të gjithëve.
Pak çaste më vonë, tek dera kryesore, kur po ndaheshim, Nesti Zoto, drejtori i Kinostudios, i dhuroi Enver Hoxhës kopjen e kinozhurnalit Nr.1 të cilin ai e mori me një kënaqësi që i lexohej lehtësisht në fytyrë.
– Edhe një herë urime dhe punë të mbarë, – tha. Ai dhe na shtrëngoi dorën me radhë, të gjithëve.
Ora kishte shkuar dymbëdhjetë. Dielli shkëlqente në kupën e qiellit dhe Kinostudioja, e bardhë si bora dhe e rrethuar prej trëndafilash të kuq, qëndronte si nusja në bash të odës.
Lum kush e ka e lum kush do ta gëzojë!

E Martë, 10 Korrik 1962
Sot, në dhjetëvjetorin e kinematografisë shqiptare duke medituar mbi punën e derisotme, timen dhe kolegëve të mi, mendova të hedh në letër disa mendime lidhur me problemet që ekzistojnë në shkrimin e skenarëve dhe mundësitë e bashkëpunimit më të ngushtë mes shkrimtarëve dhe kineastëve, pasi ato janë vendimtare për ecurinë e filmit dokumentar.
Kinematografia jonë dokumentare gjatë këtyre viteve të ekzistencës së saj i ka pasqyruar përgjithësisht mirë të shkuarën dhe të sotmen e Shqipërisë, bashkë me të dhe të njeriut shqiptar.
Autorët realizues të këtyre filmave dokumentarë, në jo pak raste kanë arritur të tregojnë me emocion në ekran injorancën, prapambetjen, varfërinë dhe mjerimin në të cilën kanë jetuar e punuar shqiptarët në të kaluarën. Dhe e kanë bërë këtë pa droje pasi kanë qenë të bindur se njerëzit duan të shohin në ekran të vërtetën e jetës së tyre.
Autorët realizues të këtyre filmave dokumentarë, në jo pak raste kanë arritur të tregojnë me emocion në ekran njerëzit tanë duke u përleshur me shkëmbin për ngritjen e digës së hidrocentralit, duke luftuar mes flakëve të zjarrit për të shpëtuar puset e naftës, duke punuar mes lumenjve për të ngritur urat e trenave, duke hapur taraca nëpër shpatet e maleve, duke ngritur shtyllat e tensionit të lartë majë maleve të thepisur, duke lartësuar oxhaqet e uzinave dhe fabrikave. Dhe e kanë bërë këtë pasi kanë qenë të bindur se bukuria e jetës sonë qëndron në përpjekjet dhe forcën e njerëzve për t’i kapërcyer vështirësitë.
E para, përcaktimi saktë i temës. Vetëm pas kësaj dhe përcaktimit po kaq saktë të pikënisjes, pikëmbërritjes dhe qëllimit, mund të shpresojmë të realizojmë një film dokumentar të suksesshëm.
E dyta, seleksionimi i materialit. Eshtë tërësisht në dorën tonë të përzgjedhim dhe evidentojmë më tipiken e më të veçantën nga moria e ngjarjeve dhe fakteve dhe të mos e lemë në mëshirë të fatit suksesin e filmit të ardhshëm.
E treta, njohja me materialin arkivor ekzistues. Ai na ndihmon më shumë se çdo gjë tjetër në rikrijimin e atmosferës së kohës, por, me pak fat dhe mençuri, mund të na shërbejë edhe në krijimin e episodeve të fuqishëm e me vlerë.
E katërta, këndvështrimi i ri. Kërkimi dhe gjetja e pikave të reja të të shikuarit të temës, apo, kërkimi dhe gjetja e pikave të pa konsumuara deri atë çast nga syri i spektatorit, është një moment tjetër shumë i rëndësishëm në procesin e shkruarjes së skenarit.
Nga eksperienca ime e bashkëpunimit të derisotëm mendoj se, suksesi apo dështimi im si regjisor në filmat dokumentarë ka kaluar detyrimisht në këtë rrugë dhe në një masë të madhe është përcaktuar nga mbajtja apo mosmbajtja parasysh e këtyre momenteve gjatë shkruarjes së skenarëve.
