MILOSAO

XHELOZI QIELLORE

18:00 - 28.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Fazlli Haliti

. Poemë .

U zhduk
Pa pritur graviteti.
Mjerë Njutoni,
Mbeti pa ligjin themelor.
Humbi gjeninë
Gjeniu i gjorë…
***
Tokës i iku gjithçka, i fluturoi.
Edhe një pupël s’e tërheq dot po të dojë,
Ikën ujërat, pemët, bari, pyjet.
U shkulën shtëpitë,
Burgjet, kështjellat.
Gjithçka u bë muzeale.
Fluturuan si pula në kozmos rrokaqiejt…
Gjithçka tokësore mori kozmosin përpjetë.
Sendet dhe gjallesa u zhvendosën në kozmos përjetë.
***
Pellgje
Rrëkera,
Përrenj, lumenj,
Dete, liqene, oqeane pezull.
Pezull qiejve kozmikë;
Pezull njerëzit,
Kozmonautë në galaktikë…

S’ka më ujëra me kaltërsi idilike.
Ka vetëm kthjelltësira.
Kaltërsira kozmike.
Fëmijët me krahë fluturues,
Pleq pa rrudha, pa thinja.
Njerëz
Me dhëmbë dekorativë,
Kafshë me dhëmbë dhe brirë butaforikë…
Skifterë me kthetra, me sqepa atavikë…
***
Pezull vilat.
Lanë mbi tokë çatitë.
Nuk duhen më.
Në kozmos s’ka shi.
S’bie breshër,
S’ka stuhira, dëborë, akuj, rrufera gjëmuese…
Burgje, kështjella turistike,
Dekore pluskuese.
***
Në kozmos ikën gjithashtu
Akropoli, Koloseu, Kulla Eifel.
Piramidat e Egjiptit;
Koloseu,
Kulla Eifel,
Mrekullira mbi tokë,
Mrekullira në kozmos.
Të njohura për kohërat,
Për yjet,
Planetët, botërat, qiejt kozmikë.
Gjithçka vërtitet e përjetshme.
Zoti u bë me shokë.
S’është më unikal.
Në kozmos s’është më
I përjetshmi i vetëm i qiejve, gjithësisë,
Edhe njerëzit janë të përjetshëm, si ai,
Shokë të Zotit
Perëndisë,
Jehovait.
Edhe Krishti
S’është më bir i vetëm qiellor,
U bë me vëllezër, me motra plot.
Engjëjt u shumuan me fëmijë engjëllorë.
Po Djalli?
Djalli mbeti i vetëm në tokë,
Mbret i të vdekurve që i vdiq vetë,
Të vetmin që toka s’e la të fluturonte.
Të djallëzonte nëpër planetë.
Të shejtanëzonte.
Kozmosi plot pyje, bar, kullota,
Përjetësisht të blerta, përjetësisht të paprekura.

 


