KULTURË

Burimet në MK: Nuk është urdhër nga ministria as nga Çuli, po bëhen verifikime

18:00 - 27.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Ditën e djeshme godina e Teatrit Kombëtar është gdhirë pa shkronjat që e shenjonin si godinë të teatrit. Germat TEATRI KOMBËTAR që qëndronin në fasadën e saj në formë vertikale qenë zhdukur dhe ende nuk dihet se kush e ka kërkuar heqjen e tyre as kush e ka bërë. Vetë MK nuk ka dalë në reagim zyrtar, por burime thanë për ‘GSh’ se “nuk ka qenë urdhër i MK-së as i drejtorit Hervin Çuli dhe se gjatë ditës së djeshme janë bërë verifikime nga MK për germat”. Por nga ana tjetër, godina që prej një viti jofunksional,e sepse teatri është zhvendosur prej aty për te Turbina, me heqjen e shkronjave duket se ‘humb’ me emrin edhe një prej shenjimeve të fundit që e lidh me artin. Thënë kjo, artistët që prej një viti kur u prezantua nga qeveria ideja e shembjes së tij për të ndërtuar një të ri po protestojnë për ta mbrojture kanë interpretuar si hap drejt shembjes.




Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit
Kjo e fundit tha dje se qytetarët e Tiranës u përballen me faktin e kryer. “Fasada e Teatrit Kombëtar u zgjua e dhunuar, e zhveshur nga shkronjat identifikuese të saj. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e dënon këtë akt të ulët dhe kërkon nga Ministria e Kulturës të mbajë urgjentisht dhe publikisht qëndrim për sa ka ndodhur dhe të kujdeset që shkronjat të rivendosen aty ku ishin”,-shkroi dje Aleanca. Në rast se kjo nuk do të ndodhë, Aleanca do të ndërmarrë një aksion privat për riprodhimin e rivendosjen e shkronjave, dhe do ta denoncojë aktin e paprecedent në prokurori. “Është në nderin e gjithkujt që ka diçka për të thënë, që e ndien veten qytetar dhe shqiptar të flasë dhe të veprojë tani”, theksoi Aleanca.
Nga ana tjetër, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë tha dje se “për të gjithë ata që mendonin se nuk do të vinte kjo ditë, fasada e Teatrit Kombëtar është gdhire sot pa emërtimin me germa të arta. Mesa duket po bëhet fakt i kryer shkatërrimi i godinës edhe pse ligjërisht nuk ka ende një vendim. Dëmet me të mëdha për trashëgiminë bëhen në kohë trazirash kur vëmendja e publikut është e topitur nga të tjera halle”.
Shkrimtari Rudi Erebara shkroi dje se kur i quajta barbarë, për këtë e kisha fjalën. “Pushtues barbarë janë. Natën heqin germat e Teatrit Kombëtar. I vodhën nuk i hoqën për gjë tjetër. Janë mësuar me vjedhje. Vjedhjen e dinë punë. Janë barbarë. Do t’i hanë fëmijët e vet, sa të rriten, si gjithë barbarët endacakë që janë endur pa vend mbi këtë botë”, shkruante në profilin e tij në FB.

REAGIMI I
KASTRIOT ÇIPIT
Më poshtë po vëmë edhe reagimin e Kastriot Çipit, ish-drejtor i Teatrit të Komedisë dhe pjesë e Aleancës.
Reagimi:
Ndërkohë që shembej tavani i një dhome në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, duke plagosur dy gra lehona (falë Zotit asnjë foshnjë), nga fasada historike e Teatrit Kombëtar shkuleshin shkronjat ndriçuese.
I njëjti shtet, që nuk kontrollon sigurinë e ndërtimeve dhe rindërtimeve të spitaleve, po shkatërron me dhunë objekte të trashëgimisë, që i kanë mbijetuar mungesës së mirëmbajtjes për dekada.
Por, pasi ka kaluar nata e hajnave me rroga shtetërore, skandali sapo ka nisur të shpërfaqet… dhe të thellohet. Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, njeriu që për katër vjet me radhë në post nuk shpenzoi asnjë qindarkë për mirëmbajtjen e ndërtesës, që u rreshtua pro shembjes së saj dhe u shpërblye me një mandat të dytë, e mohoi ngjarjen, prova e së cilës është aty, në zemër të Tiranës, në një shesh publik, ditën me diell. Ai i tha gazetares së një tv-je se “asnjë shkronjë nuk është hequr nga fasada e Teatrit Kombëtar”.
Këtu ngrihen ca pikëpyetje të mëdha. Nëse drejtori i TK nuk ka dijeni, kush e dha urdhrin për heqjen e tabelës ndriçuese? Ministria e Kulturës apo Bashkia Tiranë? Deri tani asnjëri prej këtyre institucioneve nuk është shprehur.
Teatri Kombëtar është në varësi të Ministrisë së Kulturës dhe asetet e tij janë në pronësi të kësaj të fundit. Bashkia Tiranë, pra, nuk ka asnjë tagër ligjor dhe nëse ajo është përgjegjëse, atëherë skandali është i dyfishtë.
Por, nëse urdhrin e ka dhënë zonja ministre e Kulturës, mbeten të gjitha pikëpyetjet e tjera: Pse natën? Pse u hoqën shkronjat? Ku ndodhen tani?
Në bazë të ligjit special për “Rindërtimin e Teatrit Kombëtar”, Ministria e Kulturës dhe Bashkia Tiranë duhet të bashkëpunojnë për të shpallur garën për projekte për “zhvillimin urban të zonës” dhe krijimin e komisionit negociator për vlerësimin e tyre. Por këto veprime duhet të bazohen në një Vendim të Këshillit të Ministrave, i cili nuk është miratuar ende, megjithëse afati ligjor ka kaluar qysh më 13 dhjetor 2018.
Atëherë pse u hoq emri i Teatrit Kombëtar nga fasada? A nuk është kjo, në rastin më të mirë, komprometim i garës? Ligji special thotë se i takon komisionit negociator të vendosë për këtë ndërtesë. Kjo do të thotë se komisioni ka të drejtë edhe t’i refuzojë të gjitha projektet e paraqitur në garë dhe, në këtë rast, Teatri Kombëtar nuk ka arsye të shembet. Me këtë veprim, shteti tregon sa seriozisht e merr garën dhe ligjin, institucionet e drejtësisë dhe vetë nocionin e drejtësisë.
Bashkia Tiranë trumbeton me të madhe çdo gjobë për shkelje bari apo urinim gjatë protestave të opozitës, por nuk ka bërë ende asnjë koment për këtë dëmtim të pronës publike, në zemër të Tiranës dhe në bashkëpunim, të ndodhur para kamerave të Ministrisë së Brendshme dhe më pak se 70 metra larg vetë Bashkisë.
Orët e ardhshme duhet të mësojmë kush e dha urdhrin dhe cilët e zbatuan. Por, nëse Bashkia Tiranë dhe Ministria e Kulturës nuk japin asnjë sqarim, atëherë duhet të ndërhyjë prokuroria për të zbardhur të vërtetën.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.