MILOSAO

Të pathënat e figurës së Aleksandër Moisiut?!

18:00 - 31.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga staf “Milosao” – Intervistë me studiuesin dhe botuesin e Jetës dhe Veprës së Aleksandër Moisiut – Mehmet Gëzhilli, drejtor i shtëpisë Botuese “Argeta – LMG”




Takimi i parë me Aleksandër MoisiunParafytyroni një çunak trembëdhjetë, pa mbushur katërmbëdhjetë vjeç, që e ka çuar halli nga një fshat i largët i Oparit në Maliq të Korçës për të blerë një gjilpërë olioze për vëllanë që e kishte shumë sëmurë. Ishte vjeshta e vitit 1957, pra, këtu e mëse gjashtëdhjetë vjet më parë.
Ato vite hidheshin huatë shtetërore dhe herë pas here shlyheshin duke i shpallur numrat fitues në gazetën “Bashkimi”. Dhe familja e tij në skamje dhe varfëri ekstreme kishte huajtur diçka për të ndihmuar shtetin.
Dhe ja, nga ajo hua-llotari kishte fituar një 500 lekëshe. Biletën e huasë e kishte marrë me vete, shkon në postën e qytetit, tërheq 500-lekëshin dhe prej andej shkon në të vetmin dyqan që kishte Maliqi, ku tregtoheshin të gjitha gjërat, rroba të gatshme, stofra, basma, në një anë tjetër shitej vaj, sapun, gozhdë e gjithçka i nevojitej njeriut.
Në një cep të një banaku gjithë pluhur ishin edhe disa libra. Me 500 lekëshin që fitoi, çunaku, pasi u hoqi pluhurin, filloi t’i shikojë librat si i babëzitur dhe zgjodhi gjashtë copë; “Nënën” e M. Gorkit, “Qiriun” e Gjikë Kuqalit (dëshmor), “Flamurin e grisur” të Selman Vaqarrit, “Sonda dhe Morusja e pësojnë”, poemë në vargje e një poeti sovjetik dhe “Feminija e Nikitës ” e Aleksej Tolstoit, si dhe monografinë e Selman Vaqarrit “Aleksandër Moisiu” që ishte botuar po atë vit. Libri i fundit që bleva, dhe nuk e di se pse u sugjestionova aq shumë, ishte për rritjen e kultivimin e domates. Kjo ndoshta, ngaqë nëna i kultivonte dhe kishte një kopësht shumë të mirë, që ia kishte zili gjithë fshati.
Pra, ky qe takimi i parë i imi me Aleksandër Moisiun, ku çdo gjë që mundohesha të lexoja për mua ishin krejt të panjohura.
E ç’mund të kuptonte një çunak, që sapo kishte mbaruar shkollën fillore, por të gjashtë librat i ruaja si gjënë më të shtrenjtë.
Takimi i dytë me Moisiun …

Pasi mbarova shtatëvjeçaren dhe shkova në Shkollën Pedagogjike të Korçës, në vitin 1960, na vjen aktori i mirënjohur korçar Dhimkitër Orgocka dhe ne, një grupi nxënësish na flet për jetën dhe veprën e Aleksandër Moisiut.
Se me çfarë zjarri na foli Taqka (kështu i kemi thirrur gjithë jetën Dhimitrit) për Moisiun, edhe sot më është ngulitur në mendje interpretimi i tij. Ai ishte që atëhere aktor plot talent, të sugjestiononte, dhe aq më tepër, la gjurmë te mua, që pata fatin të kisha lexuar një libër për Moisiun, por pa e ditur mirë se çfarë kisha blerë vite më parë.
Biseda e Dhimitraq Orgockës për Aleksandër Moisiun ishte takimi i dytë me artistin.
Më vonë, kur u njoha më gjerë me jetën e Moisiut dhe fillova të studioja gjithçka, kuptova se bisedat për Aleksandër Moisiun në vitet gjashtëdhjetë bëheshin në gjithë Europën e më tej, me vendim të Komitetit Ndërkombëtar të Paqes në përkujtim të 25-vjetorit të vdekjes së këtij aktori botëror.
