OPINION

Shkon haka te i zoti?

07:00 - 03.05.19 Igli Tola
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në çdo bisedë mes miqsh, kolegësh apo qoftë edhe mes të panjohurish që i bën bashkë marrja e kafes, apo ndonjë gote në banakun e klubit diskutimi dashje-padashje dominohet nga aktualiteti i politikës. E në një vend të vogël si ky i yni ku pas një bisede disa minutëshe me dikë dalim kushërinj apo të njohur, aktualiteti analizohet në rrafshin personal. E kështu ligjërata merr trajta konfidenciale, kur bashkë-biseduesi ia pret: “Mos më fol mua për X, e kam pasur shok banke në shkollë, mezi e mësoi tabelën e shumëzimit në vit të fundit gjimnaz”.




Mbas kësaj `qyfyreje`, të gjithë i kap gazi dhe fillon konkurrenca kush e butaforizon dhe hiperbolizon më këndshëm historinë jetësore të VIP-it që e ka të ‘vetin’. Por, këto situata përveçse të na shkaktojnë ilaritet nuk ka pse të na bëjnë përshtypje. Në shoqëritë tona, sigurisht jo vetëm atë shqiptare por edhe globale, ndodh në masë që njerëz që nuk kanë njohuritë minimale, bëhen ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare, të punëve politike, të llogaritjeve astrofizike apo edhe të teorive të konspiracionit.

E këto nuk janë raste sporadike, por fenomene socio-psikologjike që janë provuar dhe analizuar shkencërisht. Shpjegimin e parë ezaurues ia dha dyshja e shkencëtarëve Dunning dhe Kruger, në studimin që përmblidhet në “efektin Dunning-Kruger”. Fenomeni i përshkruar në vitin 1999 ka të bëjë me një çrregullim të njohjes, për shkak se njerëz që dinë shumë pak, tentojnë të mbivlerësojnë aftësitë e tyre dhe të sillen me arrogancë. Thënë ndryshe, sa më pak di, aq më shumë pretendon se di.

Pikërisht ajo që ka ndodhur dhe po ndodh në jetën politike shqiptare, veçanërisht në organin më lartë legjislativ, parlamentin e Shqipërisë mund të jetë pjesërisht pasojë e efektit të sipër analizuar. Persona me CV super modeste, pa eksperienca pune, që zor se kanë lëçitur ndonjë libër në jetën e tyre, pa diploma ose me diploma fiktive (të blera) `sajohen` në lista për tu zgjedhur ndër 140 përfaqësuesit e popullit.

Nga njëra anë kemi profesorë, teknicienë apo intelektual të cilëve edhe ndër të paktat raste kur u propozohet të jenë pjesë e politikës, dyshojnë dhe mendojnë se do të ishin më të vlefshëm në sektorin apo lëmin e tyre, duke mos e parë veten në `lartësinë` e duhur të postit të ri. Kundërpartia tjetër janë ata që preferojnë të vendosen edhe të “140+1”-tët në listë, vetëm që të krekosen “jam kandidat për deputet”. Më pas, fillojnë e mendojnë se janë `Mesia`. Fillojnë dhe e bindin veten se kanë monopolin e vendimmarrjes, misionin hyjnor të shpëtimit të fateve të kombit, e vetos në ndarjen mes gjërave të drejta dhe atyre të gabuara. Me mediokritet i bëjnë karshillëk çdo ekspertize që vjen nga jashtë, pasi ata kanë “votat e qytetarëve” dhe i bëjnë `sehir` çdo akuze konstruktive me imunitetin që gëzojnë. Jo më kot, janë me `pikatore` akademikët dhe profesionistët në këto legjislaturat e fundit që kanë ndenjur më shumë se një mandat në sallën plenare. E të mendosh që parlamenti është pjesa më evidente në`maleware`-in e sistemit të promovimit që ndjek shoqëria.

Kësaj situate i shkon përshtat shprehja e popullit: “Sa kohë mendohet i zgjuari, budallai ka mbaruar punë”, aforizëm të cilin një prej themeluesve të filozofisë analitike të shekullit të XX-të, Bertrand Russell e formulonte: “Problemi i njerëzimit është se budallenjtë janë shumë të sigurt në vetvete, ndërsa të mençurit plot me dyshime”.

Për të dalë nga kjo situatë nuk mund të ketë receta me garanci 100% për kurimin e fenomenit. Nuk ka zgjidhje imediate, por duhet të fillojmë të angazhohemi për gjërat që vërtetë vlejnë për ne. Deri më sot vetëm ankohemi për gjërat që nuk na pëlqejnë ose nuk shkojnë sipas pritshmërive tona, duke e parë fajin te të tjerët; pa marrë përgjegjësi mbi vete. Po qe se duam të trajtohemi me dinjitet për atë që vërtetë përfaqësojmë në shoqëri, duhet të fillojmë të veprojmë aktivisht si qytetarë.

Realitetin mund mos ta ndryshojmë, por së paku ta përmirësojmë sado pak duke dalë jashtë ‘comfort-zone’-s sonë, duke u angazhuar dhe ushtruar përgjegjësitë tona sociale. Pa ekuivok secili prej nesh të nisi të ‘përballet’ frontalisht me injorancën dhe injorantët, pa u stepur nga klishetë dhe steriotipet e së kaluar që na këshillonin ta toleronim atëː “Hapi rrugë budallait”. Çdo dallkauku apo satrapi, jo vetëm të politikës, por i çdo fushe qoftë ai, që vjen dhe mundohet të na imponojë respekt dhe simpati përmes propagandës, apo dogmave që as vetë nuk i kupton duhet të mos hezitojmë për t’ia thënë troç se nuk e ‘honepsim’ dot nivelin e tij. Troç, sepse heshtjen e marrin për aprovim dhe vijojnë ti hyjnë ‘detit në këmbë’.

Po vetëm kaq mund të mos mjaftojë që këto ‘sqimatarë’ të tërhiqen nga ‘ëndrra’ e tyre. Paralelisht duhet të paraqiten alternativa të denja, të pastra dhe të pakontestueshme. Përpara figurave me integritet dhe me ‘themele’ solide intelektuale që prodhojnë platforma dhe teza të argumentuara e logjike kategoria e sipër shqyrtuar do të fillojë të ndiejë ‘tik-takun’ e ‘countdown’-it…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.