AKTUALITET

Video/ Vrasja e Xhindit, i biri: Na mundon pyetja kush dhe pse e vrau Fatmirin?

12:05 - 04.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Plotë 10 vjet nga vrasja e ish-deputetit socialistë Fatmir Xhindi, ende policia dhe prokuroria nuk kanë një emër të autorit dhe motivet që çuan atë në ekzekutimit e të zgjedhurit të Fierit. Me këtë brengë të familjarëve të tij, miq, shokë e ish-kolegë të tij në Partinë Socialiste kanë përkujtuar dje ish- deputetin e ndjerë që u vra tek hynte në oborrin e shtëpisë së tij në Roskovec. Në ceremoninë përkujtimore kanë qenë të pranishëm kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, kreu i grupit parlamentar Taulant Balla, deputetë të maxhorancës e përfaqësues lokalë. Duke folur në këtë ceremoni, kreu i grupit parlamentar Taulant Balla deklaroi se drejtësia e re do e zbardhë vrasjen e Xhindit. “Kur kemi ardhur këtu në 3 maj 2009 gjithë kolegët e tij ne kemi qenë me krahë të prerë, sepse na ishte larguar pa ditur arsyen, arsyen të cilën ende nuk e dimë edhe sot një prej njerëzve më të rëndësishëm të grupit tonë parlamentar.




Sepse rëndësia nuk është kush flet më shumë në sallën e Kuvendit, por është pikërisht se kush është më i lidhur me njerëzit. Në ka një model në këto 28 vjet e kusur të ekzistencës së pluralizmit, të lidhjes së deputetit me popullin, ndër më të mirët do të mbetet gjithmonë Fatmir Xhindi”, – u shpreh Balla. Ai foli dhe për ndryshime që kanë ndodhur në vend, duke nisur që nga mundësitë e krijuara për opozitën e sotme në parlament, tek ndryshimet në Roskovec e zonat përreth apo edhe drejtësia e re, duke i parë si amanete të deputetit të ndjerë. “Kur kujtoj sot se ç’ha-pësira i kemi krijuar ne në Kuvend opozitës, krahasuar me hapësirat që kishim ne në Kuvend 2005-2009 them që sigurisht një prej amaneteve të Fatmirit ne e kemi realizuar. Sot Shqipëria realisht është një demokraci funksionale. Sot Kuvendi i Shqipërisë është realisht një hapësirë ku nuk luftojnë më siç luftonim me Fatmirin, me Gramozin, me Petron, me Çimin, me Stefanin për të marrë qoftë dhe njëherë të vetme fjalën në Kuvend, drejtuesi i grupit tonë parlamentar”, – tha kryetari i grupit socialist.

Duke vlerësuar edhe djalin e Fatmir Xhindit, Anduel Xhindin si një deputet korrekt, Balla tha se socialistët nuk e kanë harruar detyrën për zbardhjen e kësaj ngjarje dhe çuarjen e drejtësisë në vend. “Unë jam sot këtu për t’ju thënë që ne nuk e kemi harruar detyrën që na ka lënë pas largimi i Fatmir Xhindit, në një mënyrë ende të pasqaruar, një krim që goditi opozitën e asaj kohe vetëm 2 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009. Por ne kurrsesi nuk ngritëm assesi dorën dhe gishtin kundër qeverisë së asaj kohe dhe as kundër institucioneve të asaj kohe, por duhet ta them se ne jemi tërësisht të keqardhur nga mosreagimi në kohë i institucioneve qoftë të policisë së asaj kohe, qoftë të prokurorisë së asaj kohe dhe të gjitha për ta zbardhur këtë çështje. Nuk është koha sot për të rrahur gjoksin dhe për të thënë që ne do ta zbardhim por një gjë është e sigurt, unë i bashkohem thirrjes së kolegut tim Anduel Xhindit, drejtuar të gjitha institucioneve. Drejtësia e re që po lind është amaneti tjetër që buron nga Fatmir Xhindi dhe unë jam shumë i sigurt se kjo drejtësi e re që po lind do ta zbardhë këtë çështje dhe sigurisht kushdo që guxoi të ngrinte dorë mbi deputetin e Partisë Socialiste do të marrë dënimin e merituar”, – deklaroi Balla. Ndërsa Anduel Xhindi, i cili është deputet i PS-së në këtë qark, kërkoi të gjenden autorët e vrasjes së babait të tij. “U bënë 10 vjet nga ndarja nga jeta e babait tim dhe drejtësia nuk e ka thënë fjalën e saj. Na mundon pyetja kush e vrau dhe pse e vrau Fatmirin?! Iu bëj thirrje institucioneve të drejtësisë të zbardhin ngjarjen që shpirti i tij të jetë në paqe dhe ne të jemi të qetë”,-tha Anduel Xhindi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.