Në nderim të tij, shteti shqiptar mori disa vendime, duke e shpallur të parin, Aleksandër Moisiun, Artist i popullit, Dega e dramës në Institutin e Arteve në Tiranë mori emrin e tij. Teatri i Durrësit u emërua po me emrin e tij, u organizuan konferenca shkencore, u bënë takime të posaçme, bile edhe në gjuhë të huaj.
Prej atëhere e në vazhdim, jeta e Aleksandër Moisiut po bëhej përherë e më e njohur dhe e afërt, duke pasuar një sërë botimesh, jo vetëm në shtypin e kohës, por edhe në vepra e monografi të plota.
Po cilët janë autorët shqiptarë, që janë marrë posaçërisht me jetën e Moisiut?
Që para çlirimit, shtypi shqiptar dhe i huaj e ka pasqyruar gjerësisht jetën e artistit, por ai që e ka takuar dhe parë në skenat e Vjenës, për të cilin ka shkruar tre artikuj, që bile kanë karakter studimor, është profesori i gjithanshëm Vasfi Samimi. Këto artikuj-studime janë ribotuar në vepërn e plotë të tij.
Në vitin 1957 doli vepra e Selman Vaqarrit. Në vitet gjashtëdhjetë u pasua me një vepër monografi nga prof. Bardhyl Kosova, e cila pati disa ribotime si në Tiranë, edhe në Prishtinë. Bile kemi të dhëna se pushteti serb ka arrestuar dhe burgosur studentë kosovarë të cilëve u është gjetur ai libër.
Me jetën dhe veprën e Moisiut është marrë gjerësisht kushëriri i tij, Vangjel Moisiu, vepër që përveçse në shqip, është botuar edhe në anglisht dhe italisht.
Në Kosovë është botuar një vepër tjetër nga gazetari i kulturës Shaqir Foniqi. Për Moisiun është botuar edhe një album në disa gjuhë.
Po nga autorët botërorë, kush është marrë me jetën dhe veprën e artistit?
Shumë personalitete kanë shkruar monografi, drama, i kanë kushtuar shumë vepra të artit, por ajo që dua t’ia bëj të njohur lexuesit është një libër-album i veçantë për vlerat që përmban.

Vepra është botuar në Berlin, në gjermanisht, në një botim luksi, i futur në kuti dhe që çdo ekzemplar ka numrin e vet. Gjithsej janë shtypur 250 copë dhe mban vit botimi vitin 1927.
Mesa duket, ky botim special është bërë si dhuratë për aktorin. Libri mban titullin: “Moisiu – njeriu dhe artisti, me fjalë dhe foto. Mbledhur nga Hans Bëmi”. Libri përmban vlerësimet e 40 personaliteteve të artit e të kulturës botërore. Janë përfshirë edhe tre shkrime të vetë Aleksandër Moisiut. Shoqërohet me vizatime nga piktorë të njohur të kohës, Emil Orlik, Henrik Lund dhe Keprelik. Libri është i ilustruar me 104 fotografi që pasqyrojnë jetën e aktorit në të gjitha aspektete saj.
Në 104 fotot e aktorit a mund të veçonit ndonjërën më mbresëlënësen?
Çdo foto të ngjall befasira, që vetëm adhurim për aktorin të shtojnë, por ajo që dua të veçoj është një foto ku Aleksandri ka dalë në avion. Me sa kemi studiuar, ai është shqiptari i parë që është ngritur në qiell, dhe kjo është fiskuar edhe në një buletin të aviacionit shqiptar.
Çfarë ka të veçantë ky libër?
Të dyzetë autorët nga shumë vende të Europës i kanë botuar shkrimet e tyre duke i nënshkruar me autografët e tyre origjinalë. Bile, disa shkrime janë botuar me dorëshkrimin e autorit.
