MILOSAO

Statuja/ Një roman tronditës për shfigurimin e njeriut të ri në diktaturë

18:00 - 28.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Romani rrënjon në vitin 1967, kur nis revolucionarizimi, si shëmbëllim cunamit kinez të Revolucionit Kulturor. Fabula dhe fiksioni, ngjizur e ngërthyer njëri me tjetrin, shpalojnë, jo vetëm mbresën e mjegullt utopike të Njeriut të Ri, por edhe udhën e rrëgjimit të parakohshëm të tij. Kur propozohet për t’u gdhendur në mal, portreti gjigand i Diktatorit, një ndodhi, në dukje mikrometrike, hap shtegun e brerjes dhe të alarmit. Gjatë vizatimit të simbolit hartografik të Statujës së Enver Hoxhës, në vend të shenjës përkatëse, vizatohet simboli i varrit të vetmuar. Ngatërrimi ishte fatal.”
“Ky mesazh i frikshëm, në atë paranojë, përfytyrohej se dërgohej nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Paradigma, si një shestim, për eliminimin e Diktatorit, nis rrotullimin e mokrës, e të goditjes së kudhrës, në një provë të rëndë të personazheve.”
“Si një reaksion zinxhir, përcillet energjia tronditëse, gjer në sfera të larta të partisë-shtet. Udhëheqës: si Ramiz Alia etj. në atë makth, i bren ndërgjegjja, kur për kundërshtarët e tyre iluzivë komunistë, si dhe klasat e përmbysura, s’kish as gropë, as shenjë e gur varri.”
“Një dashuri e magjishme e Erson Pirgut me Hera Muzakën mbetet filli i Arjanës që kapërcen çdo dridhmë tragjike.”
“Erson Pirgu përzgjidhet, për një mision të jashtëm zbulimor. Në legjendë ai “bije në krye të detyrës…”Hera Muzaka bëhet pjesë e sakrificës së lartë, ajo shndërrohet një Vejushë misterioze duke përjetuar hapjen e varrit dhe ngritjen e lapidarit të kuq…”
“Epilogu e sjell Ersonin në atdheun e tij kur regjimi diktatorial kishte rënë. Ata fillojnë procedurën e “ngjalljes” dhe prishjes së varrit të gënjeshtërt, bëjnë shënimet në Regjistrin e të Vdekurve ndërsa, shumica e persekutorëve dhe e instruktorëve ishin shndërruar në antikomunistë të egër.”




Nga Myslim Pasha – GDHENDJA E  KOKËS SË MALIT – Maksut Bigorri u hutua dhe iu krijua një rrudhë, në cep të buzëve të holla si presë sëpate. “Pse i keni futur oficerët te kontingjenti i Njerëzve të Rinj? Kemi bërë shpjegime të hollësishme e duhen parë modelarët. Oficerët, nga detyra që kanë ndaj atdheut e mbajnë vdekjen me vete, fishekun dhe qesen e helmit dhe lavdinë mbi supe ! “, tha Shoqja Xh. Pastaj shtoi si qortim: “Shoku Maksut, pse nuk mbani shënime!?”, u shpreh ajo.
“I kam në tru fjalët e Partisë, shoqe ! Ja tani po i shkruaj!”, u kruspullos ai. Në këtë çast fleta u lëkund nga era dhe oficer Erson Pirgu ra në një ëndërrim për diskutimin elektrizues që s’kishte fare lidhje me realitetin ekonomik dhe politik të Shqipërisë. Ai po thoshte: “Kam edhe diçka tjetër. Dje sapo kam zbritur nga mali Bureto. Ne ishim përballë forcave greke që po kryenin manovra kërcënuese përtej kufirit të Shqipërisë sonë shkëmb graniti”.
