MILOSAO

Aleksandër Moisiu në vlerësimin e kritikës polake

18:00 - 28.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Më 23 mars të këtij viti u mbushën 84 vjet nga vdekja e Artistit të Madh me famë Botërore me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu. Si aktor në Teatrin Gjerman të Berlinit, ai ka bërë një sërë turnesh në vende të ndryshme të Europës, ndërmjet të tjerave edhe në Poloni, i ftuar nga Teatrot polake. Në vitin 1925 ai dha shfaqje në Varshavë, në vitin 1926 në Krakov dhe Lvov (“Hamleti” dhe “Mbreti Edip”) dhe në vitin 1928 përsëri në Krakov (“Fausti”). Për vlerësimet e larta që i ka bërë kritika polake e asaj kohe, po botojmë artikullin e shkruar në revistën polake “?ycie Teatru” (“Jeta e Teatrit”), Nr 44-45, datë 01.11. 1925. Ky atikull është shkruar pas shfaqjes që Moisiu dha në Varshavë në vitin 1925, e cila nuk ishte shfaqje teatrore, por një recital me interpretime nga pjesë të ndryshme të autorëve më në zë të kohës. Artikulli shoqërohet me dy fotografi të Moisiut në rolin e Hamletit dhe në atë të Potasovit.
Dihet se Aleksandër Moisiu në ato vite udhëtonte me pasaportë italiane, prandaj për këtë arësye në botë njihej si aktor italian, siç përmendet edhe në këtë artikull, pa i përmenduar origjinën familiae shqiptare të tij.




Nga Wiktor Brumer*

Moisiu, që javën e kaluar magjepsi publikun varshavian me recitimin e tij mjeshtëror, do të thoja se është vetëm një pjesëzë e vogël e një aktori të madh që, prej shumë vitesh, krahas Bassermanit, përbëjnë themelet e teatrit reinhardtian.
Një pjesëzë e vogël e Moisiut, ka qenë edhe si aktor filmi. Shtojmë gjithashtu: aktor i mrekullueshëm, i cili me shkëlqimin e syve, elektrizoi publikun.
Moisiu i vërtetë në vetvete është bashkimi i fjalës me gjestin, ndërkohë që ruan plotësisht në maksimum ekuilibrin midis këtyre dy elementeve, megjithë gjallërinë e talentit të vet dhe temperamentit të tij italian. Mgjithatë, shfaqja e Moisiut në Varshavë vetëm në karakterin e recituesit, zgjoi një interesim të kuptueshëm dhe tërhoqi vemendjen për një karakteristikë shumë të rëndësishme të talentit të Moisiut.
Pra, Moisiu jo vetë ka një organizëm të përsosur zanor, por ai di ta zotërojë zërin e tij. Nuk mund të pranojmë gjithmonë drejtësinë e përdorimit të dinamikës së zërit të Moisiut në një krijimtari të caktuar (p.sh. në “Dy granadierët” e Hajnit), megjithatë duhet pranuar se Moisiu zërin e përdor gjithmonë ashtu siç e dëshiron ai vetë dhe se ky zë nuk e zhgënjen atë asnjëherë.
Për realizimin e këtij qëllimi, Moisiun e ndihmon shkalla e lartë e fuqisë së zërit. Me të vërtetë Moisiu ka të drejtë të thotë për veten e vet se është Caruso i deklamimit. Deklamimi i tij nuk mbështetet në një ose dy tone, vetëm në rast e këtë e kërkon karakteri i interpretimit të veprës. Si rregull, Moisiu është në gjendje të përdorë të gjithë diapazonin e zërit të tij.
Diksioni i Moisiut është shembullor. Çdo fjalë ka formën e saj plastike. Këtu tërheq vemendjen shqiptimi i jashtëzakonshëm që qëndron shumë lart i fjalës “Tot” [në gjermanisht “I vdekur”], në të cilën secila germë formoi një tingull të veçantë dhe prej këtyre tingujve të veçantë u formua tritingulli harmonik. Përveç kësaj, shqiptimi i Moisiut bëhet sipas rregullave të caktuara në Gjermani. Pra ai, p.sh. nuk thotë “K?nig” [Mbreti], por “K?nich”; nuk thotë “Wahnsinnig” [I marrë], por “Wahnisinnich”. Shkronjën “R” Moisiu e shqipton në mënyrë të rregullt, megjithatë, gjatë interpretimit të shpejtë, kjo “R” nuk dëgjohet. Ndoshta kjo është mangësia e vetme e vogël e diksionit të këtij mjeshtri të fjalës.
Deklamimi i Moisiut i mbëstetur në diapazonin e gjërë të zërit dhe në mosdeformimin e diksionit, shpesh herë kalon në transformimin në një farë lloji të këngës. Ky është deklamimi që buron nga shpirti i muzikës. Pra, ky është deklamimi i vërtetë dhe jo leximi i rreshtit të prozës. Një mjeshtëri kaq të kapshme të deklamimit, në Gjermani Moisiun e ka arritur vetëm një aktor, Jozef Kainz, për të cilin Adolf Winds, me të drejtë ka shkrojtur: “Kainz simfoninë e lexon”.
Megjithatë, recitimet e Moisiut nuk kanë qenë pa pretendime. Temperamenti i tij u ngrit lart kur deklamoi “Dy granadierët” që përmendëm më sipër. Moisiu i hoqi veprës së Heinit vetëm një element të sentimentit ushtarak, duke e bërë atë, ashtu siç konstatoi me të drejtë Irzykowski, një farë këngë hakmarrëse. Por këtë mospërputhje me frymën e veprës, recitimin e bëri plotësisht të nxehtë interpretimi kryevepër, fisnik dhe realist, siç ishte deklamimi i “Erës së Nëntorit” dhe i “Dëborës” së Verhaerenit. Çdo fjalë, çdo rrokje transmetuan këtu misterin e atmosferës së veprës. Fjala qendroi këtu në kufirin e poezisë dhe muzikës.
Dhe për këtë arësye, megjithëse patëm mundësinë të admironim në Varshavë një pjesëzë të vogël të këtij aktori të madh, kjo pjesëzë e vogël qëndroi në nivele kaq të larta, saqë nuk do ta harrojmë shpejt këtë gosti që na dha Moisiu në Poloni.

*Përgatiti Leonard Zissi


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.