Libri hapet me një parathënie të zgjeruar nga Feliks Zolten, “Moisiu”, vazhdon me M. Hardenin “Rruga e tij”, J. Bab shkruan “Ngjitja berlineze e Moisiut”, F. Holender: “Si ndarje gjatë udhëtimit për në Amerikë”, G. Herman: “Franc Mori në Frankfurter Shtrasen”; F. Varfel: “Moisiu magjepsës”; H. E. Jakob: “Moisiu luftëtari” Z. Trebiç: “Si nuk donte të luante Sarma me Moisiun”; Dymov: “Ai”; V. Shulbon: “Zëri i Moisiut”; H. Bëm: “Çdo fillim është i vështirë”; F. Engel: “Tridhjetëvjeçari”; L. Pirandelo: “Pëershtypje dhe ftesë”; G. Eysoldt: “Përshëndetje për ikjen”; kryepeshkopi I. Rider: “Moisiu – si çdokushi”; H. Ojlenberg: “Nga një siluetë”; S. Cvajg: “Moisiu në bisedë”; Klabund: “Muzikanti i Perëndisë”; E. Lubiç: “Krahë për krahë me ty bashkuar”; P. Stefan: “Për herë të parë Fedja”; Tatjana Tolstoi: “Moisiu punëtori”; E. Benger: “Takimi i parë”; C. Stanislavski: “Fjalët e lamtumirës pas një shfaqjeje turne”; F. Shaljapin: “Djali ynë”; F. Saver: “Erosi dhe Karitasi”; A. Boserman: “Vuajtja e përbashkët dhe gëzimet”; F. Molnar: “Zogu shtetgtar Moisi”.
Për Moisiun kanë shkruar në këtë libër shkrime regjisorët e tij dhe bashkëaktorët më të shquar.
Këtë libër e kanë shfrytëzuar shumë studiues, por rrallë e kanë përmendur. Pas nëntëdhjetë vjetësh, lexuesit shqiptarë do të kenë fatin që ta kenë në dorë në shqip nën përkthimin e saktë dhe me pasion e dashuri nga z. Elda Gjana.
Në këtë vepër që s’i kalon njëqind faqe, çdo fjalë dhe fjali është si gurëz xhevahiri që lëshon rreze e mirësi për artistin tonë të madh, që antikëve grekë, veprat e të papërsëriturit Shekspir, Tolstoit, Gëtes e Shilerit, Pirandelos, etj., etj., u foli në gjuhën e vet, duke tronditur shpirtrat njerëzorë, nga Berlini, Vjena, Praga, Bukureshti e Beogradi, Parisi e Londra, Roma dhe Trieste, e deri në Argjentinën e largët.
Aktori i mirënjohur, i ndjeri Minella Borova, që shkoi deri në Buenos Aires, më tregonte dikur se në teatrin e kryeqytetit argjentinas kishte gjetur gjurmët e Aleksandër Moisiut nëpërmjet kujtimeve dhe fotografive, të cilat do të m’i dërgonte një ditë, por ai “fluturoi” krejt papritur për në botën e përtejme. Mbeti një peng për të dhe për mua, por ndoshta një ditë dikush do të kujtohet dhe do të na i dërgojë ato fotografi, duke e pasuruar fondin e artistit.
A pati edhe Aleksandër Moisiu ndonjë peng të parealizuar?


Po, pati. Ai mund të ketë patur shumë, por njërën e dimë mirë, sepse e ka shprehur edhe në shtypin e kohës. Në vitet njëzetë-tridhjetë ai dëshironte të vinte në Shqipëri si aktor botëror, që qe bërë, por edhe si bir i thjeshtë i popullit të vet. Ai deklaronte me dhimbje se në Shqipëri nuk kishte skena për të dhënë shfaqje, por ai kishte parashikuar që të jepte një program me recitime, me pjesët më të zgjedhura të repertorit të tij.
Nuk e dimë se përse nuk e realizoi këtë ëndërr, por s’dimë që në vitin 1933, së bashku me të shoqen, aktoren dhe partneren e tij, Johana Tervin, shkoi në ambasadën shqiptare në Vjenë dhe kërkoi shtetësinë shqiptare.
Si është e vërteta e shtetësisë shqiptare që kërkoi Moisiu?
Moisiu ndiqej dhe persekutohej nga nazistët. Ai e ka shprehur me forcë të jashtëzakonshme qendrimin e tij antinazist në dramën e tij, ku ka luajtur edhe vetë “Robi”, kushtuar fundit tragjik të Npoleon Bonapartit. Në atë dramë donte të thoshte se edhe Hitleri ashtu do të përfundonte, si rob, si Bonaparti.