Shoqja Xh. filloi të shënojë ca fjalë simbolike, me pikëpyetje nga pas, si miza të holla e të përdredhura. “Unë jam hartograf dhe ne vizatojmë portretin e Shqipërisë. Sikur të shkoni në zbor apo në ekskursion ushtarak, në kreun verior të Buretos, mali shikon nga veriperëndimi me një plastikë që i ngjan shokut Enver. Mbilleni shikimin e vëzhgoni !” Salla pati një qetësi të ngrirë. “Shoqja Xh. dukej sikur po thoshte me vete: “Ç’janë këto hartime nxënësish?”. Pastaj palosi fletën si e mërzitur. “Aty sikur ta kesh gdhendur profilin e shokut Enver!” Salla e Njerëzve të Rinj u ngrit në këmbë. Shoqja Xh. uli kokën dhe nuk u ngrit si gjithë të tjerët, mirëpo kur filluan “Enver! Enver” ajo lëvizi kokën dhe shtatin. Maksut Bigorri, përgatitësi kryesor i kuadrit të Ri, i çeli dhëmbët e rrallë dhe qepi sytë për ta shquar më qartë Shoqen Xh., nëse po reflektonte diçka të veçantë apo jo. Kur u ulën, Erson Pirgu vijoi: “Atje skulptorët duhet të gdhendin portretin e përjetshëm të shokut Enver Hoxha. E kam si propozim për këtë konferencë të Njerëzve të Rinj”.


Entuziazmi kishte pushtuar sallën dhe sytë e të gjithëve ishin drejtuar nga shoqja Xh. Oficeri u ul i përskuqur, i duartrokitur, zemër gufuar nga epërsia e menjëhershme që fitoi. Ndërkaq shoqja Xh. nga presidiumi, sapo kishte filluar për të sqaruar këtë propozim fishekzjarr…
“Fjalët që dalin këtu janë sythe komunikimi, të cilat prijnë. I ka Partia si rreze mëngjesi. Por, duhet që ju kandidatët për Njerëzit e Rinj ta kuptoni thelbin e propozimit të zemrave tuaja. Partia jonë është kundër Kultit të Individit – malet janë fytyrë e Shqipërisë. Njerëzit e Rinj duhet të punojnë që ta çojnë farën deri në majë të shkëmbit dhe poshtë tyre të hapin tunele. Ja, kjo është fytyra e shokut Enver!”, e mbylli ajo sqarimin. Gjatë pushimit i kërkoi Maksutit që të takohej me Ersonin. Ai iu afrua i ndrojtur duke e nderuar me grusht, “Sipas urdhrit tuaj paraqitem!”. Shoqja Xh. buzëqeshi dhe pastaj i dha dorën. Sipër syrit të saj, varej një fill mistik – kështu iu duk atij, mes emocionesh që e pushtuan. “Shoku Erson” filloi ajo. Dukej që sapo ishte graduar, se nuk fitohej kaq kollaj fjala ‘shok’, çka duhej ta meritoje. “Arrita kaq lart, kaq shpejt !”, i vetëtiu atij.
“Shoku Erson, të të pyes, kujt klase i përket ti ?” Zëri biskonjë i Shoqes Xh. e lidhi. “Fshatar i varfër, shtëpi-djegur… dhe pa e pangopur barkun me bukë”, e tha shkurt dhe prerë atë të vërtetë, me mburrje. “Ajo puna e gdhendjes së malit, na habiti”, i tha ajo.
“Përvoja e Kinës me Mao Ce Dunin gdhendur në një mal të tyre”, plotësoi ai me krenari. “Neve na interesojnë njerëz të thjeshtë të padukur më parë, si Shkurte Vata, Hekuran Zenuni, tashmë të vdekur, janë të gjallë e janë ndër jetë; Fuat Çela e Mitro Kukuzeli, Isuf Plloçi i djegur me teserën e Partisë të kapërdirë në organizmin e tij. Ne jemi vidha të revolucionit, ne duhemi çuar atje ku e kemi vendin, të mbërthehemi, të përputhemi e të shtrëngohemi !”, vijoi ai i çliruar nga afërsia e diskutimit të Shoqes Xh. për gdhendjen e kokës së malit.

