OPINION

Dëshirat e 1 prillit

07:35 - 02.04.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pashë që 1.2 miliardë euro kontrata PPP të ndërtimit të boshteve të rrugëve që mund të prisnin edhe disa vite për t’u ndërtuar, qeveria i ktheu mbrapsht. Duke i programuar t’i shpenzojë këto para (në vend që t’ua japë oligarkëve tanë ndërtues) për tre vjet 2019-2021 për bujqit, që të mos derdhin qumështin dhe të mos hedhin mollët dhe qepët e kalbura në kanal. Si edhe për sipërmarrësit e vegjël në turizëm, për të zgjeruar shtëpitë, bujtinat dhe për të pajisur sa më mirë plazhet e tyre private, pyjet, lëndinat, si dhe restorantet e kafenetë. Se rrogat dhe pensionet u rritën që në datën 1 janar 2019 me buxhetin e ri! Se qeveria po shikon të ndërtojë vërtetë rrugë, por ama ato rrugët e ngushta që të çojë punëtorët në qendrat prodhuese të vendit, aty ku del vlera e shtuar e tij dhe lind shpresa për zhvillim, eksport dhe turizëm. Se po kjo qeveri ua preu si shpatë Damokleu në mes ish-ministrave të vet serialin e drekave dhe darkave me investuesit vendës që e dinë mirë pagesën e 20 përqindëshit nën dorë për çdo tender të fituar. Ose çdo lloj favori tjetër “të vockël”). Madje, edhe se si jepet kjo mirënjohje oligarku në apartamente, vila, llogari bankare jashtë vendit ose në dhurata të shtrenjta (të tipit autoveturë ‘BMW’ 80 mijë euroshe kur ia shpëton parajsës fiskale 56 milionë euro në dy muaj, në vend që t’i kalonin ato para buxhetit të shtetit për të rritur rrogat). Pashë se më në fund hemorragjia e emigracionit nga mungesa e besimit se ky vend bëhet, u ndal. Se Shqipërisë nuk do t’i largohen me 60 mijë veta në vit, me shpresë të dredhur në gji se mos gjejnë punë në Gjermani dhe i mbajnë aty. Se partitë kryesore arritën marrëveshjen për zgjedhjet vendore, për votimin elektronik dhe minimizimin e rasteve të shitblerjes së votës. Duke braktisur llogoret e vjetra 27-vjeçare. Duke harruar fjalën e sharjeve dhe akuzave të ndërsjella për estradë televizive.




Duke risjellë opozitën në parlament, ngaqë dorëheqjet e deputetëve të saj nuk e kishin të shkruar shprehjen vrastare “e parevokueshme”. Duke fshirë dhunën mbi institucionet dhe mbi protestuesit. Se partitë harruan të shajnë njëra-tjetrën në Bruksel. Se nënshkruan një pakt dhe nxorën një rezolutë në Kuvend, ku përkrahnin pa rezerva integrimin e vendit dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, dy muaj nga vendimi i 29 qershorit i Parlamentit Evropian. Se bandat ranë dakord të lanin hesapet mes tyre në Barcelonë, Bruksel apo Londër, pa përgjakur me Shkodrën apo Elbasanin. Se përfaqësi studentësh nënshkruan me kryeministrin një marrëveshje që gradualisht kontributi i buxhetit të shtetit për arsimin të shkojë 4 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit brenda 10 viteve të ardhshëm, duke gjetur së bashku mënyrën se si t’ua bëjnë vetingun pedagogëve matrapazë ose të paaftë. Se të 70 milionë eurot e Fondit Shqiptar të Investimeve shkuan si me magji këtë vit për rinovimin e urgjencave të spitaleve rajonale dhe atyre periferike, në vend që të bëhen beton, zbukurim dhe lule në qendra qytetesh. Se lungomare në Vlorë nuk bie më erë fekale kur fryn erë nga deti, ngaqë kanë harruar të bëjnë kanalet e ujërave të zeza poshtë betonit masiv. Se socialistët më në fund braktisën ideologjinë e pastër të taksës progresive si taksë e drejtë dhe kuptuan se investuesit e huaj të rëndësishëm, zëvendësues të TAP dhe të hidrocentraleve të Devollit mund t’ua sigurojnë shqiptarëve vetëm nëse ulin peshën e taksave të vendit, duke e bërë menjëherë taksën mbi fitimin 10 për qind nga 15 për qind që është tani. Se vendosën të mos bëjnë më asnjë përjashtim nga ligji për procedurat tatimore të Republikës së Shqipërisë, të amenduar ose ndryshuar 138 herë në 10 vjet, paqëndrueshmëria e të cilit iu pjell ankthe të gjithë atyre të huajve që guxojnë të rrezikojnë paratë e tyre me investime tek ne. Se strukturat e reja të reformës në drejtësi nisën nga arrestimet e para të bujshme. Dhe u ngrita nga krevati i qullur në djersë. Ishte data 1 prill!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.