MILOSAO

Pse është kaq e vështirë të bësh një film për Shqipërinë e vërtetë?!

18:00 - 28.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Shqipëria e viteve post ’90 është një vend, i cili po jeton një tranzicion të gjatë dhe të pafundëm. Që nga ai politik me formacionet që ende nuk po vetëdijësohen për misionin e tyre të madh për të drejtuar jetën e vendit; me mungesën e madhe të vetëdijes sociale për stadin e ri; për gjendjen ekonomike e cila ende nuk po e përqafon iniciativën e lirë dhe nuk po shkon në udhën e duhur të ekonomisë së tregut.
Kultura, që i përgjigjet këtij konfiguracioni, ende nuk po na ndihmon për të hedhur dritë në këtë tranzicion. Kurse arti kombëtar më shumë punon të lexohet dhe të vlerësohet jashtë vendit dhe është i mbushur me klishe. Shqiptarët hajdutë, kriminelë, politikani mashtrues, trafiku i femrave, përndjekja, hakmarrja që nuk ndalet, stereotipi i lodhshëm i Virgjëreshave, Sigurimsat spiuna, e kështu me radhë, mbushin që në faqet e para ose janë në planet e para. Në ato pak filma ku mund të lexohet një mesazh ndryshe, ai mbytet nga elementët e tjerë të veprës, që patjetër duhet të ketë si kanon këto që parashtruam më sipër.




Duket sikur Shqipëria ka jetuar në një tunel të errët pa asnjë lloj shprese, që pas një drite të beftë në fillim të viteve ’90, është rifutur në një tunel të pafundmë. Njerëzit e artit, sidomos ata të kinematografisë, që përbën një art i cili impaktin e ka shumë të madh në publik e kanë të vështirë të tregojnë një situatë normale ku të mos gjykohet apriori sistemi, por kushtet dhe realitet që i pjellin dhe i mbajnë këto sisteme.
Ka deri barcaleta tashmë për të rinjtë sesi pyesin nëse ekzistonte jeta sociale apo jo në Socializëm, ashtu si sot, një grup gjithnjë e më i vogël militantësh dhe ithtarësh të rrëgjimit të shkuar nxijnë arritjet e ditëve tona.

Shqipëria jonë ka bërë një hap normal por me vonesat e veta në çdo periudhë historike. Inercia e saj, ashtu si e shumë vendeve të tjera, ka përcaktuar realisht dhe të ardhmen e vendit. Fatkeqësisht inercia e Shqipërisë ka qenë e madhe. Republika dhe Monarkia e viteve mes Dy Luftërave Botërore, që nuk mundi megjithë përpjekjet të ndjekë trendin e zhvillimit ekonomik të kohës, Inercia komuniste staliniste e vendit që e la me dekada pas, ashtu si rruga e viteve ’80 e izoloi vendin në një situatë gati absurde dhe drejt një krize ekonomike të frikshme. Nëse do të besonim dhe do të shpresonim se gjendja do të ndryshonte menjëherë pas viteve ’90, kjo lë ende vend për t’u sqaruar por shumë nga elementët kanë mbetur në vend, brenda këtij sistemi të ri. Arti dhe kultura nuk kanë mundur të bëhen dot kambanë zgjimi për publikun, kurse tashmë libri spekulues dhe filmat që më shumë bëhen për jashtë as nuk ngjallin më kërshëri te publiku ynë. Edhe një pjesë që mbartin vlera te humori i zi për shkak të gjetjeve natyrale, janë më shumë përshkrues groteskesh sesa realisht simboli i Shqipërisë së asaj apo kësaj kohe.

Shqipëria ende nuk ka një film të tregojë jetën e dytë nën Komunizëm nën presionin e Sigurimit dhe nën përkorjen absurde, njerëzit që shpëtuan prej saj dhe solidaritetin mes komunitetit; Shqipëria ende nuk ka një film ku mund të tregojë realisht tranzicionin, ashtu si nuk ka një film të mirëqenë të problemeve tona sociale, pa e mbushur dot me klishe. Ne, shqiptarët, ende nuk kemi një film të sinqertë për braktisjen e vendit. Ashtu, si shqiptarët ende nuk kanë një film për përplasjen e brezave…në çdo kohë.
Mungojnë gjetjet? Mungon fondet? Të gjitha bashkë. Në fakt, mungon përgatitja që Shqipërisë t’i dhurohet një film sepse shqiptarët e kanë vështirë të shohin realisht historinë e tyre pa doreza. Pa frikë. Pa droje. Hapur. Shqiptarët nuk e dinë se çfarë të shkruajnë për shqiptarët, sepse kanë mbetur një popull virtual. I etur të dëgjojë dhe të shikojë fillimisht gjykimin e të huajve. Kjo, realisht, duhet të na dhembë. (Milosao)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.