MERIDIANI I VARRIT – Sul Kërluku ishte i kënaqur me detyrën. Po i buzëqeshte vetes, duke përveshur mëngët në fillim të javës së re. Ishte një stinë e mbushur me harta të reja që po përgatiteshin nëpër Myzeqe dhe që do të plotësonin nevojën për harta në Ultësirën Perëndimore. Ai ishte vijërojtës i cilësisë, kufiri ndarës e krahasues i cilësisë dhe përpikërisë, nëse portreti i hartografimit ishte në përkim me natyrën apo jo. Plani i tij i punës po hapej me hartën e Lumgjallit, që gjendej afër vijës meridionale kufizuese të fushës, dhe kodrat mbanin në prehër një qytet që po rritej. Ai e mori origjinalin e hartës, i fryu, sikur të kishte pluhur, ia kaloi pëllëmbën si për ta fshirë, pastaj gishtin tregues e ledhatoi në kryetitull, për t’i rregulluar vetullat. E krahasoi me një këmishë të tejdukshme, sikur format e relievit t’i fshiheshin në mënyrë aq intime për bukuritë që ato ndrynin brenda tyre. Pati një ndjesi poetike atë çast fillimi, që i erdhi si një mjegullnajë idilike, që gjithherë i shfaqej para se të fillonte bisedën me simbolet hartografike që shëmbëllenin realitetin, para se origjinali të shtypej në mijëra kopje. “Të kapa! Të kam në dorë! S’më shpëton dot! Vetëm unë do të të nxjerr të shkosh në sytë e botës”, thoshte ai si zakonisht, kur fillonte korrigjimin me atë përdëllim të njohur. Një përkushtim mallëngjyes ndaj korrigjimit të punës, kalimit si në brimë të gjilpërës – kështu e pati realizuar Sul Kërluku postbllokun hartografik. Gjurma qytetore ishte shumë e dallueshme me vizatim të qartë e të plotë, kuadrate blloqesh banimi njëra pas tjetrës dhe Gjanica që rridhte me bimësinë e gjelbër në të dy krahët e saj. Humori iu shtua edhe më shumë, pasi mendoi se Ugo Tomja do të kishte bërë një punë të pastër e pa gabime. Ai u përpi si ndaj një zbulimi në kthesën që merrte lumi, i cili mbështillte lulishten qendrore të qytetit. Tushi vizatimor kinez ishte shumë i theksuar dhe mbresa shumëfishohej jo në zmadhimin e saj, por në atë përqendrim që të afronte. (Ç’është kjo që shoh!?) një kryq (?) me theksim të zi, i cili e kishte gozhduar ngjyrimin hapësinor të së gjelbrës që zotëronte anash. “Ç’të ishte kjo? Një varr? Shenja e saktë apo po më bëjnë sytë? I vetmuar, mes luleve rrotull”, po i thoshte mendja e tij e trazuar, e lidhur tani me shenjën ogurzezë. Nuk është as në kurrize të largëta malore apo në shpate kodrinash, mbi ndonjë shkrep të harruar, monolog i vetmuar i ndonjë kaçaku apo lajmëtari, mbase në ndonjë pritë të zakonshme kanuni.”
Po i merrej fryma dhe fshiu sytë e mjegulluar. Shenja, në vend që të shuhej po qartësohej më shumë. Ai u ngrit për të marrë veten. “Kush ma solli këtë shenjë të vdekjes sime!?”, tha. Uli kokën sërish mbi origjinal dhe rrudhat e ballit po hapnin vija kullimi, për ta tharë atë skenë hartografike të pazakontë. “Me sa di unë…” Ai kujtoi Statujën e Enver Hoxhës , vendosur këtu me rastin e 6 Shkurtit revolucionar. Kjo ishte shumë e njohur. “Ç’po flas? Ngulja e kryqit (?). E kujt? Në vend? Ku? Të shokut E n v e r?”
