MILOSAO

Të mëdhenjtë e shekullit XX për Moisiun

18:00 - 31.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fric Engel – TridhjetëvjeçariKush është aktori më i shumëpërmendur i Berlinit të sotëm? Dhe kush është njëkohësisht, ç’ka për të vetë nuk do të jetë e pakëndshme, aktori më i mirëpaguar? Kujt i hedhin lule në podium bijat e atyre nënave, të cilat dikur adhuronin Josef Kaincin? Është një burrë, me një shtat pothuaj mesatar, me shpatulla të holla dhe pa pulpa heroi. Duhet të shohësh të ndriçojnë vetëm sytë e tij të mëdhenj të vendeve të jugut, dhe duhet të dëgjosh orkestrën melodike të organit të tij, për të kuptuar magjinë, e cila i valëvitet atij përreth si një mantel i bukur. Është Aleksandër Moisiu, i cili ka ardhur në Vjenë si statist nga bregdeti i Triestes, as nuk e zotëronte gjuhën gjermane, kur u zbulua atje nga Maks Rajnhardi, shumë herët u shfaq në rolet e mëdha të skenës së “Teatrit Gjerman”, për këtë arsye në fillim u pranua me rezervë, madje u refuzua, dalëngadalë u mësua me detyrat e tij dhe tani: është i pari. Për mijëra njerëz ai është tanimë bartësi i stolive më të çmuara, i cili është i aftë tu japë aktorëve të mëdhenj artin poetik dramatik. Ai është Romeoja dhe Marquis Posa. Ai është Hamleti dhe Princ Hajnci. Ai është Oresti dhe Edipi. Ai luan Franc Morin dhe Riccaut. Kordat e tij lirike tingëllojnë ende të plota, por tashmë prej vitesh nga ai vërshon një seriozitet më i fuqishëm artistik. Vërehet se ai nuk do të luajë vetëm dashuri dhe se ai gjithmonë i ngre sytë me më shumë gëzim nga figurat e mëdha, të cilët janë bartës të një mendimi të madh etik dhe zëdhënës të një botëkuptimi. Kështu sot në skenë qëndron ai, djaloshi i dashuruar nga gratë e megjithatë një burrë, të cilin e vlerësojnë burra seriozë, tanimë i përkëdhelur tepër nga fama dhe për këtë arsye nganjëherë i rëndë, por një gjeni! Dhe prapa tij valëvitet një e ardhme si një perde enigmatike e shkëlqyeshme, dhe prapa kësaj perde të reja, të cilat ai do t’i ajrosë dalëngadalë.
Berlin, shkurt 1914.




Gerhart Hauptmann
Agnetendorf, 17 qershor 1927
Vizenshtajn
Midis aktorëve të mëdhenj të Gjermanisë veçantia e Moisiut është e qartë. Më shumë sesa te të gjithë të tjerët te kjo veçori bazohet talenti i tij. Si drejtimi në një violinë të Stradivarit, kur një mjeshtër luan Bethovenin, është njëkohësisht melankolik, i gëzuar dhe i zjarrtë, kështu është shprehja e shpirtit të Moisiut, kur ai e vë atë në shërbim të një vepre poetike. Midis përjetimeve të mëdha të artit të tillë në krye më qëndron Montezuma e tij në pjesën “Shëlbuesi i bardhë”; vetëkuptohet, meqenëse unë pikërisht te kjo figurë mund të gjykoj pushtetin e brendshëm të forcës interpretuese të Moisiut.

Bjërn Bjërnsoni
Oslo, 15 qershor 1927
Moisiu është incizuar në zemrat tona – sepse zëri i tij tingëllon si muzika e bukur në vuajtje dhe në gëzim.
Dhe tingullin e kësaj muzike ne e fshehim njësoj si një akord i mrekullueshëm në kujtesë.