Edhe diçka. Në dallim nga skenari i filmit artistik, i cili ndërtohet mbi ngjarje apo fakte reale por edhe të trilluara, të veshura artistikisht dhe që realizohet nga interpretimi i aktorëve në mjedise të improvizuara, skenari i filmit dokumentar ndërtohet mbi ngjarje dhe fakte konkrete nga jeta dhe realizohet duke xhiruar njerëz konkretë, njerëz që jetojnë e punojnë në vende konkrete. Kjo, kursesi nuk i heq të drejtën e veshjes artistike skenarit të filmit dokumentar. Vetëm se, veshja artistike në skenarin e filmit dokumentar duhet të mos cënojë realitetin apo të mos shkojë përtej realitetit.
Referuar bindjes sime se, baza e kinematografisë dokumentare është dhe mbetet realizmi i të pasqyruarit në ekran i jetës dhe njerëzve, konstatoj me kënaqësi se pjesa më e madhe e filmave tanë të realizuar deri më sot, shquhen për realizmin e tyre të thellë. Kjo edhe për meritë të skenaristëve të cilët kanë ditur e mundur të ndërtojnë skenarë realistë.
Për të ilustruar sa thashë më lart, po jap vetëm dy shembuj. Autori i skenarit të filmit dokumentar “Dritë mbi Shqipëri”, poeti Llazar Siliqi, për t’i mbetur besnik asaj që ndodhte në mjedisin e ndërtimit të hidrocentralit, ndërtoi episode dhe gjeti mjete shprehëse artistike të cilat gjatë xhirimit e plotësuan atë më së miri dhe bënë që gjithshka jo vetëm të ishte e besueshme, por dhe emocionuese. Po kështu, autori i skenarit të filmit dokumentar “Migjeni”, kritiku Andon Kuqali, nuk rendi pas ndonjë aktori që të rikrijonte portretin e poetit apo pas rrugicave të Shkodrës që të rikrijonte kohën kur jetoi e krijoi Migjeni. Jo. Ai u mbështet tek vargjet, fotografitë, dorëshkrimet, vendet, botimet e dokumenteve dhe krijoi një skenar i cili solli si rezultat një film që padyshim pranohet si një vepër artistike shumë e mirë e regjisorit Gëzim Erebara.
Kinematografia shqiptare, ndonëse e re dhe pa eksperiencë, gjatë këtyre viteve ka realizuar mjaft filma dokumentarë të cilët tani mund të konsiderohen krijime dinjitoze. Filmat tanë të parë “Letër nga fshati”, “Pranvera e nëntë”, “Buka”… filmat e mëpastajmë “Dritë mbi Shqipëri”, “Pusi 542”, “Qyteti i 1000 dritareve”, “Aleksandër Moisiu”… apo filmat e fundit “Ringjallje”, “Migjeni”… e dëshmojnë më së miri këtë.
Së fundi, filmi dokumentar meriton më shumë vëmendje, si nga ne kineastët që kemi marë përsipër të fiksojmë në ekran historinë, jetën dhe punën e popullit tonë, ashtu dhe nga shkrimtarët e gazetarët që e duan filmin dokumentar dhe dëshirojnë të mirën e tij.

E Hënë, 10 Korrik 1972
Sot është një ditë e shënuar në jetën e kinematografinë shqiptare.
Plot njëzet vjet më parë, më 10 Korrik 1952 u shfaq për herë të parë në ekran kinozhurnali Nr. 1 “Nëpër vendin tonë”, prodhim i Kinostudios “Shqipëria e re”, i pari në jetën e kinematografisë shqiptare, realizuar tërësisht nga krijues shqiptarë.