Iu prenë krahët dhe koka iu var. A kishte vallë ndonjë njeri tjetër rrotull sy dhe veshë? Po hungërinte për atë që pati zbuluar. Takikardia bëri një goditje të ndarë. Në këtë zbulesë qenia e tij e frikshme u mbërthye me një brengë fatkeqe, hall dhe vuajtje e madhe, pasuar nga një rënkim që doli me fjalë: “E gjetsh nga mos e pandehsh!”. Kryqi ishte perpendikular. “Enver Hoxha i zëvendësuar me një varr (?) ? ”
U ngrit dhe vendosi që të ribindej në çekuilibrin e tij. Zgjati dorën për të marrë lupën e madhe, e cila të jepte sqarim dhe hollësi bindëse. Mbylli syrin e majtë, të djathtin e shqeu në ulje e sipër dhe shenja e kryqit u zmadhua dhjetëfish. “Oh!”, ia bëri. U mundua ta çonte në raft origjinalin, por u shtri në dyshemenë fatale; origjinali rrëshqiti dhe shkoi në fundin e murit të zyrës. Kishte rënë përmbys pa ndjenja; siç duket goditje në zemër, me një simptomë të çekuilibrit psikik që i ndodhte shpesh. Sekretarja shtyu derën, sepse i kishte kapur veshi një zhurmë, e në ulërimë e sipër e kapi për shpatullash, por nuk e ngrinte dot. Të paktën ia ktheu fytyrën nga tavani. Ai ishte përgjakur. Tundi kokën dhe u ngërdhesh. Ndërkaq ishin futur disa oficerë që e ngritën në krahë, duke thirrur për makinën e Detashmentit. “Çojeni në spital, se kështu e ka i shkreti!”

STATUJA ( ) GJEN VARRIN E SAJ 21 shkurt 1991
Semani i Vdekur ende nuk kishte dalë nga shtrati, edhe pse kishin rënë shumë shira në drejtim të juglindjes. Ishte fund shkurti dhe bënte ftohtë. Hera Muzaka kishte veshur një fëshfëshe ngjyrëmjalti, mbështjellë deri në gushë. Jaka e ngritur e xhaketës, si pjesë e rrobave të zeza që ajo nuk i kishte hequr asnjëherë, ia mbante erën që po i shkiste mbi flokë. Zbriti nga autobusi i vjetër dhe mori udhën për te qendra e Lumgjallit. Kishte lënë pas Tiranën, ku kishte pllakosur çrregullimi i plotë. Një zhaurimë topitëse dhe mbytëse po i vinte nga rruga qendrore e qytetit. Grumbuj njerëzish të hutuar koloviteshin andej këndej; i vetmi vend ku donin të shkonin ishin dyqanet e bukës dhe të vajgurit, ende të pa furnizuara. Frika e përgjithshme ndihej në çdo skaj. Lajmet që vinin nga Europa Lindore e kryesisht nga Rumania kishin hapur udhët e përmbysjes. Sy të zgurdulluar nuk prisnin përgjigje, veçse provokonin sherr ashtu, kot së koti. Kruheshin pa pushim, sikur të ishte stinë epidemie. Flamujt e PD-së dallonin mbi të tjerët. Shfrynte i tërë qyteti, dhe s’dihej nga se e përse. Zëra ulëritës dhe të shara, me nënë e motër dhe ç’të kapërcen pragu i derës, vringëllinin. Hera u shtang sërish. “Kështu nuk ka ndodhur as në Tiranë”, donte ta ndante fjalën me dikë tjetër. Vendosi të shmangej, për t’i kaluar nga mbrapa bustit të Stalinit që ishte rrëzuar. Aty u pengua. Thirrjet vijonin e turma kërkonte diçka, ndofta një udhëheqës që mund të ndodhej diku brenda turmës, por që s’guxonte e sikur fshihej aty brenda. Ata që vinin nga Hani i Todit ishin të organizimit të Partisë së Punës në rreth.

