Kryesore

Ana Franku e Korçës, rrinte vetëm se gjyshin e kishte ballist

09:10 - 04.04.19 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Agim Xhafka




Më vjen përshtat tregimit ky titull se dhe personazhin tim e quajnë Ana. Edhe se vuajtjen e kanë njësoj.
Në Korçë, tek lagjia pranë stadiumit, jetonte një gocë e vogël që thirrej Ana. Ishte e bukur si drita dhe e pastër si vesa. Pata fat ta kisha shoqe klase në fillore. Luanim me të, qeshnim e i gëzoheshim çdo dite. Dhe sot ndjej dëshirën e madhe për shkollë nga që do luaja me Anën. Në mësime shkëlqente e krejt klasa jonë dukej si gonxhe luleje me atë në krye si trëndafil plot erë.

Deri sa një ditë vetë zysha e urdhëroi që Ana do ulej në fund të bankave, do rrinte vetëm se gjyshi i saj ishte ballist. Ajo ditë më ngjan si dita e tërmetit që ra në Korcë e na nxori të gjithëve në oborr të pallatit të frikësuar e të lebetitur. Zysha m’u kthye në shtrigë e Ana në një rosë të bukur që po e bënin gati për t’i prerë kokën.

Nga ajo ditë Ana luante vetëm. Fare vetëm. Në cep të oborrit. Me kokën ulur. Ashtu e mbante dhe kur ecte, edhe kur fliste, edhe kur përgjigjej në mësim. Kaluan ca vjet dhe babain e saj e futën në burg se do pushtonte komitetin e partisë. Përfytyroja atë burrë të pakët e të urtë hipur mbi tanks, por nuk më shkonte. Pas ca muajsh edhe i vëllai u arrestua se dëgjonte në radio këngë të huaja. Qysh atëhere u largua dhe Ana nga shkolla. Bashkë me nënën e saj i shihja nga dritarja e shkollës kur shkonin në fermë për të mbjellë e prashitur. Shtëpinë e kishin pranë shkollës dhe çdo vit vëreja si binte avllia e nuk kishte kush ta ndreqte.

Ika në universitet e kur vija me pushime më ndodhte që tek rrugica shihja Anën kur kthehej nga puna. Të thuash e bukur, i bije në qafë. Ishte yll i rënë nga qielli. Dielli e kishte bërë zeshkane dhe puna ia kishte skalitur shtatin e saj të gjatë e te derdhur. Çunat e ëndërronin të gjithë, por askush nuk guxonte t’i afrohej. Ishte zana e ëndërrave tona, dashuria jonë e fshehur.

Deri një verë kur e pashë përkrahu në xhiro me çalamanin Petro, marangozin e moshuar që kur e shihnim në surrat na sillte ndër mend një patate plot gunga. Anën e urreva. E mora inat.
-Avash ti, -më tha mamaja. -Do martohet dhe ajo. Njeri është. Njeri normal nuk merr një balliste. Ndaj gjeti Petron që është si është, por biografinë e ka të mirë.

Kështu rrodhi jeta. Ana u be me dy fëmijë, Petros ia ndërruan emrin e quanin burri i bukuroshes. Ai ndjehej i sajdisur dhe nuk kishte ditë mos shfaqej rrugëve me Anën duke ecur shdraka shdraka, por duke plotësuar thënien se fiqtë e mirë i hanë majmunët.

Vitet e fundit e pashë Anën. Nuk kishte pengesa për ta takuar. Mësova se i ati vdiq në burg. Nuk i dinin as varrin. Vëllai doli nga vitet ’90 e iku në Greqi. Petro pësoi atak në zemër. Dy çunat i ka në Gjermani dhe po bëhej gati të shkonte tek ata.

E mira Ana. E bukura Ana. Nuk mori asnjë ndjese nga shoqëria naziste ku jetoi. Ia bluajtën dëshirat, ëndërrat, rininë në mullirin e diktaturës e askush nuk tha më fal.
Ana Franku dhe Ana jonë janë njësoj. Ballistët edhe sot përndiqen tek ne fiks si hebrejtë. Dhe nisi nga dita kur komunistët pandehën se ata u rrezikonin pushtetin e ardheshem. Njësoj të mirat Ana…Viktima të një populli që ushqehet me dogma.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.