KULTURË

Oborri i Idromenos ribëhet kinema për filmat e “Ekranit të Artit”

19:00 - 03.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Më shumë se 100 vjet nga koha kur shtëpia e Idromenos u bë kinemaja e parë shqiptare, oborri i saj, rindien gjurmët e dashamirësve të filmit. Vetëm se qyteti nuk gumëzhin më nga lufta. Mikpritësit një shekull më pas janë të tjerë.




Një vend ‘misterioz’ ku ruhen farërat e gjithë globit për të parandaluar humbjen aksidentale të bimëve; një hetim i fotografive të njerëzve që vdiqën në rrënojat e Lampedusës më 2013 dhe 2015 apo raporti ynë me frikërat dhe herët kur arrijmë të qeverisim më mirë frikën tonë.

Tematikat e videove dhe filmave që shfaqen sivjet në Ekranit e Artit në Art House në Shkodër, janë të ndryshme. Artistët vijnë nga vende të ndryshme dhe bartin e përcjellin përvoja të ndryshme jetësore e artistike duke e bërë Ekranin e Artit një mundësi ideale për shkëmbime kulturore.

Art House sjell për të tretin vit radhazi festivalin “Ekrani i Artit” ku ndërthuren filmi dokumentar mbi artin me atë eksperimental dhe videoartin. Ajo që pat nisur si një përzgjedhje filmash nga festivali fiorentin “Lo schermo dell’arte”, këtë vit bën bashkë një përzgjedhje filmash nga International Short Film Festival Oberhausen, Lo schermo dell’arte, koleksioni i videos dhe filmit të Van Abbemuseum, një përzgjedhje nga videoarti shqiptar i viteve të fundit, një grup filmash të shkurtër nga regjisorja gjermane Sylvia Schedelbauer si dhe një film me metrazh të gjatë nga artisti shqiptar Pleurad Xhafa. Ajo çka e shenjon mes të tjerash festivalin është rigjetja në qytet e gjurmëve historike, për t’i ngjallur prej harrese, për t’ia bërë të njohur një publiku tjetër e mandej herë-herë për t’i sjellë sërish në funksionin e tyre të parë. Kësidore, Ekrani i Artit i shpërndan projeksionet në oborret e shtëpive shkodrane duke gërshetuar hapësirat private me ato publike e njëherit atmosferën tradicionale me atë bashkëkohore. Teatri Migjeni mirëpret ceremoninë e hapjes shoqëruar me përzgjedhjen e parë filmike e në vijim projeksionet do të vazhdojnë në hapësirat e Art House, oborri i shtëpisë së Pashko Vasës, i shtëpisë së Llazanve dhe asaj të Kolë Idromenos, ku është hapur e para kinema shqiptare në fillim të shekullit XX. Programi filmik do të shoqërohet me momente muzikore në ambientet e Qendrës Rinore Arka me të ftuar të veçantë Kolë Lacën me projektin e tij Shkodra Elektronike.

wild house mom i am sorry Poster festivali shtepia e pashko vasos Shtepia e idromenos shtepia e llazanve
<
>

PUNËTORI I PALODHUR
“Punëtori i palodhur” i Pleurad Xhafës (2013) tregon historinë e Haxhi Xhihanit (Xhiku) që ka lindur në vitin 1953. Që nga 1973, ka punuar në fabrikën e bunkerëve “Josif Pashko” në Tiranë. I vlerësuar si punëtor model në punën kolektive, është dekoruar me Medaljen e Nderit “Punëtor i Palodhur” nga brigadieri Jani Ciko. Pas regjimit komunist, një pjesë e fabrikës u shkatërrua dhe ajo që mbeti u privatizua dhe u shndërrua në fabrikë për prodhimin e pllakave për trotuare. Pronari i fabrikës është ish-brigadieri. Sot, Xhiku paguhet 3 euro në ditë.
Pleurad XHAFA (Lushnjë, Shqipëri,1984) është një artist pamor dhe kineast që jeton dhe punon në Tiranë. Ai ka studiuar në akademinë e Arteve të Bukura në Bolonjë, Itali, dhe është diplomuar me një Master në Artet Pamore në vitin 2012. Në 2014 ai ishte fituesi i çmimit “Ardhja” për artistët e rinj pamor shqiptar, organizuar nga T.I.C.A – Tirana Institute for Contemporary Art. Puna kërkimore dhe kritike e tij vjen si rezultat i një praktike post-konceptuale, e cila vepron mbi një bazë dokumentuese për t’u raportuar më pas vizualisht dhe politikisht me kulturën e kohës sonë. Punët e tij janë prezantuar, gjithashtu, ndërkombëtarisht në ekspozita si: Les Rencontres Internationales, Paris/Berlin (2015-2016); “Teatri i Gjelbërimit”, Galeria FAB, Tiranë (2016); Shame On You, Celje (2015); Çmimi Ardhja, Galeria Zeta, Tiranë (2014); Lavoro/Ëork/Vore, Udine (2013); Bienalja e 6-të e Arteve Bashkëkohore, Berlin (2010); Bienalja e 4-rt e Tiranës (2009); Çmimi Onufri XIV, GKA, Tiranë (2008); dhe Every Revolution is a Throë of Dice, Gjenova (2006).

