OPINION

Armiku në tryezë

07:33 - 05.05.19 Lorenc Vangjeli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ka një numër banditësh mes atyre shumë njerëzve të ndershëm, që prodhojnë ushqimin e përditshëm për popullatën. Është një kategori vrasësish serialë, zuzarë gjakftohtë dhe mëkatarë pa frikë në Perëndi, që prodhojnë fruta, perime e bulmetra me hormone të ndaluara, që përdorin pesticide të dëmshme për shëndetin në bujqësi e blegtori dhe dhjetëra metoda të tjera primitive, për të fituar ca qindarka më shumë.




Ky soj sojsëzësh kriminalë gjendet kudo. Mes tyre ka fermerë, blegtorë apo importues që sjellin armikun në tryezën e çdo shqiptari. Ata vrasin ngadalë, por me siguri çdokënd dhe venë në shënjestër fillimisht ata që janë më të pambrojturit, fëmijët, gratë shtatzëna apo të moshuarit e sëmurë.

Kohët e fundit një seri denoncimesh në media e kanë risjellë në vëmendje shqetësimin e jashtëzakonshëm për ushqimin e përditshëm të popullatës dhe sigurinë e tij.

Specialistë të fushës gjithashtu në mënyrë të përsëritur kanë bërë apele për luftë totale kundër fatkeqësisë që mund të vijë nga ushqimi.

Vetë prodhuesit, fermerë dhe përpunues, e njohin këtë problematikë dhe insistojnë në thellimin e kontrolleve dhe në identifikimin e abuzuesve, por dilemës ndërmjet një realiteti dramatik dhe betejës së pandershme për tregje, askush nuk i ka dhënë dot një përgjigje shteruese.

Edhe gishti i akuzës, edhe dora për ndihmë i drejtohet sërish shtetit. Shumë shpejt ndryshimet në Kodin Penal do ta bëjnë burgun e gjatë, një përgjigje ndëshkuese për abuzuesit. Kush tregton me dijeni ushqime të dëmshme për shëndetin e konsumatorëve, është në të vërtetë një vrasës i mirëfilltë. Shumë më i rrezikshëm se një serial killer me kallashnikov në dorë apo me tritol në çantë. Kjo është vetëm një betejë që duhet të fitohet përballë kësaj sfide: identifikimi i përmasës reale të saj, çfarë është vërtet risk dhe çfarë ekzagjerim hilacakësh.

Siguria ushqimore është një hall real dhe përballë tij, edhe deklarimet e shumicës së Edi Ramës se do të vazhdojë të ketë mandat qeverisës edhe nja dy vjet të tjerë, edhe përbetimet e pakicës se do të kthejë përmbys Shqipërinë që të largojë Edi Ramën, ngjajnë kaq të parëndësishme. Dhe duken kaq meskine dhe cinike, sa kohë që armiku i të gjithëve është në tryezën e gjithkujt. Një armik, ndaj të cilit nuk do pasur asnjë mëshirë, sepse edhe kjo kategori banditësh, këta vrasës serialë, vrasin dalëngadalë gjithkënd dhe pa asnjë mëshirë! (Javanews)

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.