AKTUALITET

Minatorët në protestë, Gjergji: Qeveria na ka mashtruar për vite me radhë

11:30 - 01.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, punonjësit e nëntokës kanë zgjedhur të protestojnë për të drejtat e tyre dhe miratimin e statusit të minatorit. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare, ish-punonjësi i nëntokës, Mark Gjergji, tregon të gjitha arsyet e protestave të vazhdueshme, duke theksuar se nuk do të heqin dorë deri në realizimin e kërkesave të tyre. Ai shton se për vite me radhë qeveria vetëm i ka premtuar dhe e ka mashtruar këtë kategori, duke i lënë në mëshirë të fatit. Marku thekson se kërkojnë që të gjithë minatorët që kanë punuar 10.5 vite në nëntokë të marrin pagesën minimale prej 260 mijë lekësh të vjetra si dhe 140 për qind, pra në total 364 mijë lekë të vjetra. Gjithashtu, kush ka mbi 10.5 vite në minierë, për çdo vit më shumë ai do të marrë 2 për qind shtesë mbi këtë pagë. Një tjetër kërkesë e tyre ndaj qeverisë shqiptare është edhe trajtimi nga shteti i minatorëve që vuajnë nga sëmundjet profesionale. Kjo presupozon që shpenzimet e trajtimit duhet të përballohen nga shteti dhe firmat ku minatorët punojnë, ndërsa ilaçet të rimbursohen po nga shteti.




Sot në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, minatorët kanë vendosur të protestojnë. Pse do të protestoni?
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, ne bashkëvuajtësit e frontit më të vështirë, të nëntokës kemi vendosur të organizojmë një protestë. Por kjo protestë nuk do të jetë si ato që kemi bërë deri tani. Minatorët në vitet e transicionit kanë bërë plot 200 protesta, por e sotmja do të jetë e fuqishme, pasi ne jemi më të vendosur se kurrë për të ngritur zërin e për të luftuar për të drejtat e mohuara.

Deri më tani, a nuk keni mundur të arrini një marrëveshje me ministrinë përgjegjëse dhe qeverinë?
Ne jemi nismëtarët që kemi kërkuar të fitojmë ato pak të drejta që i meritojmë. Parimisht është rënë dakord me ministritë sipas grupit të punës të ngritur që në 15 mars të 2018. Ky grup kishte përfaqësues nga Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës si dhe përfaqësues të minatorëve, përkatësisht Nikollë Gjoka, Ali Çaushi dhe Ded Marku. Sipas përfaqësuesve të nëntokës, gjatë bisedimeve u ra dakord për miratimin e statusit, por mesa duket qeveria nuk ka vullnetin e duhur që të thërrasë ministritë si atë të Infrastrukturës, edhe atë të Financave dhe përfaqësues të minatorëve nga sindikatat. Dua të theksoj se këto të fundit vetëm emrin kanë të tillë, pasi nuk e kanë bërë punën e tyre siç duhet.

A mund të na tregoni më specifikisht se cilat janë kërkesat e minatorëve?
Kërkojmë që qeveria të bashkëpunojë me minatorët dhe të na plotësojë kërkesat tona. Ndër pikat më kryesore që kërkojmë domosdoshmërish të realizohen janë: të gjithë minatorët që kanë punuar 10.5 vite në nëntokë të marrin pagesën minimale prej 260 mijë lekësh të vjetra si dhe 140 për qind, pra në total 364 mijë lekë të vjetra. Gjithashtu, kush ka mbi 10.5 vite në minierë, për çdo vit më shumë ai do të marrë 2 për qind shtesë mbi këtë pagë.

Cila është kërkesa juaj lidhur me minatorët e prekur nga sëmundjet profesionale?
Dua të theksoj se një pikë tjetër në listën e kërkesave tona është trajtimi i minatorëve që vuajnë nga sëmundje profesionale. Shpenzimet e trajtimit duhet të përballohen nga shteti dhe firmat ku minatorët punojnë, ndërsa ilaçet do të rimbursohen po nga shteti.

Cila është thirrja juaj ndaj punonjësve të nëntokës?
U bëj thirrje të gjithë minatorëve që të na bashkohen nesër (sot) në protestë dhe të jenë të vendosur si asnjëherë tjetër. Sa më të shumtë të jemi në numër, aq më mirë, pasi do t’i japim fund këtij aksioni të stërzgjatur dhe do arrijmë patjetër në fitore. Duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të mos përçahemi nga pseudosindikatat. Nëse sindikatat do të funksiononin siç duhet dhe do të mbronin minatorët, ne nuk do të ishim këtu sot.

Në qoftë se kërkesat tuaja nuk do të plotësohen, a do të ketë përshkallëzim të protestës?
Nëse kërkesat tona nuk do të plotësohen e nëse nuk arrijmë një fitore të plotë, do të protestojmë të palëkundur, edhe pse shumica nga ne janë të sëmurë. Deri më tani shteti është tallur me ne, na ka premtuar përmirësimin e situatës, por çdo gjë ka rezultuar një mashtrim i madh.

Si paraqitet gjendja e punonjësve të nëntokës sot?
Jo pak minatorë lëngojnë në krevat me ilaçe, që s’kanë as mundësi ekonomike për t’i blerë. Ndërkohë që pensionet që merr kjo kategori janë të pamjaftueshme për të përballuar jetesën. Mesa kemi informacion, shumë prej shokëve që kemi punuar bashkë janë larguar në kurbet e kanë marrë rrugët e emigrimit për një jetë më të mirë, e me pagesa më të larta se këto pensione qesharake që na jep shteti shqiptar. Por jo pak minatorë kanë vdekur pa e gëzuar atë pension të ulët, për shkak të sëmundjeve të ndryshme që i ka falur kjo punë në nëntokë. Tani kemi ngelur ne, ish-minatorët që kërkojmë me ngulm miratimin e statusit dhe s’do të ketë kthim mbrapa këtë herë. Jemi të varfër, të braktisur dhe të zhgënjyer nga ky shtet.

Ju personalisht, si jeni trajtuar nga shteti pas daljes si i papunë për shkak të mbylljes së minierës? A jeni i kënaqur me pensionin që merrni?
Ne nuk kemi shtet këtu në Shqipëri, asnjë gjë s’po bëhet për ne, pavarësisht se i kemi dhënë kaq shumë e madje shumë prej nesh edhe jetën. Që prej vitit 1997 dola në kurbet në këmbë nga malet, e kam nxjerrë bukën e familjes me 4 vite punë aty. Nëse do e lija veten në dorë të politikave të shtetit, do isha kalbur në barakë. Tashmë jetoj në Thumanë, në Dukagjin të Krujës së bashku me gruan e tre djemtë. Shteti shqiptar po më jep një pension qesharak prej 150 mijë lekësh të vjetra në muaj. Arrij të marr një thes mielli, një bombol gazi e kaq për gjithë muajin. Jashtë Shqipërisë minatorët respektohen e paguhen, kurse ne s’kemi bukë të hamë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.