MAGICAL WORLD
Vepra e Johanna Billing (2005) është video. “Magical world” vjen si rezultat i një bashkëpunimi me një group fëmijësh në një klub muzikor passhkollor në një ish-qendër kulture të viteve ’80 në Dubrava, periferi e Zagrebit. Fokusi është në përsëritjen e një kënge “Magical world”, të përzgjedhur nga Billing dhe të shkruar nga këngëtari amerikan me ngjyrë Sidney Barnes (1968). Kënga rrëfen një periudhë tranzicionale personale dhe mund të lidhet me zhvillimin me hapa të shpejtë të një vendi të ri i cili përballet me kërkesat për aderim të Bashkimit Europian. Kjo artikulohet edhe në vështirësitë e fëmijëve për të përshtatur me përdorimin e gjuhës angleze e për të kuptuar fjalët e këngës. Provat ndërthuren me momente nga jeta e përditshme, jashtë klasës, që krijon një performancë intime të fëmijëve.
Johanna BILLING (Jönköping, Suedi,1973) punon me videon që nga viti 1999 duke e ndërthur atë me muzikë, lëvizje dhe ritëm. Adreson çështje klimatike dhe të kulturës duke i transformuar ato përmes dokumentarëve. Shpesh përdor muzikën në të cilën duart bëhen pjesë e rëndësishme e komunikimit, kujtesës dhe rindërtimit.

MAM’ MË FAL
“Mum, I’m Sorry” është një vepër e Martina Melillit realizuar më (2017). Videoja e Martina Melilli paraqitet si një hetim analitik dhe në të njëjtën kohë emocional i fragmenteve, objekteve personale, fotografive të njerëzve që vdiqën në rrënojat e Lampedusës më 13 tetor 2013 dhe 15 maj 2015. Video-ja zhvendoset ngadalë nga një detaj në tjetrin, nga njëri objekt në tjetrin, sikur të ishte një nga reliket që do të merreshin në pyetje, duke kërkuar përgjigje përmes palosjeve të sipërfaqes. Sipërfaqja zakonisht përcaktohet si pamja e jashtme, pak a shumë e sheshtë dhe me dy dimensione, e një objekti ose trupi çfarëdo. E njëjta gjë thuhet edhe për detin, sipërfaqen e tij, pjesën që ne mund ta shohim edhe nga larg duke u rudhosur në erë, të ndriçojë në diell, duke zbuluar detaje të vogla gjatë natës. Aroma e detit është e pangatërrueshme, kripë e bartur nga mikro-pika të ujit; kripë. Kripa gërryen me kalimin e kohës, çdo objekt, telefonat celularë, dokumentet e identitetit, dëftesat, fotografitë; kështu që sipërfaqet ndryshojnë, konturet ndërthuren, ngjyrat përzihen mes tyre duke gjeneruar kthesa të papritura, boshllëqe që duhet të ishin plot, roza dhe vjollca duhet të ishin kuq dhe blu. Objektet zbulohen ngadalë, të gërryera në sipërfaqet e tyre, të zbrazura nga thellësia e tyre, të privuara nga jetët që shoqëronin dhe të ngarkuara me tregime që mundemi vetëm t’i imagjinojmë dhe nga të cilat mbesin dëshmitarë stoikë. Objektet e zgjedhura për të përfaqësuar veten dhe për t’u paraqitur pas mbërritjes në Botën e Re (Vjetër). Dhe cilat objekte do të zgjedhim ne për të na prezantuar përtej detit? Gjithmonë natyrisht, në qoftë se do të jemi mes atyre që arritën të qëndrojnë në sipërfaqe.
Martina MELILI (Itali, 1987) është e interesuar në përfaqësimin e individit dhe kujtesës kolektive në lidhje me kujtesën dhe realitetin dhe në marrëdhënien mes individit dhe hapësirës. Kërkimi i saj është vizual dhe konceptual dhe punon me video, film, fotografi, shkrim duke përdorur dokumentarin si një mjet kreativ për të organizuar workshop-e dhe për të kuruar ekspozita për filmin.