Moisiu e kërkoi shtetësinë shqiptare për t’i shpëtuar ndjekjes dhe persekutimit, nga emri që mbante. “Moisi” ngjallte dyshime dhe xhelozi.
Shteti shqiptar ia dha menjëherë shtetësinë shqiptare, së bashku dhe shoqes së tij, Tervin.
Disa faqezinj, që duan të nxijnë gjithçka rreth vendit të tyre janë shprehur se shteti shqiptar nuk i ua dha shtetësinë, por dokumentet që ndodhen në Arkivin Qendror të Shtetit tregojnë krejt të kundërtën. Edhe një thashethem gjoja se mbreti Zog deshi ta merrte në pallatin mbretëror për organizimin e ceremonive, nuk qendron. Thjeshtë kanë qenë shpifje, shpifje për të denigruar qoftë njërin, edhe tjetrin.
Dy vite, dy përvjetorë: 2019-a, viti i 140 vjetorit të lindjes dhe viti i ardhshëm 2020, viti i 85-të i ndarjes nga jeta, si studiues dhe bibliograf i veprës së Moisiut, ç’mendoni se duhet bërë?
Kjo është shumë e thjeshtë dhe konkrete. Duhet shpallur nga shteti “Viti i Aleksandër Moisiut” Prill 2019 – Prill 2020.
Po flitet shumë për vlerësimin dhe gjallërimin e jetës në diasporë. Po a ka më përfaqësues të denjë se ç’na ka përfaqësuar Aleksandër Moisiu nëpër botë, i cili kudo ku ka patur rast të takojë shqiptarët ka shprehur krenarinë e tij si shqiptar dhe dhembshurinë e mallin për të parët e vet, për Kavajën e Durrësin? I paharruar është takimi me studentët në Vjenë, ku i porosit se puna dhe vetëm puna do t’i nxirrte në dritë.
Në këtë përvjetor të artistit cila do të ishte vepra që do të vuloste kulmin e saj?
Padyshim, ngritja e muzeut të Aleksandër Moisiut në Kavajë, në vendlindjen e të parëve të vet, por edhe aty ku është bërë pagëzimi i tij, që njihet nga dokumentat në kishën e qytetit.
Është deklaruar si nga kryeministri i vendit, zoti Edi Rama dhe nga institucione tëb tjera, se do të ngrihet Muzeu i Diasporës, në Korçë Muzeu i Rakisë, në Berat Muzeu i Verës, në kuadrin e zhvillimit të turizmit. Plotësisht të pëlqyeshme dhe të domosdoshme. Por ndoshta na jepet e drejta që të bëjmë, si qytetarë që jemi, edhe ndonjë sugjerim.
Ngritja e Muzeut të Moisiut në Kavajë është domosdoshmëri për vlerat tona kombëtare, dhe qyteti i Kavajës do të merrte një vlerësim e një qasje turistike që s’do ketë shqiptar apo turist nga çdo cep i botës, që t’i bjerë rruga të kalojë në Kavajë e të mos ndalet të shohë Muzeun dhe të pijë një kafe.
Po si botues, çfarë gjëra të reja do të sillni në këta përvjetorë?
Ne si Shtëpi Botuese, në bashkëpunim me fondacionin “Moisiu”, do t’u japim lexuesve shqiptarë tre vepra: Botimin në origjinal në gjermanisht dhe me përkthim në shqip “Moisiu – njeriu dhe artisti, me fjalë dhe foto”, mbledhur nga Hans Bëni dhe përkthyer nga Elda Gjana. Vepra e dytë do të jetë “Vepra letrare e Moisiut”, ku përmblidhen në rreth 250 faqe shkrimet kritike, letrat, intervistat, drama “Robi”, etj., dhe libri i tretë do të jetë “Antologjia poetike” me vargje kushtuar aktorit nga autorë botërorë dhe shqiptarë
Jeta dhe vepra e Moisiut, e shpërndarë si në Europë, por edhe në botë, është si një minierë, që sa më shumë të gërmosh, aq më shumë nxjerr mineral të cilësisë së parë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.