Në krahë të tyre, policë të Degës së Brendshme rrinin si të kruspullosur. Para Turizmit mund të bëhej takimi i të dy krahëve që mendohej se mund të borroçiteshin . Mirë këta të Stalinit të rrëzuar që vinin nga Partia, po turri i këtyre “bluve”, ku e kishte synimin? Hera e la ndërtesën e postës dhe i mori krahun hotelit, që të mos ngatërrohej në atë që po ndodhte. Tjetër plan kishte dhe tjetër i doli. Ende, ajo ishte funksionare e lartë e Bashkimit të Grave të Shqipërisë; tani mendja i vinte vërdallë, se si të shpëtonte që të kthehej sa më shpejt në Tiranë. Situata e rrëmujës antikomuniste ishte më e frikshme në Lumgjall sesa në Tiranë. Ky do të ishte edhe një informacion me vlerë që ajo mund ta përcillte. Gati me vrap doli pas Turizmit, nga frika se mos ndeshej me kolonën e Komitetit të Partisë, se aty kishte të njohur të saj. Hodhi sytë nga tarracat dhe pa ushtarë të veçantë me armë. Thuhej se ata ishin snajperë. Të dyja palët e turmës, sapo u panë njëra kundruall tjetrës u stepën, nuk dëshironin që të ndesheshin dhe ruajtën njëfarë largësie. Nga krahu i flamujve blu doli një burrë i shkurtër. “Ore vëllezër, ju shkoni atje ku jeni nisur dhe ne në drejtim të brirëve tanë”, thirri. Kështu u bë një lloj paqeje dhe të dyja turmat i hapën rrugën njëra-tjetrës; “bluja” doli në buzë të Semanit të Ri dhe “e kuqja” në buzë të Semanit të Vdekur. Po ecnin shtrënguar, ndërsa rreshtat “e kuqe të Partisë” në rreth iu drejtuan Stalinit të rrëzuar. Hera lëkundej prej një pezmi që nuk e kishte pasur herë të tjera. Ndodhej në një kryqëzim fatal. Ajo statujë ishte një lloj strumbullari, prej të cilit tërhiqej jeta e saj. Edhe pas zhdukjes të heshtur të Ersonit, ajo që tanimë ishte një ndër gratë më të njohura të vendit, si dhe vejushë me histori misterioze, e vizitonte shpesh këtë vend të fatkeqësisë së saj. Aty ishte humbja dyformëshe, e cila ndërkëmbehej si kartëmonedhat në treg, Lojë me Vdekjen dhe Vdekja si pika në strehë. Këtu, rrëzë Semanit të Ri, pranë statujës, ajo vazhdonte të shikonte “pikën në strehë”, që ende nuk kishte rënë. Ishte vuajtja e saj e pangjashme, gravitetin e së cilës ajo e kishte ndaluar me dashurinë e saj. U rrotullua rreth vetes për ta parë humbjen e saj. Ç’jetë kishte bërë vallë!? Duke pritur Ersonin dhe ja, tani shihte se si i aviteshin turmat statujës. Këtu, te kjo nyjë, kishte filluar të përthyhej e të merrte të tatëpjetën jeta e të dyve. “E gjithë bota venë e vinë, po ai pse s’vjen?” se si i shkrepi, teksa turmat ulërinin.

Në kafkën e Statujes kishte rënë çekani, me një të krisur të thatë dhe kumbuese. Ajo po ndiqte zgjatjen e duarve dhe, me një kapërcim e sipër të shkallëve, doli për të qenë sa më afër që ta shihte fundin. Ajo e pa litarin e bërë lak që fluturoi me një hark eliptik mbi çekanin që godiste kafkën. Kështu laku i litarit gjeti qafën dhe aty u rehatua, megjithëse thyerja ia bëri shtrrap. Litari i hedhur mbahej nga duart e disa djemve.
