OPINION

Vetëm kredia na shpëton nga rritja anemike

07:40 - 04.05.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të ardhurat buxhetore për tremujorin janar-mars 2019 nuk u realizuan me 1.5 miliardë lekë, ose 12 milionë euro. Në një ekonomi të vogël si e jona dhe me një buxhet shteti akoma edhe më të vogël, të mos të të realizohen rreth 50 milionë euro të ardhura në vit nuk është pak. Kanë pësuar rënie (më pak nga parashikimi) të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Ky tatim mat pulsin e blerjeve, shpenzimeve të qytetarëve dhe bizneseve, pra konsumin. Rënia e të ardhurave prej tij tregon uljen e konsumit. Tre muajt e parë të këtij viti kanë qenë muaj shumë të turbullt dhe të pasigurt nga protestat e opozitës. Sidomos shkurti dhe marsi. Veprimi i saj i pashoq për të dalë përfundimisht nga parlamenti ka prekur edhe ekonominë. Janë ulur blerjet dhe në tërësi konsumi. Edhe bankat tregtare kanë rrezikuar më pak me politikën e tyre të huadhënies, kredive. Është tërësisht faji i politikës, pse sipas të gjitha parashikimeve dhe vlerësimeve të bankës sonë qendrore, ky vit dukej i mirë për të rritur ndjeshëm kredinë për qytetarët dhe bizneset. Kredi e cila ishte shtuar 6.7 për qind në lekë për sektorin privat vitin e kaluar. Dhe në një kohë kur dy investimet e mëdha të huaja, gazsjellësi TAP dhe dy hidrocentralet mbi lumin Devoll këtë vit përfundojnë, nuk ka asgjë që të balancojë mungesën e kapitalit të huaj. Partneritetet Publik-Privat dolën një blof i madh, pse kontratat i përfituan kompanitë vendëse dhe asnjë dollar apo euro nuk erdhi nga jashtë me nënshkrimin e tyre. Të gjitha këto parathonë një rritje ekonomike anemike (ajo është e tillë edhe kur qëndron në 3.5 për qind) për këtë vit. Nëse nuk hedhim bast dhe të fitojmë me kreditimin (tani që edhe nuk kemi më çfarë bastesh të hedhim!). Ngaqë kredia i ka burimet praktikisht të pakufizuara.




Është një Eldorado për vendin tonë, që i kemi sytë qorr e nuk e shohim. Po përse është e tillë? Një pasuri e pamatë? Sepse jemi ndër kombet më kursimtarë në botë. Sepse depozitat në euro për vitin e kaluar u rritën me 260 milionë euro më shumë, edhe pse euro ra gjatë 2018-ës në këmbimin me lekun. Sepse të 14 bankat tregtare në Shqipëri mbajnë 7.9 miliardë euro kursime të shqiptarëve në euro, lekë dhe dollarë. Dhe kredia që jepet për ekonominë është vetëm 1.1 miliardë euro në vit. Janë 6.8 miliardë euro gjendje për t’u dhënë hua. Nuk ka asnjë kufizim për ta rritur kredinë tek ne. Edhe 110 milionë euro në vit (pra 10 për qind më shumë), edhe madje shumë më tepër. Është sikur të kesh zona naftëmbajtëse me qindra miliona fuçi naftë dhe të mos dish t’i shfrytëzosh. Ja përse duhet ta përqendrojmë të gjithë vëmendjen, si politika qeveritare dhe interesi qytetar e publik, te kredia. Te mënyrat për ta rritur atë. Banka e Shqipërisë ka provuar fort këto vitet e fundit për ta rritur kredinë. Me mjetet e saj. Sidomos kredinë në lekë. Ka ulur koston e parasë në 1 për qind, nga 6 për qind që ka qenë.

Ka rritur kapitalin garantues të bankës për kreditë në valutë, që t’i bëjë ato të orientohen nga kredia në lekë. Por nuk mjafton që vetëm banka qendrore të bëjë detyrën e saj. Tek ne gjysma e transaksioneve ndodhin në euro. Praktikisht politika monetare e jona i ngjan gjysmagjelit. Qeveria duhet të kufizojë përdorimin e euros te ne si monedhë këmbimi vetëm në pikat e këmbimit. Sikurse e kanë shumë vende të Bashkimit Evropian që nuk janë në Eurozonë. Prej këtej përcillet më mirë politika e bankës qendrore për uljen e kostos së lekut (e rrit ndikimin dyfish), duke sjellë edhe ulje të fortë në përqindjen e interesit të kredive për lekë.

Kjo ulje mund të na japë një shtytje të fortë të kredisë në lekë. Përse jo rritje edhe dyshifrore këtë vit. Nëse qeveria e merr një vendim të tillë kufizimi. Sigurisht, gjithçka do të luhet në kushtet e pasigurisë së lartë prej protestave në rritje të opozitës dhe incidenteve që u frikësohemi në prag dhe gjatë zhvillimit të zgjedhjeve vendore në 30 qershor. Por, ia vlen ta provojmë. Duke rritur kredinë, i bëjmë hyzmet vetes sonë. Zgjerojmë shtegun e vetëm të sigurt nga mund të vijë një rritje ekonomike e qenësishme, ndoshta edhe 6 për qind, e udhëhequr nga huadhënia. Kredi për shtëpi, për konsum, për nisma biznesi në shërbime, në turizmin agrar, në atë të detit, në bujqësi e përpunim produktesh bujqësore (perime, fruta, mish, qumësht) e me radhë. Vetë ata prej nesh që duan të punojnë dinë ku të kërkojnë kredi dhe për çfarë. Por duhet që të hapet loja e madhe nga qeveria. Ajo të dalë garant me fonde garancie për kreditë e reja në sektorët më premtues të ekonomisë sonë, ku bankat hezitojnë. Pa garancinë e saj, bankat do të vijojnë të mos rrezikojnë në tregje pak të njohura e sezonale (si produktet bujqësore, turizmi etj.). Qeveria duhet ta marrë ekonominë përdore. Nuk bën dot gjë duke u dhënë kontrata e para buxhetore oligarkëve vendës. Madje, boll i ka ngopur edhe kështu. Është koha e duhur të merren nisma dhe të përgatiten programe për të mbështetur rritjen e kreditimit. E vetme banka jonë qendrore nuk mund t’ia dalë dhe shpresojmë shumë që qeveria e sotme të mos jetë tejet e zënë me konfliktin politik të ngjizur nga dalja e opozitës nga parlamenti dhe të mendojë edhe për ekonominë tonë në cekëtinë reale investimesh. T’i hedhë asaj kamerdaren e shpëtimit: kredinë e rritur ndjeshëm.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.