Endri Keko, Xhanfise Çipi, Hamdi Ferhati, Sokrat Musha, Mandi Koçi, Jani Nano, Agim Fortuzi, Ibrahim Uruçi, Koço Tollko, Milto Vako, Petraq Lubonja, janë emrat e krijuesve që gjenden në titrat e kinozhurnalit, ndërkohë që, për realizimin e tij kanë kontribuar edhe mjaft të tjerë… asistent operatorët Mehmet Kallfa e Niko Theodhosi, montazhieret Bisen Behri e Angjelina Uli, disenjatorja Gjinovefa Heba, shefi i laboratorit Mihal Çarka, laborantët Shyqyri Metani, Lumturi Bakllava, Kosta Kavaja, Mehdi Kapidani e Liri Karabina, teknikët e zërit Vangjel Leka, Besim Kukali, Lavdi Fortuzi e Xhavit Vathi, elektriçisti Ramadan Rushiti, shoferët Hamdi Kullojka, Rexhep Huma… Shpresoj të mos kem harruar ndonjë nga bashkëpunëtorët e ditës së parë. Nëse po, do të më vinte shumë keq e do t’i kërkoja ndjesë, pasi, secili prej tyre meriton respekt për kontributin që dha në vendosjen e gurit të parë, atij të themelit të kinematografisë shqiptare.
Nga ajo ditë kanë kaluar dy dekada. Kutitë me kinokronikat tona të para që dikur qëndronin të vetmuara në raftet e zbrazëta të kinoarkivit, sot i rrethojnë mijëra kuti filmi që mbajnë etiketat Kinostudio “Shqipëria e Re”. Në to gjendet historia e Shqipërisë. Bashkë me të, edhe historia e kinematografisë shqiptare. Këtu çdo gjë të zgjon një kujtim më vete e të fut në mendime për atë punë të madhe që është dashur të bëhet për të kaluar nga kinokronika e parë tek kinozhurnali i parë dhe nga filmi i parë dokumentar tek filmi i parë artistik. Ishin vite kur ne dinim shumë pak gjëra nga profesioni i kineastit, por e dinim mirë se ne na kishte rënë barra të ngrinim kinematografinë shqiptare.
Në këtë ditë feste, si një ndër të parët e kinematografisë shqiptare ndjehem mirë. Në njëzet vjet, me punën tonë të cilën e nisëm nga hiçi, bëmë që filmi dokumentar shqiptar të krijojë individualitetin e tij. Përvoja e derisotme më thotë se, kur zemra e kineastit ka rrahur fort me zemrën e njerëzve, ai ka realizuar filma dokumentarë që i kanë vënë spektatorët në mendime.
Sigurisht, ka dhe raste kur… Por, sot është ditë feste dhe si e tillë ajo meriton të festohet. Analizën për dobësitë dhe të metat, njëherë tjetër.

E Shtunë, 23 Prill 1977
Sot paradite, përfundoi Festivali II – të i Filmit Shqiptar i cili nisi më 16 Prill.
Gjatë ditëve të festivalit, organizuar në kuadrin e 30 vjetorit të kinematografisë shqiptare (u bënë disa kohë që si datë e krijimit të kinematografisë shqiptare festohet krijimi i Ndërmarrjes Kinematografike më 1947 e jo ajo e inaugurimit të Kinostudios më 1952), u shfaqën prodhimet më të mira të vitit të fundit. Gjithsej… shtatë filma artistikë, katërmbëdhjetë filma dokumentarë dhe dy filma multiplikativë.
Në mbyllje të festivalit, juria shpalli filmat fitues të cilët u nderuan me kupën e festivalit… filmin artistik “Lulëkuqet mbi mure”, filmin dokumentar “Populli në këmbë, Partia në ballë” dhe filmin multiplikativ “Pika e ujit”.
Gjithshka shkoi sipas parashikimit dhe surpriza nuk pati.
Në fund, si dokumentarist, meqenëse më tërheq kërraba nga ana e filmit dokumentar, po shkruaj dy fjalë për ta.
Për shtatë ditë, i pashë të gjithë filmat e planifikuar. Sipas mendimit tim, pashë mjaft filma dokumentarë të mirë të cilët treguan se ai po zhvillohet në mënyrë të suksesshme, por pashë edhe filma dokumentarë të dobët, pa jetë, pa bosht, të përciptë, të varfër, të cilët organizatorët mund dhe duhej t’i kishin shmangur.
Me mjaft interes mendoj ishte organizimi e diskutimi krijues i filmave të shfaqur, ku diskutantët theksuan arritjet, por bënë edhe sugjerime me vlerë lidhur me të ardhmen e filmit dokumentar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.