“Tërhiqeni zvarrë!”. Dhe ashtu filloi zvarritja nën ulërimë komunistësh që ishin thirrur për ta mbrojtur. Hera u gjend në një shteg që u hap nga zbythja e njerëzve. Policët bënë sikur do ta pengonin, lëvizën duar e këmbë dhe folën me zë të lartë, kinse duke kërcënuar, por u larguan. Një urdhër i dytë i ktheu dhe ata filluan goditjet me shkopinj gome e më pas duke gjuajtur me plumba plastikë. Statuja që po zvarritej, edhe pse kryegjalli kishte vdekur vite më parë, ishte qendra e koordinatave dhe hartës së fatit të saj dhe atij të Ersonit.
“Kush është ai që përdori çekanin?”, pyeti. Statuja kafkë-thyer, si një skulpturë surreale, hapte boshllëkun e kokës së ndarë, ekspozuar nga drejtimi i teatrit “Bylis” si një vrimë e zezë. Hera po çante përpara dhe njerëzit po i hapnin vend gruas së veshur me të zeza, që ata po e mendonin se mund të ishte një përfaqësuese e klasave të përmbysura. “Enver Hitler! Enver Hitler!”
Turma po ngatërrohej, në disa vende dukej sikur po shpërbëhej, sepse drejtuesit statujë-mbajtës dhe ata çekan-goditës kërkonin që të bënin një akt tjetër, përpara se ta hidhnin në Semanin e Vdekur: t’i bënin një lloj “parade”, për t’ia futur frikën, por edhe për t’ia nxjerrë atë frikë njerëzisë së radhitur në të dyja anët e bulevardit. Koka e shpërfytyruar linte shumë gjurmë dhe njerëzit filluan të shanin. U ndje një zë: “Ç’keni me të vdekurit, a u hëngërt dheu!”.

“Shikojeni se kush është Enver Hoxha! Kafkë-thyer ka qenë gjithë jetën!”, shkrofëtinte zëri i Sigmit. Asaj i ngjau se brenda turmës mund të dilte Ersoni, si prej një çudie, sepse ai ishte mësuar të hynte e të dilte nga gropa e të shfaqej si fantazmë, aq më tepër në këtë çast, kur njeriut që thuhej se s’kishte vdekje (ndërkaq ai kishte nja pesë vjet që kishte vdekur) po ia hidhnin statujën në lumë. Dëgjoheshin të qeshura të marra e inatçore, po edhe të qara të disa grave me të zeza që po shkëputeshin nga kolona. Ato dukeshin sikur ishin në një procesion varrimi. Hera u bashkua me to. Kolona u kthye te plepat e mëdhenj, atje ku dilnin disa rrënjë pemësh të rrëzuara, pranë një ujëvare të vogël që derdhej me llokoçitje, duke e përzier naftën e zezë mbin valë.
Ngjyrimi i zi dallgëzues mbuloi gjithçka. Njerëzit po mblidheshin kundruall lulishtes. Herës i erdhi sërish ndër mend kërkimi i drejtimit jug-veri, ai orientimi gjeografik, siç ia kishte shpjeguar Ersoni, kur Sigmi dëshironte të saktësonte se në cilin drejtim kishte penetruar arkeologjia e kërkimit të varreve imperialisto-revizioniste, për ta gërmuar statujën e Enver Hoxhës. Mospërputhja e këtij orientimi ishte ngatërruar keq me pozicionimin e shtrirjes islame të varrit, që duhej ta kishte meridianin orientues nga Qabeja.
“Vëllezër dhe motra, sa kemi vuajtur, sa kemi vuajtur një jetë të tërë për ta rrëzuar këtë njeri! Ai që hodhëm në lumë na e ka nxirë jetën! Shikoni sa i bukur duket ky shesh pa statujën e tij!”