FRIKA SI EMOCION
Videoja “Chiropteres Bats” e Romeo Grunfelder trajton Frikën.” Emocioni njerëzor më i vjetër dhe më i fuqishëm është frika, dhe frika më e lashtë dhe më e fuqishme është frika ndaj së panjohurës” ka thënë Hoëard Phillips Lovecraft. Vepra vë në dukje se zakonisht arrijmë të qeverisim më mirë frikat tona nëse mund të përcaktojmë dhe t’i japim formë asaj që na frikëson, por frika rritet nëse ajo me të cilën përballemi është “e paformë”, në kuptimin që nuk ka një formë të saktë, pra është e pa identifikuar. Një perde që lëviz para nesh, në një hapësirë sterile, pa referenca të tjera, kthehet në një terror të pastër nëse ajo që e lëviz na duket se është një qenie e gjallë që mund të përpiqemi ta identifikojmë vetëm nga tingujt e krahëve, një zhurme e thatë, si ajo e një membrane, pa pupla, ndoshta një lakuriq nate, siç na sugjeron edhe titulli i videos, një kafshë mitologjia e së cilës lidhet me natën, me të panjohurën, me diçka të pështirë që i afrohet limitit ku na shtyn terrori. Artisti Romeo GRÜNFELDER (Hamburg, Gjermani,1968) ka studiuar muzikë, filozofi për mediat dhe komunikim vizual në Hamburg, ku jeton dhe punon. Filmat e tij janë mes dokumentarit dhe arteve vizuale. Fokusi i punës së tij janë tematikat e lidhura me paranormalen.

“WILD RELATIVES”
Vepra e Jumana Manna është e vitit dhe zgjat 70 minuta.
“O David! Ne të kemi vendosur si të Dërguar në tokë, prandaj gjyko mes njerëzve sipas të vërtetës dhe mos ndiq pasionin që do të largonte nga Rruga e Zotit dhe ata që devijojnë nga Rruga e Zotit do të kenë një dënim të dhunshëm për faktin që kanë harruar ditën e Llogarisë.

“Dita e Llogarisë” Kur’ani, XXXVIII: 26″
Në tekstin e Morgan Hoaus, shënohet se në fillimet e kohës, njeriu kultivues kërkoi harmoni me territorin, ai ngriti sytë lart duke pritur diellin, thithte ajrin për të ndjerë nëse era do sillte shi, e tija ishte një bujqësi e bërë nga njohuri të trashëguara gojarisht dhe në një marrëdhënie të ngushtë me natyrën. Megjithatë, thotë Hoaus, shekullin e kaluar, industrializimi hyri fuqishëm edhe në bujqësi, duke transformuar atë njeri nga një dëgjues të vazhdueshëm të natyrës, në një profesionist që punon me makineri pothuajse të një laboratori shkencor, duke i dhënë jetë një epoke të re bujqësore pa fermerë. Kërkesat e tregut, jo më lokale por globale, kanë ndryshuar kultivimet, luftëra, fatkeqësi natyrore kanë zhdukur të korra, kështu që sot në 1,200 km nga Poli i Veriut, pikërisht në arkipelagun e largët Arktik të ishujve Svalbard, në Norvegji, qeveria norvegjeze ka krijuar “Depozitën Globale të Farave të Svalbald”, një qendër e përbërë nga tre salla me gjatësi prej 27 metrash, 10 gjerësi dhe 6 lartësi, krejtësisht në beton, ku ruhet trashëgimia gjenetike e farave të të gjithë globit të tokës për të parandaluar çdo humbje të mundshme botanike “aksidentale”, edhe pse përfaqësuesit e qendrës shpresojnë që kurrë të mos jenë të detyruar ta përdorin këtë trashëgimi gjenetike pas një katastrofe globale. Filmi tregon një vit pune dhe shkëmbim farash mes Libanit, Sirisë dhe Norvegjisë, punën dhe angazhimin e shumë njerëzve për të studiuar dhe kataloguar gjenet e drithërave dhe farave të ndryshme duke përfshirë ato të një prej banorëve më të lashtë të planetit Tokë, grurin, gjenomi i të cilit zë terabyte të tërë informacioni, pasi është më i gjatë se ai i njeriut.
Jumana MANNA (1987) është një artiste amerikane me origjinë palestineze që jeton në Berlin. Punon kryesisht me filmin dhe skulpturën. Në punët e saj adreson tematika të lidhura me trupin, nacionalizmin, historinë dhe ndërtimin e komunitetit. Punët e saj janë shfaqur në Points of Departure në Institutin e Artit Bashkëkohor, Londër (2013), Future Imperfect në Tate Modern, London (2013), Berlinische Galerie’s 12×12 video lounge (2013) dhe në shumë festivale ndërkombëtare të filmit. Në vitin 2012, ka fituar çmimin e parë të Qattan Foundation për artistët e rinj palestinezë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.