Luigji Pirandelo
Përshëndetje dhe ftesë
Maj 1927
Përshëndes patriotin tim të madh Aleksandër Moisiun, të cilin e ndjej për detyrë që ta falënderoj përherë si një nga interpretuesit më të përkryer të shumë personazheve të mi. Para së gjithash më ka ardhur thellësisht keq, i dashur Moisi, që Henrin Tuaj të IV-ërt, i cili, siç më kanë njoftuar, ishte interpretimi më i bukur, që ka patur ky rol, nuk mund ta admiroja personalisht. Dhe unë shpresoj që ju të vini së shpejti te ne në Itali të na shfaqni Henrin Tuaj dhe personazhet e tjerë të shumtë, që i ka ripërtërirë gjenia Juaj. Ju shtrëngoj dorën fort nga larg miqësisht.
(përkthyer në gjermanisht nga Hans Fajsti)

Herman Bari
Çfarë fati për ne, të kemi Moisiun! Figura e tij e shndritshme kujdeset që në Perëndim të mos shuhet koncepti i hijeshisë, i hijeshisë që dhuron fat, i hirit që shkel kujdesin, që qetëson trazirat, që freskon zemrën, që magjeps shqisat dhe pikërisht nëpërmjet kësaj hijeshia çliruese nga të gjitha torturat dhe tisi, koncepti i hijeshisë më të dashur dhe në zemërbutësinë e saj të ëmbël njëkohësisht më të fortë nga të gjitha dhuratat e Perëndive, megjithatë edhe sot ende, në pikëllimin e paralizës së përgjithshme shpirtërore dhe të pështjellimit shqisor! Erosi dhe Psika (bashkëshortja e Erosit) janë martuar brenda tij, dhe tashmë grekët fëmijën e këtij takimi të ëmbël e njohën me emrin: quhet lumturi.

Klabund
Muzikanti i Perëndisë
Kur muzika është ushqim për dashurinë – thotë Shekspirin. Por muzika nuk është vetëm ushqim i dashurisë – ajo është ushqim, forcë nxitëse, motiv i çdo arti. Muzika duhet të jetë brenda tij, thotë berlinezi. Dhe ajo është brenda tij. Muzika është brenda Aleksandër Moisiut. Gjuha e tij këndon, në sytë e tij ajo zukat, trupi i tij tingëllon. Atij, kur njeriu hesht në torturën e tij, i thotë një Perëndi se çfarë po vuan. (Tasoja i tij është i paharrueshëm) Po, më shumë e thënë sesa e krijuar. Ai është një këngëtar. Këngëtari më magjepsës i gjuhës gjermane. Dhe meqenëse muzika flet një gjuhë ndërkombëtare: kështu nuk është asnjë çudi që Moisiu është bërë aktori gjerman më ndërkombëtar dhe pra në botë aktori gjerman më popullor.

Feodor Shaljapin
“Djali” ynë
Pas një mbrëmjeje të lodhshme të shfaqjes turne në Operan Shtetërore të Vjenës…. po darkoj i lodhur në një restorant, atëherë dëgjoj befas një zë të dashur, të këndshëm që thërret emrin tim. Duke u kthyer shoh “djalin” shpirtmirë, siç e quanim, dhe edhe një herë tingëllon përzemërsisht “Fjodor Ivanoviç, i dashur Fjodor Ivanoviç… sa i gëzuar jam që po ju takoj këtu! – “Moisi”, thërras unë, “I dashur Moisi, të përshëndes me zemër!”
Tërë mbrëmjen më tregoi për shokët e mi të mirë, për punën, teatrin, Rusinë, dhe lodhja ime kishte ikur. “Unë sapo jam kthyer nga atdheu juaj i mrekullueshëm”, më thotë Moisiu, “kam luajtur atje teatër, shumë dhe me jehonë. Publiku juaj është shumë entuziast!” – –
Mbrëmjen tjetër në tetarin Popullor Gjerman shoh mikun tim në pjesën “Konti fon Charolais”, ai luan personazhin kryesor, emri i të cilit krijon edhe titullin e veprës. Dhe si e luan ai atë! Unë dola krejt i magjepsur nga shfaqja dhe i shastisur nga forca, e cila shpërthente nga trupi thuajse i ëmbël dhe i brishtë. “Bravo, bravissimo, Moissi!” kështu bërtita në pushime dhe në mbylljen e shfaqjes. Ishte e mrekullueshme dhe nuk do ta harroj kurrë mbresën mposhtëse të qenies së tij. Mirupafshin, shoku im i dashur Mosi!

Ida Roland
Moisiu është një artist vërtetë europian. Përtej gjithë gjuhëve dhe kufijve vështrimi dhe gjestet e tij mbeten të kuptueshme për të gjithë, të cilët e ndjejnë sesi brenda fëmijnores takohen madhështia dhe dobësia, hyjnorja dhe njerëzorja.

Përktheu nga gjermanishtja: Dr. Elda GJANA-BORIÇI


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.