***
Peshqit,
Shpendët,
Zvarranikët
Fituan përjetësinë.
Fituan statusin e perëndive antike,
Ata janë perëndira.
S’e pozojnë aspak perëndinë.
Qengji, ujku,
Ecin bri njeri – tjetrit, qiejve, hapësirave kozmike;
Ujkut s’i shijon më mishi,
Ushqehet me përjetësi.
Është kozmik.
S’ka uri.
Qengji s’pi sisë,
Delja s’ha bar.
Çlodh sytë lëndinave qiellore.
Është perëndeshë e bardhë.
***
Bari jeshilon përjetësisht.
S’ushqehet me plehra.
S’i hahen plehrat organike.
Kozmikët nuk hanë,
Nuk pinë,
Nuk marrin frymë.
Fshatarët nuk korrin,
Nuk mbjellin.
Gruri,
Misri,
Përjetësisht me kallinj floriri.
Drithërat kozmikë nuk korren,
Nuk vilen,
Nuk shkoqen,
Nuk shihen.
Zogjtë, perëndira cicëronjëse
S’çukasin kokrra gruri, misri.
Ushqehen me thërrime përjetësie.
Skifterët
Përqafohen me laureshat.
Rrinë pezull krah njëri-tjetrit, në hije.
Dallëndyshja s’i ha mizat, karkalecat.
Ushqehet
Me cicërima;
Bretkosa
S’i ha fluturat koloristike.
Ushqehet me kuakje,
Gjarpri si ha bretkosat,
Ushqehet
Me pafundësi;
Bretkosa, gjarpri, flutura
Pluskojnë në kaltërsi.
***
Njeriu kozmik,
Barinjtë kozmikë
S’i mjelin lopët delet, dhitë kozmike.
S’pi qumësht njeriu kozmik
Është i përjetshëm,
Është zotnjeri si zotat qiellorë.
Zotat
Me prejardhje tokësore
As hanë, as pinë.
S’janë
Si perënditë e Olimpit.
Perënditë e Olimpit
Kanë ngrënë kurbane mitikë.
Gjinjtë e lopëve, deleve, dhive
Fryhen, pikojnë qumësht kozmik.
Pikat e qumështit
Bëhen
Yje.
Krijojnë rrugë të reja qumështi në hapësirën e madhe.
Rruga e qumështit s’është më e vetme.
Kashta e Kumtrit s’është më unikale.
***
Po bajgat?
S’ka bajga qiejve kozmikë.
Lopët, delet, dhitë janë perëndesha,
Nuk kullosin, nuk hanë.
Perënditë s’bëjnë jashtëqitje.
Kozmosi s’bie erë.
S’ka bajga,
Pëgëra,
Plehra,
Kakërdhi…
Zot,
Mos i zërë hundët kot.
Kozmosi ka vetëm yje dhe diej…
Yjet dhe diejt bien erë rrezesh, erë dritë.
Peshku i madh s’e ha të voglin.
Qiejt gjithçka e kanë të madhe.
I madhi s’e ha dot të madhin,
Bëhen kuaj të një karroje,
Qe të një qerreje.
Kacafyten, shkatërrohen.
Krijojnë harmonira qiellore.
Harmonitë qiellore, –
Harmonira absolute?!
Ja
Bretkosa dhe gjarpri
Notojnë kaltërsive krah për krah.
Gjarpri i mban iso kuakjes.
S’i shkon mendja të hajë.
Shijon
Kuakjen e saj;
Bretkosës s’i kujtohet të ketë ngrënë flutura.
I shijojnë ngjyrat e bukura.
Flutura. –
Perëndeshë larashe
Si, si!?
Flutura perëndeshë?!
Çoç të pandehnim Perëndi !
Flutura dhe perëndia
Pranë njëra-tjetrës.
Perëndia i fut krahun flutur-perëndeshës.
I bie kozmosit kryq e tërthor.
Yjet e shoqërojnë me dritë,
Me shkëlqim yjor…
***
Kozmosi s’ka të vdekshëm si toka.
Të vdekurit
I lind, i rrit dhe…
I ha toka.
Kozmosi s’ka pika horizonti,
S’ka kufi.
Edhe jeta është e pakufishme.
Është e përjetshme si ai…
***
Bagëtia-perëndeshë
S’e ha blerimin.
Njeriu –
Perëndi,
S’i ha frutat.
Kozmikët nuk hanë,
Vetëm shikojnë bukuritë me sy.
***
Pylli
Është perëndi shushuritëse.
S’e rrallon sharra, sëpata.
Kozmosi ka diej përndritës.
Kozmikët
S’përdorin zjarre.
Sëpata zbardh përjetësisht tehun,
Sharra zbardh dhëmbët me të madhe.
***
Krishti-
Biri i Zotit.
Po Zoti, vetë
Biri i kujt është?
Kë ka nënë?
Cilin ka baba?
Kush e solli në jetë?

E sollën apo erdhi vetë?
***
Po krishti
Pse ka dy baballarë
Dhe vetëm një nënë?
Zoti
Apo Jozefi
Është babai?
Përgjigju hyjnisht, zonja Mari!
Ndryshe të quajta putanë!
Ndryshe të quajta rospi…
Po Muhamedi?
Bir njeriu,
Ka nënë dhe baba?
Ndeshet përjetësisht me shejtanin,
S’mund ta lerë të qetë Djallin.
***
Po të vdekurit
Varret ç’i bënë?
Toka i mbajti të vdekurit, varret.
Të vdekurit, – kronikanë të vdekjes,
Varret
Bunkerë të jetës.
Djalli, – mbret i mbretërisë së vdekjes.
***
Po erërat tufanet,stuhitë,vetëtimat, rrufetë, bubullimat?
S’ka në kozmos vetëtima, erëra, stuhi, shtrëngatë.
S’ka rrufe, bubullima, tufane, re!
S’ka poshtë-lart…

