KULTURË

Fituesi shkon 2 muaj në New York, “Zeta” shpall çmimin “ARDHJE 2019”

15:05 - 03.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Qendra ‘ZETA’ shpall të hapur aplikimet për çmimin ‘ARDHJE 2019’ për artistët e rinj, nën moshën 35 vjeç. Këtë vit, ‘ZETA’ organizon edicionin e XI të ‘ARDHJES’ në bashkëpunim me Residency Unlimited (RU), institucioni i cili pret artistin fitues për një rezidencë dy-mujore në New York, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe fondacionit, The Trust for Mutual Understanding, NY.




Çmimi ARDHJE organizohet nga Qendra ZETA, si një konkurs dhe çmim i përvitshëm, që ka për qëllim të nxisë krijimtarinë, ekspozimin publik, dhe promovimin e artit bashkëkohor në Shqipëri dhe ndërkombëtarisht.

ARDHJE është pjesë e rrjetit Young Visual Artist Award që nga viti 2007. Ashtu si dhe çmimet simotra nëpër Europën Lindore dhe Juglindore, ARDHJE është një konkurs i hapur, që fton artistët të marrin pjesë në një proces transparent, që ofron jo vetëm mundësi për krijimin dhe prezantimin e veprave të reja në një ekspozitë të përbashkët, por edhe mbështetje në zhvillimin e tyre artistik dhe profesional.

Një juri e përbërë nga profesionistë të fushës, vendas dhe ndërkombëtar, do të përzgjedhë 4 finalistë, të cilëve do t’ju mundësohet një buxhet prodhimi prej 50,000 lek, si dhe një kurator për ekspozitën. Fituesi/ja e çmimit do të zgjidhet për meritën dhe premtimin artistik të demonstruar në bazë të portofolit artistik dhe CV-së, veprës së ekspozuar në ekspozitën e finalistëve, intervistës me jurinë ndërkombëtare dhe potencialit për të përfituar nga përjetimi i skenës artistike të New York-ut, përgjatë dy muaj qëndrimi tek Residency Unlimited. Afati përfundimtar për të dërguar aplikimet është 30 maj, 2019. Lista e shkurtër e 4 artistëve të përzgjedhur si finalistë do të publikohet pas dt. 15 qershor 2019. Hapja e ekspozitës së 4 artistëve finalistë dhe shpallja e fituesit do të mbahet në Nëntor 2019.

Kriteret e aplikimit janë disa. Çmimi dhe rezidenca në NY është projektuar për një artist individual, nën moshën 35 vjeç. Thirrja është e hapur për artistë aktivë në skenën e artit bashkëkohor në Shqipëri, si dhe ndërkombëtarisht, prej së paku 3 vjet.

Artistë shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, duhet të jenë pjesë e komunitetit artistik në vend, duke ekspozuar rregullisht gjatë 3 viteve të fundit. Artistë që nuk janë shtetas/e të Shqipërisë mund të marrin pjesë vetëm nëse kanë një kontribut të posaçëm në zhvillimin e skenës së artit në vend, si dhe karriera e tyre artistike të jetëngushtësisht e lidhur me Shqipërinë.

Mund të aplikojnë artistë, të cilët punojnë në të gjitha gjinitë e artit pamor, që përfshin pikturë, skulpturë, grafikë, vizatim, instalacion, fotografi, video, mediat e reja dhe performancë.

Përjashtohen artistë që punojnë kryesisht në artet e aplikuara, dizajn, teatër, vallëzim, dhe film artistik. Aplikanti/ja duhet të ketë mbaruar studimet universitare dhe të mos jetë student gjatë fazës së aplikimit dhe rezidencës. Artistët duhet të aplikojnë drejtpërdrejtë si individë.

Nuk pranohen aplikime prej grupeve artistike, pasi rezidenca në NY mund të mikpresë vetëm një artist individual për vend.

Aplikanti/ja duhet të jetë në dispozicion të udhëtojë dhe marrë pjesë në rezidencën 2 mujore në NY përgjatë muajve maj-qershor, 2020. Artistët që nuk mund të angazhohen në këtë kohë, luten të aplikojnë herë tjetër. Aplikanti/ja duhet të zotëroj anglishten e folur dhe të shkruar me qëllim që të marrë pjesë në programin e rezidencës, të komunikojë dhe të shkëmbejë me profesionistë të fushës, në New York.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.