KULTURË

“Engjëjt e Amerikës” Për lirinë, vetminë dhe të drejtën për të jetuar

17:30 - 05.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Skena të rënda? Secili i jep leximin e vet një vepre. Kjo ishte një shfaqje e mendimit më shumë se e veprimit. Me një skenografi minimaliste që nxirrte më shumë në pah lojën dhe tekstin, publiku si bartës i saj, mori me vete shijen e vetmisë së pafundme, komplekseve njerëzore dhe dështimin e sistemeve për të ndërtuar shoqëri, ku individi është i pari. Njerëzit vdesin të vetmuar e jetojnë të vetmuar. Njerëzit u ikin të gjithëve duke dashur t’i ikin së pari vetes, përballjes me imazhin e tyre në pasqyrë dhe nevojën për të qenë të pranuar në shoqëri. Njerëzit i ikin ndërgjegjes, që vjen si vegim në formën e një engjëlli, ose si makth në atë të një fantazme. Një shfaqje që zgjat disa orë në SHBA ku ka korrur sukses, në Tiranë i kalon 2 orët duke lënë pas pezmin e mesazheve që do të japë. Gjen gjithsesi linja ngjashmërie mes engjëjve shqiptarë dhe engjëjve amerikanë të marsit 2018, që nisin me neonet. Shfaqja i ngjan një jermi të pamatë e të pafund. Nuk është fort e lehtë të shquash ç’është realitet e ç’është ëndërr. Skenat që ndërrohen nga balerinët, ose qoftë edhe nga ndryshimi i gjendjes së ndriçimit trajtojnë raportin tonë me Zotin dhe të Zotit me engjëjt, raportet mashkull-femër, merren me epshin e mungesën e epshit, merren me të majtët e të djathtët, me sëmundjen dhe frikën, me jetën dhe vdekjen, me shkuarën dhe të ardhmen e mbi të gjitha me luftën më të madhe të të gjitha kohërave: atë të njeriut me veten! Drama fituese e “Tony Awards”, “Pulizer Prize”, “Drama Desk” është një nga kryeveprat e dramaturgjisë bashkëkohore nga Tony Kushner. Në Tiranë vjen me regji të Arben Kumbaros, nga e enjtja në të diel, ora 19:00 në Arturbina.




Shfaqja
Shfaqja nis me drita ndezur. Regjisori Ben Kumbaro ulet në radhën e dytë. Ndërsa salla e ‘Turbinës’ nuk arrin të izolojë zërat e fëmijëve që luajnë jashtë në oborr, jashtë skenës dy çifte, një hetero dhe një homoseksual debatojnë me tone të ashpra.
Perdja ikën. Shfaqja zhvendoset në skenë. A do kemi çlirim prej së shkuarës? Kjo është pyetja që jehon në sallë. Një flamur i kuq me drapër, çekan e yll shihen në një skenë bosh, ku feks e kuqja. Flitet për kapitalizëm surrogat. “Tregomëmi fjalët që do sjellin ndryshimin në botë, ose mos hapni gojë”, – thotë figura e paidentifikueshme, e mbuluar me cohë të kuqe. Pas saj, një engjëlli të errët i ndriçojnë vetëm krahët. Ajo që nis si një mesazh politik mbi dështimin e kapitalizmit çka sfondi komunist e bën më të sipërfaqshëm, vijon me atë që qe shqetësimi i Amerikës në vitet 1980, sëmundja e AIDS dhe fshehja e saj. Shfaqja ka skena erotike mes dy personave të të njëjtit seks, por kjo vjen pothuaj krejt natyrshëm, pa lënë vend për komente. Vetë skena është në funksion të idesë që përvijon të tërën. Krejt larg shfaqjeve klasike, regjisori ka konceptuar një shfaqje me elementë modernë në qëndrimin e aktorëve në skenë, në këndet që krijojnë ambiente të ndryshme dhe kjo nis që me punën e bërë me tekstin e ndërthurjen e linjave. Nga mesazhet politike, te dështimi i politikave. Nga e drejta për të qenë të barabartë, te mundësia për të qenë më i barabartë. Nga e drejta për të jetuar, te pasuria e shantazhi që blen të drejtën për të jetuar më gjatë. Marrëdhëniet seksuale nuk del të jenë më shumë se një ikje nga vetja. Gjen në të personazhet e çdo shoqërie: një burrë të fuqishëm që ka “ndryshuar” rrjedhën e gjërave, jo duke zbatuar ligjin, por duke e përdorur atë, sepse për të rëndësi ka të mbarosh punë, jo të jesh i mirë. Roy (Helidon Fino) pyet “a do ti të jesh njeriu që i nënshtrohet ligjit, apo njeriu që bën ligjin”? Ai personifikon njeriun e fuqishëm, që ka shkelur këdo dhe çfarëdo gjatë gjithë jetës për të arritur qëllimet e veta, duke fshehur prirjet e veta seksuale. Skenat e degradimit të tij vijnë natyrshëm prej Finos, që ka veshur në lëkurë rolin e Roit. Në të njëjtën shkallë qëndron infermieri (Belize), interpretuar nga Indrit Çobani. Në galerinë e personazheve që sjell vepra, Çobani ka arritur të përcjellë natyrshëm si të ishte jeta e tij infermierin e zakonshëm, gay me ngjyrë. Ecja, qëndrimi, zëri, tonaliteti i japin atij një prej roleve më të veçanta që ka bërë. Jo prej tekstit. Është Çobani që ka punuar me veten, duke veshur psikologjinë e personazhit për ta përcjellë pa asnjë të metë. Mes skenave që ngjajnë herë si rite adhurimi e herë si rite satanike të sekteve amerikane, mesazhet profetike i shtojnë shfaqjes dualitetin e një jermi, duke na kujtuar se e kemi harruar Zotin, se e kemi braktisur dhe na ka braktisur e në këtë braktisje të madhe nuk kemi humbur vetëm hyjnoren e njerëzoren, por edhe veten. Kjo është humbja e madhe.

Ina Gjonçi sjell një tjetër portret gruaje dhe Laert Vasili një tjetër portret homoseksuali, që bashkë Donald Shehun, të dyzuarin e paqartë e me Genti Deçkën që mban rolin kryesor plotësojnë galerinë e “Engjëjve të Amerikës” bashkë me Dr Henry (Vasjan lami). Ndërsa Luli Bitri sjell engjëllin, Luiza Xhuvani vjen me rolin e një nëne, një gruaje të zakonshme, që nuk pranon dot homoseksualitetin e të birit. Cilat janë mesazhet? Secili merr mesazhet e tij, duke lënë mënjanë çfarë nuk i shkon për shtat. Shfaqja që prek temën e raporteve seksuale të të njëjtit seks i lë mënjanë gratë, duke ndërthurur në skenë një jetë burrash homoseksualë që vuajnë, qajnë, nuk duhen, lihen vetëm, vdesin vetëm, duke qenë gjithnjë të palumtur e të paplotë. Gratë ose nuk janë, ose janë në funksion të burrave. Sepse burrat “krijojnë” personazhet, historitë dhe emrat.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.