KULTURË

Aleksandër Moisiu/ Nga kurora e mbretit të skenës te maska e vdekjes

20:00 - 26.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Aleksandër Moisiu, njeriu dhe artisti”, është ky titulli i ekspozitës që prezanton foto dhe dokumente të panjohura më parë mbledhur në arkivat austriake nga studiuesi Pjetër Logoreci gjatë një periudhe kërkimore 7- vjeçare. Kjo ekspozitë e organizuar nga Fondacioni “Moisiu” dhe COD u hap mbrëmë më 25 prill, ora 18:40.




44 foto të printuara në kanavacë tregojnë disa nga momentet më të rëndësishme të jetës së Moisiut si: fëmijëria, familja, dokumentet e rëndësishëm të jetës së aktorit, si dhe pamje nga rolet e tij në film e teatër. Janë bërë publike për herë të parë foto e imazhe të objekteve personale të aktorit si: stampa e dorës, flokët origjinalë, maska e vdekjes, spaletat e ushtarakut, kurora e aktorit më të mirë të Evropës, si dhe disa foto nga ceremonia mortore  e Aleksandër Moisiut në Vjenë. Ekspozita sjell foto me objektet personale të aktorit, pronë e Muzeut Kombëtar të Teatrit Austriak, shumë nga të cilët së bashku me dokumente shkresorë apo korrespondencën e tij personale, janë dhuruar në vitin 1958 nga bashkëshortja e tij Johanna Terwin. Në vitin 1971, këtij koleksioni iu shtua dhe trashëgimia dokumentare që kishte mbledhur për Aleksandrin, adhuruesja e tij, Maria Dobrozensky. Përveç këtyre objekteve, në Fondin Moisiu, ka dhe shumë vepra të tjera, si të shkruara, ashtu dhe nga arti pamor të cilat mungojnë këtu, sepse u përkasin koleksioneve private.

Përveçse i jashtëzakonshëm profesionalisht, ai ishte i jashtëzakonshëm dhe si njeri. Ai nuk shmangu apo refuzoi asnjëherë  ftesat për takime që i dërgoi  komuniteti shqiptar. Shumë herë ai i kishte shfaqur dëshirën për një vizitë në Shqipëri si dhe për të patur shtetësinë shqiptare. Në një njoftim që konsullata shqiptare në Vjenë i dërgon MP Jashtme në Tiranë shkruhet: “Më 7 nëntor 1933 u paraqit në konsullatën shqiptare në Vjenë, artisti i famshëm Aleksandër Moisiu, i cili bëri kërkesën për marrjen e shtetësisë shqiptare për vete dhe bashkëshorten Johanna Terëin Moisiu. Ky refuzoi gjithë shtetësitë e tjera dhe dëshiron të pranohet vetëm si shtetas shqiptar, siç ka qenë dhe familja e tij e dalë me kohë prej Kavaje”. Gjigandë të artit botëror si Pirandelo, Chaplin, Stanislavski, Kafka, Caruso, Cvajg, ishin miqtë e tij.

Stefan Cvajg pat thënë se “një gjeneratë e tërë e ka dashur atë,  “dashnorin e pakrahasueshëm”, i cili nëpërmes  zërit të tij hyri thellë në zemrat e të gjithë kombit gjerman”.

Ndërsa Franz Kafka shënonte se “Moisiu është një artist të cilit “suksesi” i del nga koka, nga goja zëri i mrekullueshëm, nga sytë vështrimi që flet aq shumë. Të duket sikur në thellësinë  e syve të tij vështron arkiva fotosh bardh’ e zi, me lëvizje të ngadaltë fantazmash. Ai i rrëmben njerëzit me sytë e tij, me zërin e tij”.

Aktori lindi më 2 prill të vitit 1879 në Trieste dhe vdiq 23 mars 1935 në Vjenë.

Për kritiken italiane, Alessandro është një triestin i lindur (pa përmendur prejardhjen e prindërve emigrante), përfaqësues i denje i shkollës italiane të aktrimit. Në të vërtetë ai kaloj në Trieste një periudhë të vështirë të fëmijërisë së tij, me shume probleme familjare dhe ekonomike për të cilat familja e tij u detyrua të largohet për një jetë më të mirë, drejtë Austrisë.

Për teatrin austriak, Moisiu u “zbulua dhe u formua” në Vjenë, edhe pse aty u përball me probleme të mëdha të integrimit, u nënvleftësua dhe ju mbyllen dyert e skenës si i paaftë dhe i patalentuar në fushën e kantos e të teatrit. Teatri gjerman i Pragës ishte vendi ku Moisiu gjeti përkrahje dhe ju hapen mundësitë për të filluar karrierën e tij si aktor. Në themel të karrierës së tij qëndron këmbëngulja e superaktorit austriak Kainz, i cili zbuloi tek djaloshi Moisi të ardhmen e teatrit modern dhe e drejtoj atë drejt Pragës ku punonin miqtë e tij.

Fillimi i tij në teatrin e Pragës me eksperiencat që krijoj, ishte shkolla e vërtetë për artin skenik të Moisiut. Por talenti i pakufi i Moisiut me sukseset e njëpasnjëshme kërkonte një ambient me të gjerë, e të përmasave botërore siç ishte skena e teatrit ne Berlin. Mbas dy vjetësh e gjysmë debutimi në Pragë, ku mundësitë ishin të kufizuara, më 17-të dhjetor 1903 emri i Aleksandër Moisiut shfaqet në afishet e teatrit të Reinhardt – it në Berlin me rolin e aktorit në dramën me temë shoqërore “Na dne” të Maksim Gorkit (të shkruar në 1902).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.