Paqja
Kozmikja, Paqe
Absolutisht absolute.
Po relativiteti i Ajnshtajnit?
Relativitet ka vetëm toka?
Edhe Ajnshtajni është relativ?
Në Kozmos absolutja, – absolutisht absolute!
Absolute paqja dhe lëvizja!
Kozmosi pa relativitet
Absolutisht e saktë.
Absolutisht e vërtetë!
***
Po luftërat?
Kozmosi nuk njeh grindje,
Kontradikta,
Luftëra,beteja.
Kozmikët nuk kanë prona, sinorë, kufij;
Kozmiku, – pronar i gjithësisë!
Zoti uishte një i vetëm dikur.
Me kë të luftonte?
Kush do t’ia pushtonte kozmosin,
Kush do t’ia rrëmbente planetët,
Yjet diejt?
Kozmosi, –
Pronë e njerëzimit që u bë zot.
Kozmosi, pronë e patrashëgueshme!
Zoti dhe njerëzimi zot.
Të dy të përjetshmit
S’kanë trashëgimira.
Të përjetshmit trashëgim lenë përjetësinë.
S’është nevoja. trashëgimira trashëgojnë tokësorët,
Të vdekshmit,
Jo qiellorët.
***
Kozmosi s’ka
Stuhira, rrufe, vetëtima,erëra, bubullima,
Qiejt janë vetë qetësia.
S’pranojnë zhurma.
Rrufeja s’ka kë të vrasë:
Të përjetshmit nuk vriten.
Bimëve,
Si të përjetshme që janë,
S’kanë nevojë për shi.
Vetëtima
S’e djeg dot lisin,
Pyllin e përjetshëm.
Të përjetshmit nuk digjen kurrësesi.

Në kozmos s’ka Shira,
Përmbytje.
Blerimi bleron përjetësisht.
S’ka nevojë për shira, për vesë.
Blerimi përjetësi e blertë.
***
Bari as rritet, as thahet,
As korret,
As hahet.
Është perëndi e blertë.
S’e prek asnjë lopë,
As një dele s’e prek.
Kozmosi s’ka ajër.
Shpendët s’fluturojnë.
Qëndrojnë krahëhapur.
Pluskojnë.
***
Ku ka ajër, ka asfiksi.
Ku ka asfiksi ka prapë vdekje
Ku ka ujë
Ka etje.
Ku ka bukë, ka uri,
Ku ka uri, ka vdekje.
Ka ndotje, ka qelbje,
Ka kufoma.
Ku ka kufoma
S’ka përjetësi.
Mes ndoturinave s’jetohet.
Qiejt kozmikë janë të kulluar
Kanë vetëm yje, diej, kaltërsi.
***
Yjet,
Diejt,
S’marrin frymë.
Nuk hanë, nuk pijnë.
Jetojnë me dritë,
Ushqejnë hapësirat me rreze përjetësisht.

Drita s’kalbet, s’qelbet, s’bie erë, s’infekton.
Rrezet s’këputen.
Kozmosi
S’ka plagë,
S’ka grip,
S’e zënë ethet, malaria, sida, rrufa.
Qiejve s’ka prostituta, shtëpi publike.
Kozmosi,
Qiejt kozmikë
Pastrojnë papastërtitë.
***
Kozmosi
S’kollitet nga tuberkulozi,
S’ka kriminelë, kanibalë,
S’ka hajdutë me maska të zeza,
S’ka të korruptuar të klasit të parë.
Kozmosi
Ka engjëj qiellorë,
Ka ujqër dhe qengja-engjëj,
Peshk të madh dhe peshk të vogël-engjëll,
Ka zot dhe njerëz-perëndi.
Kozmosi
I populluar me zota, diej, yje, planetë.
Kozmosi me përjetësira të përjetshme.
Në territorin kozmik
Vdekja vdes.
Dashuria ngjitet në kozmos.
Dashuria kozmike,
Dashuri eterne,
Dashuri Platonike.
Dashuri pa puthje,
Pa takime, pa seks,
Pa lindje fëmijësh
Dashuri e përjetshme plot jetë …
***
Zoti
Ishte njëjës, domethënë, cilësi.
Me t’u bërë dhe njerëzimi Zot,
Zoti u bë shumës, sasi.
Nga një i vetëm, dikur,
Zoti u bë Zot shumës, një zhgan me perëndi!
Po Krishti?
Kozmosi u mbush me Jezus.
Çdo zot-njeri ka birin e vet.
Çdo baba
Ka birin e tij.
Qielli u ndot?
Toka u pastrua?
Pulat po ndotin me glasa yjet?
Delet po ndotin kaltërsitë me kakërdhi?
Gjallesat kozmike
Fitojnë përjetësinë.
Bëhen Zota
Dhe zotat s’e ndotin gjithësinë.
***
Zot xheloz!
Ç’është kjo xhelozi!
Si kështu Zoti, zot.
Ti po zbret në tokë?
S’e duron dot veten turmë, sasi?
Gëzohu, Zot që nga njëjës, u bëre shumës,
Që çdo yll ka zotin e tij!
Vetëm
Djalli
Mbeti vetëm.
Njëjës ishte dhe njëjës mbeti.
S’është vetëm opozitari yt,
Me të gjithë zotat e qiejve
Është në opozitë…
Zoti Xheloz.
Me Jezusin për dore po zbret në tokë?
Djalli i vetmuar
Po ngjitet kozmosit, përpjetë ?
Zoti u bë djall dhe djalli u bë zot vërtetë ?!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.