Ajo dyshoi në një halucinacion të çastit, se aty afër do të gjente Ersonin, të cilin po e priste si Penelopa. Ky ishte edhe pakuptimi tjetër absurd i jetës së saj, heroinë komuniste e një heroi të vdekur për së gjalli. Ersoni kishte qenë orakulli, i cili kishte komentuar rrëzimin. Turma e pa formë rrëzonte idhullin me verbërinë që e kishte pushtuar, kurse Ersoni ndodhej në absurdin e misionit të tij. Ky ishte fundi, dhe ajo nuk e donte veten, edhe pse aq e njohur, si një ikonë me atë nur rrëzëllimë jashtë kohës, sikur i përkiste një universi tjetër. Po i merreshin këmbët, gati po binte; një dorë e mbajti dhe pastaj e shtyu; po lëkundej si nga një tërmet, pas rënies së statujës.
Filloi të qante për kotësinë e marrëzisë si dhe të dashurisë së saj në pritje. Ajo vuri dorën në zemër, për të kontrolluar dhe për t’u bindur se trupi dhe shpirti i tij ndodheshin brenda saj. Kujt t’i drejtohej, ku të ankohej, malet po largoheshin edhe më shumë, bustet e idhujve po shkuleshin në rrënjë, kufijtë ishin shqyer dhe detet po thaheshin. Po ai, pse s’vjen?
Bukuria e saj, si të ishte e virgjër, s’po e përballonte dot trillin e fatit njerëzor. Ora e donte të kthehej më pas. Kishte dhënë fjalën, por s’kishte marrë përgjigje. Askujt tjetër, veçse dashurisë së saj. Koha ishte rrokullisur, ndërsa ajo ende në zgrip.
Idhujt po gremiseshin
U largua me vrap, u pengua pikërisht aty ku i pati kujtuar Ersonit se kishin gjetur udhëkryqin e armikut të klasës, që në kërkim të pozicionit të varrit kishin nxjerrë dikur koordinatat dhe kishin ngulur piketat e zbulimit të tyre misterioz. Ai u rrëzua e ra si në greminë. E ndihmuan që të ngrihej. Kërkonte dikë që e ndiqte. Dikush po e ndihmonte të zvarritej. Ishte hija e mbetur e statujës, shtrirë gjerë e gjatë mes luleve të thara.

E vetme, Hera Muzaka iu avit fundit të piedestalit për të kërkuar se ku ishte fillimi i asaj harte me vdekje. Ngriti sytë nga qielli. Njerëzit ishin larguar dhe ajo kishte mbetur fillikat. Peizazhi shkretan befas pësoi një ndryshim. Njerëzve kureshtarë, që donin të shihnin se ç’kishte mbetur nga sheshi dhe lulishtja, u tërhoqi vëmendjen një statujë e re, shtati i një gruaje të bukur, në vend të statujës së Enver Hoxhës. Si të ishte një qenie hyjnore, gati mbizotëruese, me dëshirën për ta risjellë drejtpeshimin e sheshit pa statujë, ajo në të vërtetë kërkonte atë që e kishte humbur e për të cilën rronte. Njerëzit ngrinë në vend dhe fshinë sytë se ç’ishte vallë ajo që po ndodhte, si të kishte ardhur prej një magjie. Dritat e vdekjes zhvisheshin në sytë e Ferrit. Teatri “Bylis” i stilit kubist dukej i përmbysur. Hera Muzaka nuk ndodhej në botën dhe në qenien e saj. E kujt ishte vallë kjo bukuri e mbetur?
Shënime
Zbor – stërvitje ushtarake.
2 Kulti e personalitetit, i ngritur për vetveten me pasoja për ish-vendet komuniste.
3 Partia Demokratike, e para parti opozitare në vend.
4Borroçit – hakërrim dhe ndeshje me brirë e demave apo deshve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.